Monday, December 21, 2009

Nuk kisha guxim të them ti

o pishtar që mbi qiej vrapon
je si xhan që në mua këndon
po të kisha kënduar unë do të vdisja
në resht i heshtur njëmijë vite të prisja

harro gjënë që më ke përmend
se nëse flas do të isha çmend
në shpirt ufmën do ta përballoj
se skam fuqi në sy tët shikoj

me sirt mbyllet dera e shikimit
në tejmatanë lind fryti i durimit
në shikimet e pasme s’harrohet ikja
unë mbeta akull i shtangur nga frika

një dehje e lehtë më shkrumbon
është një mejhane që ende më pastron
fërfëritjet janë s’bashku në këtë qiell
sytë e tua bashkë me shikimet formojnë një diell

kur pijë nga sytë e tua, më bjer të fiktë
kjo kupë në mua vërshoj një ashk të blirë
qiell e diell do ti kap me duart e mija
vetëm akulli të shkrihet njëherë në mua.

Monday, December 14, 2009

Vegetarian and Wolf

të ndash zemrën në dysh,
a mbetën copëzat e zemrës pa u prishë?
të jesh me njërin, të jetosh me tjetrin
të jesh me tjetrin, të jetosh për njërin

kush janë këta dy që përfliten
si çdo qenie që në mua përsëriten
këto pyje që nuk munden pa shi
këto lot që nuk munden pa sy

është njëra që përgjërohet
është tjetra që vetëm shtohet
janë ata që njëherë njihen
janë ata që asnjëherë s’shihen

dy pika që i mbushën oqeanet
dy pika që i thajnë të gjitha anët
janë me mua kodrinat që u shuan
janë me mua fushat që u mbuluan

unë dhe ti të shtrirë në jargavanë
unë dhe ti të shndërruar në shatërvanë
jemi bashkë për mos tu parë kur
jemi bashkë që të jetojmë si dikur

si një tingull më shkon këndej
si një zë më afrohesh përtej
jam muzika që nuk dëgjohej
jam vallja që me ty përjetohej

unë jam hija yte që larg shkreton
ti je tragu që mua më thumbon
jemi si hapat që çdoherë aterojmë
jemi si notimi që askund nuk na çon

unë jam buza që çdoherë të kërkoj
ti je frymëmarrja, që unë ekzistoj
jemi në dheun ku mbesim të gjallë
jemi në qiellin ku nga ashku jemi të marr

ti je shpirti që e kërkon trupin tim
e unë jam trupi që e kërkon shpirtin tënd
jemi bashkë të dy, që të jemi të ndarë çdoherë
jemi të ndarë të dy, që të jemi bashkë gjithherë

Tuesday, December 8, 2009

16.11.

Ne, atje në terr shfaqnim
bardhësi të gjakosur
ku perëndojnë humbjet ndër athtësi,
gjithë pikat nën ngrehinë
kaluan në një greminë me madhështi,
i turbull nga tymi ndihesha
dhe kjo piskamë që gërhite
me përçartje të shkëmbtë
grithte të mjerën humbësi,
mu aty ku pikat e gjakut
në qafën tënde jepnin gjallëri.
A mund ta harroj
atë terr që shfaqej me
bardhësi të gjakosur,
ku perëndimet humbeshin ndër athtësi
me gjithë pikat që në ngrehinë
kaluan greminën me madhështi,
ai turbullim nga tymi,
piskamës i gërhite
me përçartje
dhe bënte grithje të shkëmbtë
në të mjerën humbësi,
e pikat e gjakut kur i shihja
në qafën tënde,
çdoherë më jepnin gjallëri...

Monday, November 30, 2009

Prej në fillim ishe ëndërr

në paç një ëndërr, ti në veshin e natës ma pëshpërit
ëndërrimtarë i them vetvetes kur ti në mua shushuritë

edhe pse krejt ëndrrat e mija të njëjta i kam parë çdoherë
prapë nuk ngopem me ty, nëse të shoh edhe njëherë

në dynjanë lajkatare, mbret nuk dua të jem edhe pse ma ofrojnë
lypsarë i përhershëm jam unë, se ashkun Tënd, Mbretëri e kam gjithmonë

në një endacak besnik jam shndërruar në rrugën e Tij
në Divanin e Lartë unë nënshtrohem se nuk dua të jem karshi

gjithë vajgurin në verë e shndërroja për ta pi
si fitil i kandilit digjem për ashkun që kam për ty

si sheqer i djegur kundërmon afshi dhe në brendi më shkrumbon
me krehër kur kreh flokët e tua në ëndërr, ashku në shpirt më shpon

kur shpërlahem me ujin e lotëve të mija ngrejë menjëherë dolli
nga dehja lakuriqësohem por ashku yt në vetmin time me vel më mbulon

si petale e zambakut fije për fije shndrit fytyra yte, o Diell
ku e kam hënën time, që më ka harruar dhe fare nuk më kërkon

tym i flakët në shpirt më përshkon, ndaj s’mund të qetësohem
qetësia ime është me ty xhanëm dhe eja njëherë me mua përgjithmonë

ky haram është hallall për ne, edhe pse askush nuk na kupton
hallalli është hallall vetëm për ata që përtej hundës asgjë nuk veprojnë

por unë krejt mejhanet i shëtita dhe nën dehje vetëm ty të kërkoja
por si duket askund nuk të gjeta dhe nga të qarit më në fund u verbova

Wednesday, October 7, 2009

Kabristan

Në ditën që linda e pres vdekjen time
në ditën e vdekjes do ta pres rilindjen time

në zemrën e Jusufit u ngjita –ty duke të kërkuar
Zulejha hyri në zemrën time për t’u djegë si e shkrumbuar

si Hafizi i Shirazit bukëpjekës u bëra që furra e zemrës të më pjekë përsëri
në bahçen e xhenetit e shikova Shah-e Nabatin me balluken ndër sy

të jem si Ibn Arebiu, të endem deri në Mekën e bekuar
Ajnu Shemsin tim me dijen e thellë sa oqeanet – për ta takuar

në ankthet e Mexhnunit pritja ime më shëmtoi
shpirti i Lejlës time hyri në shpirtin tim dhe më shpëtoi

këtë shpëtim vetëm Mevlanaja ma bëri ta kuptoj
që bashkë me Shemsi Tebrizin tim në këtë Divan-Name të udhëtoj

dal ngadalë po më treten vargjet e fundit duke i shkruar në vetmi
në këtë ditë të shenjt dua ti kthehem Atij dhe të shkoj vetëm tek Ai

as Zulejha as Shah-e Nabati as Ajnu Shemsi as Lejla as Shemsi Tebrizi më nuk janë për mua
Ti je Ashku im i Vetëm dhe vetëm Ty çdoherë do të dua

Saturday, October 3, 2009

Përkujto

mos qajë, se askush nuk e ka dert të qanë për ty
eja dhe mi le mua të qarat të bredhojnë si fshehtësira ndër sy

mos i mbledh margaritarët që lëshohen nga fytyra yte
eja tek unë që ti mbledh dhe si qafore do ti var në shpirt që të përkujtoj në ty

mos puth askënd, se puthjet e tua jo çdokush i përjeton
eja mi fal puthjet mua, se çdo puthje që më fal më përkujton në ty

mos shiko askënd, se askush nuk e meriton ta shikosh në sy
eja e më shiko mua, që ta shkrij shikim që më përkujton në ty

mos shko askund, ku nuk të pranojnë dhe nuk të presin ty
eja tek unë, të bëhesh pjese e hapave të mija që të më përkujtojnë në ty

mos vrapo, se bredhjen tënde nuk e ndjen askush si ti
eja bredhë me mua, në daç të tretemi, se kjo tretje më përkujton në ty

mos u kllapos, se kllapitjen jo çdokush e kupton se çfarë është
eja kllaposu bashkë me mua, se çdo shkrirje më përkujton në ty

mos shko në çdo kopsht, se nuk janë të gjitha trëndafilat njësoj për ty
eja në kopshtin tim, të jap trëndafilin e ashkut që më përkujton në ty

mos i merr tespihet, se çdo tespihe tjetër është e kalbur për ty
eja mi jep tespihet e syve të tua dhe çdo kokërr të tespiheve ti puth që të më përkujton në ty

Poetshëm

në damarët e akullit
shfaqet gjaku i fytyrës
njësoj si mishërimi
që përlot copëtimin
këto gjethe
me gjak
në damar
përpëlitnin
brymësin
që ngathte
ujshëm
një poet të kredhur.
Tempull i ndërtuar
në qepallë
si sorkadhë bredhte
në lëndinën
e shpirtit,
mijëra vele
kërkuan mbulimin
e stinës së gjetheve,
varguat
në mua
më heshtën
prajshëm
e harresa
më pikturoi dhe
shkoi në kryeshëndoshë
me rastin
e vdekjes së shkronjave,
ehhh
mall
mos më mishëro
por më copëto...
se ashtu vetëm
mundem të jem
gjallë.

Wednesday, September 30, 2009

Bardhës

nën yjet e buta
kërcëllonin
shikimet e shkrira,
nga qielli i pres
me çarçaf të bardhë
që ti mbjell në mua,
shuaju e shuaju
se asgjë nuk shuhet
përveç se
kujtesa dashurore...

Në avllinë
me gur të renditura
heshtjet topiten
e myku i harresës
vërdallë i shkund
pluhurat në sy
për një verbëri
që cicëronte.

Eshtrat si gjethe
hedhin klorofilin
matanë tretjes
që zemrës gjithëfarësinë
në hambar t’ja mbjellin troç.

Gjithë këto mijëra penxhere
fllad i dhanë ruhit tim
në një qiell të zbutshëm
nën një avlli një han në mes
gjithfarësinë ja dhashë trupit
që me mimikë ta këndell,
petalet valë-valë të hedhura
ngrin shpirtin dhe ispat e bënin
dëshminë e thërrmimit.

Sunday, September 27, 2009

Pjergull


pjergulla lëshoi verën gjak të kuqe
në buzët e mija
dhe buzët e tua si (p)rrush
u shkrinë bashkë me mua

oj pjergull më bënë konak
nën gjethet e tua çdoherë të ri
të vij tek ti dhe si meskin
të ulem në një qosh dhe vetëm të pi

duke pijë mu shfaqë një nur
nga buzët e tua dhe më rrëzoi
më ra të fiktë kur vezullimi i buzëve
me verë më përvëloi

kazanët e rrushit në emër të ashkut
ende janë duke u përzije
e unë përvëlohem nga ashku
si zjarr i skuqur fije për fije

ti më konkurrove në dehje
dhe dashuria jote me shpejtësi më përfitoi
si shkëndijë drite, mbulesa yte
në pjergullën e ashkut pran teje më shpaloi

oj verë qiellore lëngu i rrushit tënd
me mall e vajë më përshkoi
stuhia në shpirt nga tufani i ashkut
në qiell më dha hov e më lartësoi

çdo kokërr rrushi i ngjan syve të tua,
këtë gjë që në ezel e dijë!
së bashku jemi si rrushi
kur shtrydhë verën e kuqe në pafundësi

nën hënën e bukur të muzgut
kur çatitë skuqen nga rrëzëllimi
verën që pinim pjergulla na xhelozoj
dhe u zhduk nga trishtimi!

pastaj si e mallëngjyer rinte pjergulla
në rrugët boshe falje duke kërkuar
terezia e pirjes së verës nuk u prish hiq,
se kërkonte ende për t’u vazhduar

kërkuam mëshirë nga qielli që pjergullës
t’ja falë këtë hata që e bëri
thash: të jemi të kënaqur që nën mëshirën e Tij
kjo gjë në të mirë përfundoi

eja tani të ulemi nën pjergullën ku ashku i dehur
shndërrohet në oqean që s’ka kufij
të zhytemi në këto thellësira me puthje
dhe nga etja e madhe të mbesim gjithmonë aty

Wednesday, September 23, 2009

Mashuk

çdo thellësi dashurore ujitet nga burimi që del nga Ti
kjo sprovë u shua kur trëndafili ra nga provimi në bukuri

të dashurosh bukurin e lajthitur i thonë të bredhësh në arrati
të jesh ashik i bukurisë së fshehur është sikur të dergjesh në vetmi

kjo dhimbje e vetmisë nuk prodhon gjë tjetër përveç se bukuri behari
kësaj vuajtje të vetme rrugët i janë të shtruar me tespihe margaritari

të mbash tespihet në përkujtim duke i numëruar thellësitë e syve të zi
është njësoj sikur lotët kur e farkojnë hekurin duke e shkrirë këtë mërzi

këtë melhem nuk e prodhoi dikush që rastësisht ju kujtua
plagët janë mëshirë për të vërtetën kur i than mashukut - të dua

pasqyra nga Bukuria e Tij gjithmonë në sexhde grimca - grimca thërrmohet
në brendi të vetvetes çdokush le ta zbuloj pasqyrën dhe pastaj le të vetmohet

e shëmtuara e jonë e çal kërkon copëza pasqyre të reflektohet
nga Bukuria e Tij ashku i dehur me miliona copëza përjetohet

kësaj vetmie me një gjuhë tjetër i thonë liri që nuk ka kufij
eja xhanëm se taxh meskini është i dehur gjithmonë për ty

Digju më një dit dhe eja pran meje

më jep flakadanin ta djeg trupin tënd dhe të them digju
por shpirtin tënd mos e harro që të ma japësh kur të them dehu

trupi yt i but e meriton zjarrin
shpirti yt në mua kërkon pronarin

flaka shndërron hirin e trupit tënd në asgjësim
dëshira për ta pasur shpirtin tënd shndërrohet në përvetësim

më mirë më thuaj se nuk ekziston në këtë botë fare
që shpirti yt të bredh në mua me dashuri ashiqare

është thëngjill i djegur trupi në formën e sajë
shpirti yt ka harmoni si qiejt që nuk kanë skaj

digju çdoherë o trup që më robërove mua
ma jep shpirtin dhe më çliro që çdoherë të të dua

ky trup asgjë nuk është vetëm se një verbëri
ndërsa shpirtin tënde e dua se më jep gjallëri

vuajtjet e harresës që kur nuk të pash – moti i kam harruar
shpirti yt një sekondë nëse nuk është me mua, më bën të tërbuar

trupit yt ka ra në skëterra të zeza dhe përkujtohet kot
shpirti yt është në piedestalin e nureve ku nuk shuhet dot

ik prej meje o trup i shëmtuar dhe nga syri im mos kërko shërim
e ti, shpirt i dashur, rri me mua, që dehja ime të kalon në përjetësim

digju më një dit dhe eja pran meje
dhe asnjë ndërmjetësues mos të ketë mes meje dhe teje

Letërkëmbim me vetveten


të kopsiti lëkurën
mbi avullin që fal myshqeve
drejt diellit
krejt në katrahurë
me pëlhurë
plot lot ishte mbushur
një bilur
ishin bërë si damar të zverdhur
pikat e gjakut që shiheshin në pëlhurë
sihariq
shkurtabiq
plot mijë të përhimët
me bisht
të përvjelë e të lagur
të spërkatur
të shkundur
buze-hundë në një.
tepsi
misër
mistri
llaç
e lloç bëhen godinat e fytyrave tona
autoerotik
problematik
periodik
metafizik
e këndshme ishte ajo që përjetova
po ti më mirë të më harrosh mua
ashtu i kishin thënë gjethet
vjeshtës në momentin e ndarjes.
Inferiorë
infantil
me mollën e kuqe me sheqer të djegur
tek muri i groposur në foshnjoren e vjetër
të mbuluarat shiheshin si memorie të grisura...
Sanatorium
i zymtë
ku humbjet janë një
praktikë klinike,
rrëke sindromesh
u mbyllën në
tejkohe me të gjitha dosjet
nga
patronët këmbëzbathur
që zgjidhnin
vetminë hibride
bashkë me
anoreksinë fluide.
agshol në pranga
shkumëzi
ndjellakeq
në kodin e shifrës
plot stuhi
me një dukje gjoja se
homogjen në tërësi
e pashë si lënda e vajgurit
i djegur
i shkrirë
i shfytyrosur
në një anë me një nam
gjithë i prirë për matanë
këto kambana fikin qiri
duke ndjellë ogurzi
E unë në vetmi
e kopsita lëkurën time.



Friday, September 18, 2009

Kâmil Han

Çdo frymëmarrje është një Hu ku gjithçka gjallërohet
mangësia jonë me Ty pajtohet dhe në shpirt çdoherë kërkohet

Përsosshmëri i thuhet, kur mangësia jonë e dëshmon kuptimin
shenjat e Tua shfaqen tek ne për ta ndihmuar durimin

në saffin e mbi saffëve liria me një përkulje të denjë çlirohet
Haku i të Lartit Nur në shpirt lëshon lastarë dhe degëzohet

ne jemi njëshi për hir të Njëshit, që tretemi vetëm në Njësh,
shkrihu dhe qëndro në Njësh, se aty flakërohen faltoret

me engjëj në Bejtul Ma’mur, qiellin e bart falënderimi
në tokë është Hu-ja, një ilaç që e shëron pezmatimin

tre çelësa të arit kaliten për ta hapur derën Hyjnore
Hak, Haj dhe Hu janë i vetmi përdorim i thurjes prore

çdo kandil fsheh dritën që gjëmon në shpirt
çdo velë shpaloset kur gjuha për Ty pëshpërit

sekreti fshihet aty ku puqen dy detrat në thellësi
e Ti, si një shpatë e zbukuruar me filigran, në shpirt më ke hy

këto ngjyra e zbukurojnë detin nën puhizën e buzëqeshjeve të Tua
çdo puthje është një shkrirje që thurë dashurin ashtu siç unë dua

si mund ta dua vetveten nëse nuk e hapi dashurin që të dua Ty
dashuria ka një shije të pafund, se gjithherë shijohet në brendi

ekzaltimet janë mundësia e afrimit që deri në qiej të afrohemi
përjetimet na e helmojnë shpirtin me dashuri, kur në Ty përkujtohemi



09.09.09, Stamboll

Shkul

kur shoh pikën
përtej vijave
në shkuljen e shpirtit
nën rrënjët e maleve
më varen tespihet
në grilat e zemrës,
thithi tymin e cigares
dhe shoh qaforen e këputur
me xhevahire të përkëdhelura
e unë, si çdoherë i thinjur,
me kokrrat e lotit i mbuluar
i hedhur pas kockave
që më përkujtojnë
majën e hidhur të përmallimit.
Kur një saze digjet në mua
cipat e zemrës flakërojnë
dhe bashkë me ofshamat lidhen në pe
e hedhin vallen e dhimbjes
Një fjalë e alltënit kur thuhet
copëzohet me heshtje shikimi
ndërsa tek unë
laringu i gojës
me gargarën e lotëve përtypet
deri sa
dufi shpërlahet si velë i bardhë
në kroin e njelmët të shpirtit tim
O shpirt bëni ballë humbjes
buzëqeshë në përmallimin tënd
e qaj sa të mundesh
dhe mos u shter asnjëherë të lutem...
puthe nejin dhe zbrit me heshtje
kur të frynë vdekja jepu me gjithë qejf,
me mall të përvëluar qeshu
dhe bëhu gati që dashurinë ta varrosësh

Sunday, September 6, 2009

Recetë ëndrrash

disa bujë të jeshilë
me bishta të kuq
kishin ofshame të mprehta,
këto dhoma të errëta
me vete i barte një shpatë që vezullonte
por doli një arushë fosforite
që shkrumbonte gjak
pas shtëpisë që nuk kishte pronarë,
një fantazmë nga uterusi i tokës
shpoi qiellin dhe ja pëlciti tëmthin maleve,
një çarçafë i përhimët përmalloi tymin
më djegën sytë dhe i fërkoja më shumë,
një motiv kanibal thumboi mendjen
eshtrat nuk ruhen çdoherë në muze
disa vathe të zbukuruar
në një liqe të formuar nga syri
u humbën, se kishin një gur të çmueshëm,
shihe ëndrrën se si vrullon si gejzer
duke i larë flokët e thinjët
nëpërkëmbja ime dukej si hije nëpër tokë,
një trazim i epur i puthte degët e qershish
të mbuluar përplot me borë,
ky shijim ndezë shtat zjarre që nuk shuhen kurrë,
aty ku lëpin macja,
trurit i shkon mendja te sahani
plot krevate të pashfrytëzuara
në sanatoriumet e harruara nga pronarët
e një prej të shtrirëve isha vetëm unë,
merrja aromën e çarçafëve
pas konsumimit të groshës nga sahani i metaltë,
në anën e djathtën e pashë anën e majtën
sikur miu ti kishte ngrënë të gjitha anët
dhe gjithçka ishte e boshatisur
si një djathë i shpuar zviceran,
lagjja po digjej nga një zjarr
që e kaploi natën
disa skifterë që mbanin gaca në sqep
i hodhën mbi lagje
gjithçka u bë hi dhe u shkrumbua,
kush fliste nga gjoksi dhe nga duart
me gjuhën e një qukapiku
gishtat më fluturuan
si një tufë fluturash të bardha
dhe u përdrodhën në një shtëpi
një harabel i vogël theu bardakun
pran dritares së hapur
jagiat e minderit u lagën
krejt direkët dhe tratë e tavanit u thyen
të gjitha korbat e fshatit
kishin lënë plehrat e tyre
po në atë shtëpi të shkretë
bishtalecat e vajzave të virgjëra
qetheshin dhe liheshin
pran varrit të shenjt,
bishtalecat janë pjesë e nderit,
kishin thënë që nga kohërat e lashta
se çdo e qethur kushton jetë!
kam ethe kënaqësie
se çdo buzëqeshje bëhet qull në djersë
kur erëmon buzët e dredhëzës,
por në këto molla ka shumë helm
gishtat nuk priten kot nga brisku i shijes
duhet mirë e mirë ti shijojmë gjërat!
se kur shijohen formohen
xhevahire në formë zemre
dhe në vathe zbukurohet melankolia e largësisë.

Thursday, August 27, 2009

A’jn – ul - kalb


Sa është mendimi i përqendruar në ty
aq jam unë i ngujuar dhe nuk mundem të vij deri tek ti
do rrokullisem deri sa gjunjët e mi do të gjakosen
në fytyrën tënde gjersa shoh dritë, unë vazhdimisht do të përlotem

Një mpakje i ra hënës mu në zemër saqë e turbulloi
Dielli në ndihmë ju dërgua dhe me reze e shëroi
rezet ishin sytë e tua që unë si meskin i ëndërroja
përpëlitjet e tua ishin shërim për verbërinë time që nuk shikoja

mall dhe dashuri ka ky shpirt që nuk donë të flejë më
me buzët e dehura që ishim edhe nata na e kishte zili
këto degë në shpirt cicërimën e dëgjuan nga malli jonë përsëri
ngjallje të ndritur veç për ty zemër, se gjithë dashuria më ishte shkri

Këto shkrirje bëjnë çmos që përkujtimet mos të ikin
në ditët e mija kur trëndafilat më ishin veç të zhytur
thellësinë gjatë shkrirjes vetëm për ty e përjetova
në dehjen e sigurt sytë e tua nga larg i putha dhe i shijova

kjo esëllti më ra në shpirt dhe si brisk tulin e zemrës ma preu
por syri yt shkëlqesinë e sajë edhe një kat më tepër e shprehu
krejt kjo është si një flutur e gdhendur që në shpirt më ri
rrjeti kur e kap syrin në heshtje gjithherë e shikon me dhembshuri

sa vjet ka që verbëria me pluhur më rin syve deri në pafundësi
ashik i kam thënë vetes, andaj çdoherë shpirti im ka mall për ty
myhyrin e shtat mbretërive e solla që kurora ime të qetësohet
syri i sajë deri sa më dridh në shpirt ende me mua nuk do të pajtohet

kësaj pajtese i thonë harmoni sikur bylbyli kur kërkon gushtarin
syri kërkon bashkëngjitjen e shpirtrave për të gjet thesarin
pafundësia e gjithësisë thesarin e harmonizuar e mbolli
në dëlirësinë e ëmbël kureshtja ime syrin tënd çdoherë e zgjodhi

kjo gjithësi bukurin e sajë në peshore për matje e vendoi
bukuria e syve të tua bukurisë së gjithësisë në peshore ja kaloi
kjo peshore edhe zemrën time deshi që ta peshoj
por sytë e tua, zemrën time nga peshorja e rrëzoj.

Ezelij


Kur kupat janë të mbushura plot flori
eja më kap për krahu se nuk mund të rijë
gjithë gënjeshtrat e dynjasë janë për habi
ri or mik, se buzët kot për së koti nuk më janë mpi

dollitë vinë pa ndërprerë që dehja ime të vallëzon
thuprat e rrahin mendjen time dhe për çdo gjë e kërcënojnë
në këtë vapë amshimi i ka trajtat e rënda
ti zhvishu lakuriq në daç të hyjsh brënda

kupambushësit janë të zënë me punë shumë
vera rrjedhë rrëke si i madhi lumë
etja në gjoks më shtohej dhe gjuha shkrumb më bëhet
jeta s’ka kuptim pa Ty edhe pse mëndja më shpërbëhet

flakërimi shtegton në derën e oqeanit pa fund
mendja më është bërë pesëpare dhe nuk më rin askund
fytyra digjet dhe përkundër Dritës që shkëlqen si vetëtimë
eja or mik të dehemi, që dhimbjes ne ti prijmë

këto lëngata janë për ne deri sa të vdesim në këtë dynja
në ezel na është caktuar që ashkun ta çojmë me sevda
shpirtrat njëri me tjetrin që në ezel kanë dëshmuar
Njëshit t’ja falim dashurinë nëse duam të jemi të shpëtuar

kot meskini nuk i këndoj dëshirës së rrejshme që ka zili
dorën e përdrodhi dhe e shtriu për tu bërë një fakir i zi
Amshimi është pasuria që nuk zen vend në këtë botë
lutja ime është vetëm për Ty se nuk dergjëm kot për së kot.

Monday, August 24, 2009

Gylhane


nëpër valë të nxehta rrëkenë e lotëve e mbolla në sy
pështjellime të kristalta nëpër fytyrë i mblodha enkas për ty

ashkun si qemer e ndërtova në harqet e vetullave të tua
buzëqeshjen tënde e bëra themel prej gurëve të alltënit vetëm se të dua

gjithherë ashku më mblidhet në shpirt kur takohemi ne dy
në njësimin e shikimit tim më kaplon dridhja kur i shoh ata dy sy

fshehtësira në mejhanen time nga kupa e verës më del përmbi
dehjen time e zbukuron prania yte vetëm kur e dijë se më ri karshi

në syrin e gajbit unifikimi i lotëve është ibadet që përkul bindjen time
gjymtyrët e njoma të sajë prehën nën flladin e kopshteve me plot meditime

heshtja më zgjohet me vesën e sabahut dhe fshehtësirat mi zbulon
por te ti më ri mendja dhe në çdo frymëmarrje përkujtimi për ty më kaplon

këto gërmadha shkëmbinjsh në shpirt vazhdimisht më shemben mua
gjithçka do të rindërtoj për ty, vetëm shpirtin tim freskoje me sytë e tua

nga kjo verë e ashkut tonë kush nuk din të pinë, zeher i bëhet në shpirt
unë jam hija yte deri në vdekje dhe aksent nuk kisha dashtë me e mbyt

zemra nuk rin bosh pa eliksirin që e pijë deri sa të dehem në pafundësi
gjithçka je për mua dhe mos më mungo se unë prapë do vij tek ti.

tingujt vibrojnë nga largësia dhe vetmin time për çdo natë e ledhatojnë
ti je e padukshmja ime, në ëndërr më vinë dhe me buzët e tua më përshkon

kjo puthitje kaderin e ka që nga ezeli kur neve si krijesa na krijuan
kjo puthje në mua do të sajdiset në konakun e ashkut përgjithmonë

besoj se taxhi si meskin do të freskohet nga flladi i muajit të agjërimit
pa bukë e pa ujë do të shuaj etjen vetëm se ti do të jesh çasti i lehtësimit

shenja e parë e ashkut në momentin e parë të iftarit vihet në ujdi
O Zot mos me len rehat nëse harroj që në çdo moment të dua njësoj

plagët janë nga puthja yte që trazojnë shpirtin tim në momentin e syfyrit
uji i abdesit të sabahut më përkujton Madhërinë Tënde gjatë adhurimit.

Tuesday, July 21, 2009

Shiraze

Moj kaçurrele kur brof ti, mua në dhe më shti
në limanin e qerpikëve të tua më jep verë çdoherë të pi

kupa ime e verës shndritë nga sytë e tua gjithmonë
dehja ime vdes, por ringjallet dhe në syrin tënd jeton

në mejhanen Hyjnore u struka që me sakin të ri
të cakërroj kupën duke qarë kur të shoh përkarshi

në sarajet e sulltanit hizmetqar u bëra për ty
lavdi qoftë mbi ty moj e shkreta ime bukuri

nuk të gjeta askund se ishe mbyllur me bez të zi
fjala imë ishte skalitur në gurin e varrit vetëm për ty

vetullzezë moj marroqe si mexhnun në zandanë më ke shti
në vetullat e tua ëndërroj dhe shpirti në çengele çdoherë më ri

je si zëri i sazes së heshtur që në shpirt më jehon
buzëqeshja yte është vajë për mua që çdoherë më trishton

ëndërrimet e mija fiken kur më shfaqesh ti me ato balluket e tua
çdo kaçurrel e flokëve të tua është nyje që më mbathet në shpirt si patkua

shigjeta nga harku hidhet me shikimin tënd dhe në shpirt më shpon
unë jam gjahu yt i dehur që me kupën e verës të pres si gjithmonë

Lejla ime, a je aty dhe për mua a ekziston në këtë botë
eja tek unë që sinjalet e tua ti shoh njëherë sa më fortë

i shkreti mexhnun, taxhin e meskinit e mban vetëm për ty
mos më harro se një ditë nuk do të më kesh se do të futem në dheun e zi

do të më kërkosh por nuk do të jem më pran shikimit tënd asnjëherë
vetmia do ta përkujton verën që ta dhashë nga buzët e mija ty çdoherë

në varrin tim do të hyj dhe sytë e mija Ty do të shohin gjithmonë
bashkë me Lejlën time Hyjninë me afshin e dehjes do ta madhërojmë

në momentin e mizanit kur do të jemi lakuriq, unë ty do të kërkoj
nga e djathta inshaAllah do të del libri që bashkë në xhenet të jetojmë

Monday, July 20, 2009

Prehje në krahët e virgjërisë

Gjerësinë e fatit e zgjova
në çelësat e njohjes
brendinë e pafund e përjetova.
Çlirimet janë parzma diamanti që
i zhveshim nga qenësia e shpirtit,
bëhu lakuriqë më than
nëse donë të jesh i mbuluar me mbulesë Hyjnore.
Qetësinë e brendësisë e gëlltita me heshtje
shkrirje dhe vetëm shkrirje
me gjuhën e zemrës gjëmoja
shkrirje të qenësisë në zhdukje kërkoja
qoftë shpirti në tretje, për atë që përjetoja
shkrirja të ngërthen vetëm tek Ai
se është i vetmi Shkrirës i shkrirjes me pa ndasi .
Një dukje të padukshme ti çdoherë kërkoje
gjeje atë që duket në padukshmërinë tënde
por mos bredhë pas gjykimeve të çaluar
se shëmtimi fillon atëherë kur mendon se din
dije se dija yte e ka thelbin në mosdijen tënde
dil nga thelbi që të jesh thelbi i thelbit brenda ty
fol, por të lutem shpejto të nemitesh sa më shpejt,
në daç të përjetosh gjendjen e lartë të gjendjes tënde
gjithçka është jashtë teje, se jashtësia yte
është në brendinë tënde mu atëherë
kur brendësia yte e shkrin jashtësinë tënde.
Virgjëria është si një mollë përkarshi
kur kafshohet gjithçka kalon në vjetërsi
buzët kur puthiten s’ka më përjetësi
se atëherë çdo puthje ulë kokën dhe vajton me turpëri.
Në mihrab të gajbit kur të hysh merr abdes virgjërorë
lutu që të puthësh pa puthitje kur të kalosh pran buzëve,
lëngu le të thahet dhe në mend mos të të vijë
se një mijë vjet për mua janë sa një sekondë për ty.
Zemra le të digjet në vajtime për Lejlanë
se ajo ekziston pas veleve të Tij
verbëria ime donë ta puth atë
dhe kur puthja kalon pran buzëve të saja
gjithçka digjet dhe shndërrohet në hi
çdo e tharë është më e mirë sesa e lëngshmja
çdo e pathënë është më e mirë sesa kur thuhet
çdo përjetim zhduket me dhimbje atëherë kur përjetohet.

Tuesday, July 14, 2009

Për ditën e një vere kur më do jem vetëm...

Një ndjenjë, të cilës nuk i jap dot emër, ma ka pushtuar shpirtin, - ndjenjë kjo që nuk pranon analiza, për të cilën mësimet e kohërave të shkuara s'janë të përshtatshme dhe për të cilën druaj sa e ardhmja vetë, nuk do më japë çelës. Për një mendje të formësuar si e imja, kjo konsideratë është një makth. Nuk do ia arrij kurrë, - e di se nuk do ia dal kurrë, -të njoh kënaqshëm natyrën e vërtetë të ndjenjave të mia. Por s' ka gjë për tu habitur që këto ndjenja janë të papërcaktueshme, pasi ato e kanë prejardhjen e tyre në burime krejtësisht të reja. Një shqisë e re, një kut i ri i është shtuar shpirtit tim. (Edgrar Alan Po – fragment nga tregimi “ Dorëshkrim i gjetur në një shishe”)

Me gjuhë të murrme bastardohet si një bimë e njomë diçka që kishe mbetur në ato kopshtet e thata që i imagjinoja përherë. Ndërsa në mesin e rrugës yjet bëheshin si nyje përkarshi odës së shkretë ku në gjyzenti shkopi i pites petëzon gurin duke e grirë me ujë. Nga ky fërkim shndërrohej një avull i murrmë që dilte si lëng nga shkuli i zemrës sime.
Por një paq desha ta krijoj në ambient timin se nuk kërkova më shumë, kjo krijohet vetëm në këtë udhë që përvilet për një kurdisje të kohës kur do të jem vetëm dhe nga shëmbëllimi i dritës do ta shoh NJOHJEN e Ndritur në stadet e kalitura nga uji i Gjallërisë. Kisha dëshirë të përvetësoja një mëvetësi në heshtje dhe një dëshirë të paimagjinueshme kur mendoja kështu. Por për këtë kthjelltësi shpirtërore desha ta gdhendi një fortifikatë të sofistifikuar nën shtresat e shpirtit tim. Aty ku rrjedhin ujëvarat sikur një krehje e flokëve me tallaze, që përkujtojnë nostalgjitë e një fotografie të humbur nën gjithë ato shkëmbinj me gurrën ku gurgullonin ujditë e mbetura gjallë në përkujtime.
Të gjitha shkëmbinjtë do të shkrihen thash, nuk do kenë fuqi më ti mbajnë fjalët e lagura dhe të skalitura që ishin krijuar me mijëra vite, ato fshehtësi më nuk janë të mbajtshme, pesha e tyre ka me mijëra ton përkujtime, dhe rrudha të krijuara bashkë me thinjat e flokëve të mija. Krejt kjo përçohet nga një ndezje e heshtur sikur prushi i një mangalli që shkrep çdo ofshamë timen.
Vapë, presë miqtë të më ngushëllonin për erozionin që kishte kapluar kalanë që shiheshe gjatë gjithë kohës si një trung i tretur në thellësinë e mendimeve. Vendi i saj ishte mu afër kroit të shpirtit tim, kjo kala ishte rrëzuar në ditën e një vere, pas shirave të mëdha. Si duket nuk mundeshe më ti bëjë ballë këtyre vërshimeve, se thonë çdoherë për shiun, dikush gëzohet përshkak ujitjes së fushave të tyre, ndërsa unë pësova humbje më shumë si duket, se kalaja mu rrëzua. Më pikëlloj momenti shumë, jo për murrënajat, por kujtimet që ishin strukur në të.
Kjo punë është njësoj sikur të gjurmosh zërin kur azdisesh për të qenë i heshtur dhe dëgjon kërcëllimën e krimbit që e han dollapin e drunjtë të dhomës. Këtu ka nostalgji të pakthyeshme e të dhimbshme dhe të bëhet sikur dëgjon ofshamën e ndonjë mali plak. Ky gjurmim përkujton një monolog të shkruar në formën pyetëse. Zgjidhje nuk kërkohet pas gjithë asaj që ndodhi, se kjo dhimbje e papërgjigjur këndell si lëmsh të pluhurosur të gjitha mundësit për mospasjen e zgjidhjes. Koincidencë apo parapërcaktim!? Nuk dihej ende, si i hutuar flisja me vetveten, ishte e pamundur të zbulohet ky lloj erozioni për nga natyra e sajë, se ishte shumë e frikshme kjo dyndje që e shembi kalanë time.
Por frikësimi ka botën e jashtme që sheh vetëm me sytë e ballit, ndërsa brendësia ka përkujtimin e hapave të tragëve që shkelin në nyje të ndërlidhura nën kohën që avullohej në atë kala. Ky avull asnjëherë nuk e kishte zakon të del nga dhoma, se çdoherë rrinte aty, më e sigurt ndiheshe në brendi, se sa jashtë. Kjo siguri më qetësonte edhe mua për mallin tim që me mijëra vite e kisha krijuar në këtë kala, avulli kishte aromë të ëmbël, ndash pse humbte pamja e qartë nuk kishte fare dert, por më e pa parashikueshmja ishte ajo që ende shijohej aroma si ëmbëlsi me shije të reçelit prej fikut edhe pse forma ishte zbeh më dhe nuk e kishte atë pamje të qartë.
Kërshëria më trazoi sikur të më thërriste me zërin e sajë nën pluhurin e qilimave në dyshemetë e zbukuruara ku barten tonelata ofshamash dhe tredhje të duhanit kur isha i pushuar me vetminë time, ndërsa gishtat nga duhani gjithmonë ishin të zverdhuar si kashta e djegur në muajin korrik kur korret, e gjithë kjo ishte një fotografi e përmalluar e diçkaje që më nuk ekzistonte. Kjo dëshirë është për ta vakumizuar hapësirën dhe sforcuar në lashtësi të tretur përkujtimin dhe thellësinë në brendinë e kalasë sime. Këto janë shtrëngatat që në vërtetësinë e tyre nuk kanë alternativ për ta kompensuar të humburën. Këto situata dalin nga bunari plak dhe nga shkëndija e kovës çdoherë do të reflektohen rezet e diellit dhe me pandëprerje do të shfaqën imazhe nostalgjike. Edhe pse funksioni thelbësorë ishte i thjesht - të nxjerrët uji për të pirë gjithë Ne. Këto mendime nga fati dhe për nga natyra e vetëhumbjes gjatë kësaj vere në kujtesën time do të jenë të pashlyera shumë e shume për një kohë të gjatë.
Murrnajat u zhdukën nën këtë kala, gjithçka e harruar, çdoherë mendoj tani që fjalës “kala” i vinte turp që të shqiptohet, se e bënte më të shtrënguar klithjen e zërave të harruar dhe nuk dihet a do të rindërtohet më në këtë botë. Ku është guri aty është shpresa, jo si gurë që në midis udhës shutohet nga çdokush, por gur që rrinë dhe pret të përdoret dhe të jetë pjesë e shtresuar e ndonjë forme të re të pamjes që do të mbaj kujtimet e të tjerëve që kalojnë aty pranë. Në daç kalo në daç ri, në çdo shembje ka tentativë për rikthim, pra qoftë e shembur dhimbja e përkujtesës, le të rindërtohet kujtimi prapë, ka kush e mban mbi supe...

Friday, July 3, 2009

lale – i – han


ç’fundosje ka
në të pahumburën e zërit
të përjetshëm
kur pafundësinë e përjetësisë
e dëgjoja
me ashkun e përpëlitur nën gjethet
e xhamisë Blu
në rrënjët e thella
me vija të trasha e me brerimë shiu
bardhësirën e horizontit
e përfundova mu këtu.
kur pendesat janë me mija perde
që gëlltisnin pamjen e tre detrave
e unë, detarë pa busull
i bije thellësive në shpirtin e xhamtë
dhe çdo gjë më ngriu për një çast
por, askush nuk më pyeti
për thyerjen e shpirtit të xhamtë,
në xhaminë Blu,
kur prisja jashtë dritësirën e bardhë
më rrahu nata me natësirën e sajë
e me duar të akullta më përqafoj,
afër greminës një shkabë më rrëmbeu
e në kthetërinë më shndërroj
pse i thonë tradhti përkujtimit të pafund
kur sfilitjen time me cefël dhimbjesh
ma mbuluan në mes shtat kodrave
e me zor mi jepnin dallgët e detit
ti përpij, që të dukem më i ngulfatshëm
në këtë katandisje shporra të kaluarën
të shndërruar në thermi të pijshme
të ujit të turbullt imagjinar,
rropullitë e mija nuk ishin për askënd
hambarët e ashkut ishin mbushur
me fijet e shndritshme Hyjnore
tek unë gjithçka ishte fikë
në shkrepjen e shkretë ku nuk dëgjohej
zëri në humbëtirën e brendësisë sime.
ndër sy vargonjsh të lidhura hukasin
nga avulli që dilte me përvëlime
në zemrën e lëngtë të shpresës sime.
Një tramvaj i skuqur vezullonte
ecjen time në ikje, me një pamje
të harbuar, kafshoja tëmthin
pas shpëlarjes nga therja
e buallit jashtëtokësorë
e ndërngjyrësh
që vinte nga një kometë jeshile.
Truall e dhé, mu bënë ndjenjat e përjargur
e të fosfortë, mbi këtë qiell të hapur
plot neone që flinin nën jastëkun e
ndërduarshëm e të qëndisur nga
rrjeti i pulëbardhave
mbi minaret e sinkronizuara,
vaj, vaj për freskinë hënore
si drapër i ndryshkur bëri çarjen
e mishit nga eshtrat për një çast
të grumbulluar e të mbledhur në një trastë
me zemër i bluaja dhe i mbaja direkët e qiellit
duke turfulluar në rrëzë të mureve të pafund
nën thithjen e një nargjile aromë mollësh
me asfaltin që vlonte nga turbanët prej tulipani
me shallvare e patika All Star vezullonte
çdo pipëtimë që thithte lëngun e aromës
së hedhur në karrocat e mbushura me fruta
e të stërpikura me ujë nga një shishe plastike
të firmës Hâmidiye .
Kalldrëma arnaute thumboi këmbët e kuajve
në pajtonet që shkrepnin mejdanin rrotull
të shaluar nën prehjen e kurtizaneve të huaja.
blertësinë e kafes turke e shijova,
nga xhezvja mu dogjën duart
por mu gris filxhani si letër e copëzuar
me një buzëtretje të gdhendur në gurë
kur pash semazenin që i jepte qiellit.
ku janë copëzat e ndara prej zemrës?
a thua u mbuluan në harrimet e sajuara
mbi brigjet e thara të detit me derte
apo hyrën në skenën e karagjozit të brishtë,
sikur nuk shihja më nga turbullira e ftohtë
edhe fletët e trëndafilave ishin tredhur
nën muzikën pa tingull e të pa ujshëm
në klorofil ishin shndërruar ndjenjat
e pikëzuar nga vaji i përhimët e i pa lot.
nga gaba shiheshin edhe kockat e mija
që treteshin lodhshëm në shpirt
dorën e mëshirës kur e shtriva
ndër cukla u thur, si një damar i mpirë
dridhërimat jeshile gëlltitnin thellësinë në fytyrë
si bukël e murrme zvarritesha në dru
për të parë mejdanin e divan hanit
të shtruar me pllakat e kulluar nën rrëzëllime
dhe çdo gjë më pickoi përjetësisht në ndjenjën time.

(Stamboll, qershor – korrik 2009)

Tuesday, June 23, 2009

hiçmosgjë

në mjegulla të varura
rrjepën hijet e skuqura
çelet dera për tu mbyllur
mes përplasjes dhe hijes së humbur,
duke u gërryer zbutshëm
dhe me një melankoli të beftë
u pikturua ura me hijen e hënës,
makthi më kishte ngri
në një gjumë pa gjurmë
për një ëndërr të paparë
të një skenari të veshur
me petka të zeza nusërie,
brohorisnin varkat e lënë anash
tek aura e zallit që zhuriste
mbi tavë dhe dëbonte kujtimin
me një valëzim të heshtur,
u përplasa me tërheqjet e tua
se ti dije fare mirë me gjilpërë
të ma qepësh rrudhën e petëzuar
mbi fytyrë time, më lajmërove
se pritjet do të jen të qëndisura
në tylet e fustanellës tënde
në ditën kur dhëndri së pari herë
të pret ty në natën e gjerdekut,
por, mos trishto për hiçmosgjë
se asgjë s’ka ndodhur!
vetëm një gjëmëzezë përrallore
e ëndrrës time në gjumin e pa gjurmë.

Monday, June 22, 2009

Dysi

pluhuri në sy është verbërim për diçka tjetër
kthjelltësia në shpirt është kthjelltësi për diçka tjetër
poqëse i pyes të dyja ato do të më përgjigjen:
ne, verbëria dhe kthjelltësia jemi gjëra për dikën Tjetër

zejtini dhe mjalta në këtë dynja nuk janë njësoj
njëra është për petëzim e tjetra për shërim
vaji dhe buzëqeshja në atë botë nuk janë njësoj
njëra është për shtrëngim e tjetra është për shpëtim

asnjëherë nga malli nuk u bë që tët gjej njësoj
për zhdukjen tënde dëshirës time ende i përballoj
por mendja më është shkri në çdo kohë o saki
ndaj ri larg prej meje se ashku im ende nuk është ngri

valëzimi i ashkut ndaj dikujt tjetër mua më pikëlloi
pse mos të isha rehat nga zëri yt kur më kumboi
krejt me këto premtime mi shkatërruan mendimet
kur e dijë që nuk të kam ty, në mua ndizen flakërimet

afshi është si një kuçedër që ashkun tim e përpinë
ti je zë që në maje të hënës buçet kur je e shtrirë
litarët më janë këputur që të ngjitem deri tek ti
o shpirt im, eja me mua dhe vetëm me shpirt më ri

këto rënkime janë trajta që asnjëherë nuk do të duken
zemra dhe shpirti do të dehen për ty që unë më tepër të vuaj
për këtë paralele dynjaja na bëri magji që ne atë ta duam
iki kësaj ligësie se në Keuther etjen do ta shuajmë

në katër anët e botës të kërkoja në rrugëtim
çdo qoshk që shikoja verbohesha për kallëzim
etja kërkoj dëshirën e pashuar që nuk kishte mërimë
se unë isha Mevlanaja e ti ishe Shamsi Tabrizi im

Rrugëto

çfarë fytyre ka kur spërndritet pasqyra nga shikimi
aty kam borxh me fjalët e mija që thuren nga mëtimi

në zemrën e sëmurë lëngë nga tulipani kërkoje ti
me buzë të plagosura ti vetëm rënko dhe pi

ashku i pashuar kërkon kupën nga kopshtet e tua
ferrat i përpija të flakëruara dhe me buzëqeshje i thurja

në brendi ku brenditë janë për Ty të tretura gjithmonë
pishtarët e dijes në zemër zhyten dhe më tej rënkojnë

rrugëtimi i natës madhështinë Tënde do ta shpaloj
por velet tona në sy na bindën se jemi të dobët të gjithë njësoj

aty ku ka verë krijuam tavernat tona me muhabete të pafund
në rrugëtimin e fjalëve tona dëshmuam se s’jemi gjithkund

do të dehemi në zemrat tona me sasi vere aq sa kanë ujë oqeanet,
se me dehjen tonë zemrat në përjetësi do ti marrin flakadanët

dija e dynjasë të arriturën çdoherë në mendje na e përsërit
dija Hyjnore amshimin çdoherë në shpirt na e skalit

Sunday, June 21, 2009

Amshohu

përtej heshtjes në heshtje heshta unë, atje ku ritmi i frymëmarrjes nuk e vëren gjallërinë e gufimit, por vetëm e ndjenë një gjendje të tillë, ky vend gjendet në qetësin absolute përshkak se aty shfaqet dhe përmendet vetëm Ai pa fjalë, kur ka heshtje përtej heshtjes gjithçka në mua më flet pandërprerë, se jam rob i heshtjes që gjithherë gjëmoj dhe mëtoj për anën tjetër dhe tentojnë ti flas heshtjes, kur heshtja hesht - pastaj asaj më tepër i flitet, fola dhe vetëm fola që të heshti gjithmonë në aurat e brendshme të shpirtit, në hapësirat ku treten fjalët në hijesirë dhe copëzat e saj shkapërderdhen në heshtje, rrugëtova në brendësi që të gjej vetveten, mos u vono i thash vetvetes sime për përqafimin e afërsisë sepse largësia më rrinë si hije menjëherë pas meje, zëri i heshtjes pastaj më tha: ribëje të më vonshmen dhe tento që mos të vonohesh për të nesërmen që mbetet nga dje, pastaj më than më të urtit: se perla të fildishta ka në mbretërinë e heshtjes por gjuha e fjalës duhet të jetë e prerë, se ashtu më mirë shkëlqejnë këto perla të fildishta, kur ka heshtje emri Yt si gravurë gdhendet në zemër dhe në përjetësi hesht e gufon si gllënjkë e pashuar, por gjithçka pa fjalë!, se pastaj ka rreziqe të rrëzohen qiejt, hesht njëherë që ta fitosh flakadanin e përjetshëm të heshtjes, kjo përjetësi me pandërprere më flet shumë, por e dija se me heshtje e fitoj çdoherë betejën e përjetësisë, për të heshtur duhet të gërryet me daltë shpirti që ashklat të bëhen si buqetë lulesh në mua dhe nëpër dhëmbët e sajë të mbijetojën të gjitha traget e gdhendjes, që në saje të fjalës të përpunohet mundësia më e spikatur e heshtjes me fjalë, pra kjo është zgjidhja! jo për të heshtur por për të folur në heshtje pa pik fjale, jo ku ka pika, por ku ka ndarje të heshtur tek sa i këmbeje fjalët e tua me heshtjen, ato shqiptohen nga tingujt e heshtjes me buzët e fjalëve dhe bëhen të ngatërruara sikur kërthiza kur ik nga vendi i sajë, jo si në maje por si përreth avitet kjo mundësi e shfaqjes së humbur për ta zgjat fjalën e për ta shtrirë në majën e gjuhës, jo nuk bënë – dakord atëherë thash, por esenca është që të mbijetoj heshtja e shpirtosur në sarkofagët e bisedave që të ngurtësohet përgjithmonë, se lashtësia mundëson që gjuha të zen myshqe për të dëshmuar fjalën e mykur nga heshtja, pra më mirë hesht, se atëherë ke dëshmuar me fjalë heshtjen tënde, jo me vepër, nuk thash ashtu, por me fjalë të heshtura që kërcëllojnë gjithësinë e pafjalë të kozmosëve të qëndisura në zemër dhe në shpirt dhe gjithë këtë për hir të fjalës së pathënë, se kështu është më mirë, amshohu dhe mos e dezoriento vazhdimësinë, se në ringjallje do të kesh mundësi ta shohësh të padukshmen e veprës tënde që kishte një grumbull të heshtjeve me fjalë, a thua vepra me fjalë është më e mirë se sa vepra që bëhet në formë të heshtur?!, nuk dua më tej të vazhdoj se e prishi rehatin e urtësuar edhe të heshtjes, por edhe të fjalës, aty nuk kam drejt të them diçka më tepër, ndonëse përkujtimi më i mirë është në heshtjen e përtejshme të heshtjes pa fjalë, se kur fjalët heshtin dhe heshtjet flasin atëherë gjithçka është e qëndisur në zemër dhe shpirt, se brendësia heshtë dhe jashtësia flet, përshkak se mu atëherë ka folur brendësia me heshtjen e jashtësisë, ky lloj harmonizimi është amshim, aty ku nuk ka pika që të ndërpresësh fjalinë, por vazhdon më tutje dhe më tutje të heshtësh me fjalët e tua, që çdoherë të jesh i thellë në të shqiptuarit dhe në të shkruarit tënd, hesht me fjalë, e fol me heshtje gjithmonë!

Tuesday, June 16, 2009

Çehre-i-stan


nga pamja mu mbyllën sytë dhe u kapërdinë
në kllapinë e shastisur në qark gjithçka do të gdhinë

në mua u shfaq pamja e Tij e pafund në fshehtësi
robërinë e bëra hallall që të jem vetëm zerre në Madhështinë e Tij

hezitimin nuk e pash dhe në ujdi të dynjasë ty të pranova
nga pendimi im çehren e ndryshova dhe ballin tim në tokë e lëshova

gëlltitja e dheut është melhem i krijuar nga maja e mjaltit
nënshtrimi është Hyjnorë atëherë kur mëvetësia e shndritë rastin

dhembshuria është jorgan që mbulon plagën e ditëve të sodit
zverdhimi im është dhënia e parzmores që mbron më të zotit

me Emr të Tij u besatova dhe e mësova emrin e tjetërkujt
hakun e pështjellë e shpalova dhe e nxjerra karshi diellit të Tij

rrugët e vrazhda japin drejtimin në njëqind mijë dyer të hapura
pronësia është si lëkura që qërohet vetëm kur të mendosh se ke...

duart korrin drithërat dhe në ambar të Tij çdo gjë mblidhet
të jesh ti kokrra e grurit është rahmet që askund nuk blihet

në daç të jesh ziliqarë je i humbur dhe mallkoje vetën
se në botën e rahmetit padukshmëria është qëllimi i nijetit

çdo lartësim mbështjellët nga flatrat e melaqeve për ty o insan
shikoje botën si pluhur të fshirë dhe mbjell në shpirt më tepër ihsan

në degë të zymbylave këndon bylbyli për të gjetën nam
në kopshtet e meskinit dija thithet fshehurazi për të dal matanë

mos i mblidh kafazet që të ndërtosh robërinë për ngrënie e pijë
ahireti ta dhuron urinë dhe etjen vetëm që ndaj sajë mos të jesh karshi

kokrra kokrrës i ngjanë në mbjelljen e arës atëherë kur s’ka mëri
fryti është i njëjtë nëse ujitet njësoj për të jetuar çdoherë në bashkësi

lidhja kërkon lidhshmëri për litarin e vetëm që kërkon bashkim
pendimi është tryezë ku çdo gjallesë ofrohet aty që të han ushqim

Hak Xhemali krijojë në të dy botët pranin e shijimit të bukurisë
bukuria nuk zymtohet nëse haku mes neve çdoherë shtohet

të bëhesh kurban në ditë të sodit gjithçka të behet tamam
lumturia ka gardhe plotë me thera, në ndash të fitosh iman

Çehren do ta ringjallë që Fytyrën e Tij çdoherë do ta shikoj
meskini skuqet nga barra e marrë, se deri në vdekje do të afshojë

në çdo afshim këpus nga një tulipan nga kopshti i Rahmetit të Tij
për çdo tretje humbëm në kllapi dhe mëtoj të arrij mekame në dashuri

në çdo mekam më fshihesh ti, e nga ndrojtja më skuqesh përsëri
thekem në mes të zemrës kur afërsia yte më plekset si një gërshet i zi

bebëzat shkëlqejnë si xhevahiri i nxjerr nga xeherorja e syve të tua
çehrja ime në sipërfaqe pret dhe nga shkëlqimi yt zemra më drithërohet

ky drithërim nuk ka vend tjetër të shfaqet përveç se në zemër të më mbin
gjithë fryti është dhuratë Hyjnore që nga dashuria buzët mi mban të mpin

do ti lagi buzët me ujin e abdesit që ndrojtja të më hiqet
në sexhëde do ta puth tokën që dashuria për Dashurin çdoherë të më piqet

Sunday, June 14, 2009

fija e flokëve të luaneshës

si luaneshën në retë e shtrirë të qiellit
të shikoja ty si pikëzim i pikturuar
kur shkriheshe bashkë me vetullat e tua,
lama fshihet nga qerpikët e ndritura
mua shpirti më syrgjynoset
dënueshëm në shkëmbinjtë me thua,
ndërsa prehri yt është i ngrohtë
që zapton zbrazëtin time nën përkundjen
e afërsisë tënde.
ngjyra e lapsit ndër sytë e tua
është si kaligrafia e mureve të Alhambrës
duke i prekur më kaplojnë drithërimat
në ëndrrën time më veç të lashtuar
kumbimi është pjatë e thirrjeve të bubullimës
e zëri yt spikatej si lule e vesuar nën gjëmime
dalëngadalë zbriti dhe u fashit në zemrën time.
flokët e tua kur krehën duken si të harbuar
e unë, në muret e Damaskut i kërkoja për ti shuar
ka kohë që dëshira ime për të qenë afër ty
që moti më kishte lënë dhe harruar
fshehtësia yte është brengë me ufma të pa skajuar
syri yt fanar deti karshi vetmisë sime të shkrumbuar
në pritjen time kohërat janë peng e dëshirave të papërfunduara,
mos ke dilemë se në këto vargje flas vetëm për ty
krejt shpirtrat tjerë janë harresa të shndërruar gjithë në hi
ti je feniks i rripëtirë në amanetin tim që s’ka fund në përjetësi
fundi im është në harresën tënde, se ashtu më erdh kjo porosi

Wednesday, June 10, 2009

JëlldëzHAN

Kupa prej kupës ka dallim në dehje
zemra nga zemra kërkon shërim vetëm prej Teje

në vigjilje të valës u dogja nga një shqetësim me brenga
në puthjen e pragut, prej teje kërkova strehim pa pranga

në klithjen e sazes ëmbëlsinë e hënës me soditje e kërkoja
me ekstraktin e verës sytë e tua gjithmonë me buzët e mija i vërshoja

oj mike, eja me mua në mejhanen time të shkrihemi
të dehemi dhe prej në një dehje në dehjen tjetër të tretemi

me fjalët si hithra taxhin e meskinit dua ta zbukurojmë
nga ëmbëlsia e buzëve të tua shpirtrat tonë le ti ledhatojmë

ashku ndizet në pamjen e syve të mi kur i shikoja flokët e tua
ndër kopshtet me fryte kafshoja mendjen time sikur të isha i hutuar

gjithë këto flutura më japin sëkëlldi kur fluturojnë në kopshtet e tua
ashku është në kllapinë time kur buzët e tua në kopshtin tim puqen me mua

qofsha i mallkuar nëse nga kjo rrugë e ashkut kërkojë shërim
dermani im është vetëm kur pijë verën nga buzët e tua pa trishtim

rruga e sufiut deri tek sytë ë tua është një pafundësi e pathyer për mua
meskini me hejbet e tij është i bindur se do arrijë vetëm te Ty

në shpirt më mban shpresa se ashku i ashkut nuk ma ka zili
se jam një fakir i leckosur që xhevahiret e fshehura i dua vetëm ndër sy

ky lloj xhevahiri është i krijuar nga rrokullisja e lotëve të tua
në qaforen e shpirtit tim do ti mbaj dhe nga shkapërderdhja do ti ruaj

ç’janë këta yje që janë duke fjetur afër buzëve të hënës
në pamjen time verbërinë e shoh si mëshirë e të pathënës

sytë e tua xixëllojnë sikur yjet në qiell kur zbukurohen si qafore
buzëqeshja yte është si hëna pesëmbëdhjetëshe që m’i verbon sytë prore

unë bëhem lakuriq kur sytë e tua me shkëlqesi të zjarrtë më shikojnë
ndër vele mbështillem dhe nga turpi dridhërimat gjithmonë më plogështojnë

gërvishta fytyrën dhe me fustanin e nusërisë tënde e fshija gjakun tim
si dielli mbi kokë mu shfaq malli dhe nga ofshama ime lotët dhe djersët s’kanë mbarim

flijimin e përjetoja vetëm për flokë kaçurrelen siç më ishe ti
nga ashku, plot shtresa dheu u hodhën mbi mua me lopatë, vetëm për ty

kisha dashtë bukurin tënde ta prehja në këtë botë edhe pse më bënë vrer
pafundësia e asaj bote është në mos shijimin e lakmisë së buzëve me verë

po verën e kam qejf kur e pijë nga buzët e tua që shkëlqejnë si drita
në vetmin time ashkun e përjetoja pasiqë të pathënën në maje të kupës e arrita

në heshtje gjithçka thuhet dhe asgjë në këtë botë më nuk është fshehtësi
e unë taxhin e meskinit me sytë e tua do ta zbukuroj dhe në shpirt me heshtje do ta përpijë

Tuesday, June 9, 2009

tre

unë ecja ti ecje ai ec unë shkoja ti shkoje ai shkonte rrugën e kaloja unë rrugën e kaloje ti rrugën e kalonte ai në ecjen time e pash ecjen tënde në ecjen tënde e pash ecjen e tij ndërsa në ecjen e tij ishte një ecje për mua dhe për ty kur frymoja unë ti fillove të frymosh kur frymoje ti ai mezi priste të frymon disi më erdh për të qeshur e ti qeshje me qeshjen tënde ndërsa ai qeshte me qeshjen tonë më kaploj një pikëllim dhe fillova të qaja me dënesje ti shikoje dhe sikur të përgatitej për të qarë ndërsa ai qeshte me të qarit tonë desha të iki në shtëpinë e zbrazët pa penxhere e atje të pashë ty ti më pe mua ndërsa ai na pa neve desha të dal dhe fillova të eci ti nuk ecje ndërsa ai qëndronte duke ecur mendova ta kaloj rrugën ti fillove të më kalosh mua ndërsa ai qëndronte në mes të xhadesë në humbjen time pash se do të më humbësh ti ndërsa ai më kishte gjetur mua kur bredhoja para gjetjes ti më kërkoje mua ndërsa ai na kërkonte neve dyve kur të kërkoja unë ti bredhoje pas meje ndërsa ai të gjeti ty sa humbës i madh i thash vetvetes e ti doje të më bindësh se nuk jam humbës ndërsa dëshira e atij ishte shumë e thellë që unë të jem një humbës më i madh gjithë këtë zbrazëti në këtë hapësirë e pash unë në këtë zbrazëti të hapësirës më ndjeve ti ndërsa ai ishte në hapësirën e zbrazur dhe ishte kujdestarë i pandashëm ndaj neve në shpirt nën rrathët e mija më erëmonte lëvizja yte ndërsa ti lëvizej edhe pa rrathë e ai rrathët i shndërroj në trekëndësh dola jashtë se nuk mundesha më dhe shkova në rrugën e quajtur “rruga e mëhallës së epërme” në numrin 2 të derës dhe hyra aty ti dole nga ajo derë ndërsa ai e kishte shkruar numrin 2 po në atë derë sikur të kisha mundur që mos të hyja në atë derë sikur të kishe mundur që mos të dilej ti nga ajo derë me siguri ai numrin 2 nuk do ta kishte shënuar në atë derë kohën e kapa me dorë ajo fërfëllonte duke të dhënë sinjale ty ndërsa ai e kapi kohën para fërfëllimës me sinjalet e tua se këtë kështjellë në shpirt e kisha ndrequr unë ti kishe ndrequr një kështjellë tënde enkas për vetën tënde ndërsa ai kishte ndrequr gjithë lagjen nga lodhja një djersë mu rrokullis në ballë ti fshive ballin tim e ai ndezi zjarrin për tu djersitur ende më tepër desha të më kaploj një fllad dhe unë kisha një liqe timin ku prehja ti më ofrove mua një det të kripur për lundrim ndërsa anija e tij i rrotullonte të gjitha oqeanet shkova të kërkoj hije nën do kopshte dhe thash kjo mollë është e imja ti e kafshove dhe ma more nga dora ndërsa ai ishte pronari i kopshtit dëgjova një zë dhe pash se ishte kënga e bilbilit në degët e drurit tim por ata dru sikur qanin thash vet me vete ç’është kjo këngë e trishtuar e ti këndoje këngën e bilbilit në drurin tënd ndërsa ai kishte trumcakun për dëbimin e bylbylave dhe këngës në të gjitha drunjtë e kopshtit ndaj unë nuk isha i habitur ti më vetëm sa fillove të habitesh ndërsa ai e dinte këtë habi tonën pse unë isha i habitur kur e dija një gjë të tillë ti si mundeshe të fillosh të habitesh kur habia ishte e qartë se të kishte kapluar ndërsa ai të gjitha këto plane i kishte të shënuar në papiruset e tij të vjetra të shkruar në një gjuhë arkaike unë të doja ti nuk dije se a më doje ndërsa ai na kishte dashur para se ne ta shfaqim dashurinë tonë gjithë kjo nuk ishte dashuri as ti nuk e kishe ndje ashtu këtë ndenj dashurie ndërsa ai aspak nuk e dinte se për çfarë bëhej fjalë por vetëm ndjente diçka të pakuptueshme në këtë rreth pashë një ashk ti shihej se e ndjen atë ashkë ndërsa ai ishte më tepër ashik se sa unë dhe ti
a thua unë isha ti e ti ishe ai ndërsa ai isha unë!!!

Monday, June 1, 2009

VaktName për Lejlën time


për çdo sëmurje ilaç kërkova
por për ashkun time derman nuk përjetova

vetmia ime zemrës litarë i propozoj
që një ditë të varet dhe nën degën e ashkut të jetoj

jam i shkretë këtë që moti e kam ndje në shpirt
ashku im çdoherë bylbylat në degë i ka mbytë

hija është pjesë e gurit në varin tim që do ta gdhend
atë që e dua shumë e presë ndër tulipanë të gjej vend

kur ka njëshe përse kërkon dysi
se dysia është e shkrirë një njësh për Hir të tij

margaritarët janë pjese të fildishta nga dhëmbët e elefantit
hëna skuqet nga turpi kur e sheh qaforen të përbërë nga sytë e zi

tek unë portrete nuk ka të vënduara në muret e ëndrrave të mija
portret i vetëm je ti në galerinë time të shfaqur për hir të Fytyrës së Tij

haram në ashkë nuk ka për respektin që kemi ndaj Ashkut të Tij
përqafimet janë retë ku lotojnë çdoherë tek ne në brendi

nëse gjithçka është perënduar tek unë prapë do të ringjallët ashku për ty
malli i dashurisë është ashk që tretej sikur një margaritarë i zi

Gëzimi im është ashku që kupën e verës e ka në afërsi
zemra ime nuk përvëlohet se në shpirt të mban gjithmonë ty

çfarë të bëjë që ashku nuk më len rahat ndaj teje
si verbëria ime që kishte perde në sy
dhe me këmishën e Jusufit aroma yte erdhi afër meje

çdo përvëlim e ka çmimin e sajë në këtë botë
koha ime smatet se ashku ndaj teje kohën e ka shkri

njomësin tënde unë e mbaj ndër kraharorë
dhe druri le të jetë semazen në lidhjen tonë qiellorë

ashku kërkon fluturime dhe rrotullime mbi qiejt që të ketë pranë
rrënjët bëjnë lutje që drita e Diellit si frutë të të ritë tamam

çdo gjemb është pjesë e gjakut tim që rënkon
në vdekjen time sofra e ashkut më jep etje dhe më rigjallëron

vuajta ime nuk është asgjë fare për një copëz dashuri
dhimbja ndaj ashkut është përvëlim në vargje për mua si faqezi

gajbi është bota ku ëndrra struket pa përgjigje
ëndrrën time në mes të ditës, ahireti vetëm e shpjegon

Zoti i Madh ashkun nuk e lenë ta pabashkuar
se ashku është përgjigjja e vetme e botës së pakuptuar

Jeta është përplot ashk të pathënë
e panjohura i ka buzët e vetmuara në ndalesat e thënë

pasqyrat nga shkëlqimi thyhen prej Nurit të Tij
qoftë ashku reflektim i Bukurisë Tënde në Pakufi

ashku zjarrin e mban si flakadanë për të Gjallin Gjithmonë
një prush në shpirt mbaj për ty zemër, që syri yt të më bëhet pronë

Nuri shndritë gjithmonë në terrin e shpirtit tim
Nuri i Tij shndritë ashkun edhe nëse shndërrohet në hi

Do të pres tek Lumi i Keutherit që aty së bashku të rijmë
e unë nga buzët e tua e ti nga buzët e mija ujin do pa pimë

nga sëmundja ime gjak nga shpirti jam ka pështyj
si një mexhnun që ëndërron ta ketë Lejlën çdoherë pran tij.

Zinxhirë


lutjet e tua me sheqerka i përzija
me buzë i lëpija dhe me gjuhëz i përpija

zemra zemrën e ka në vete hiç pa e kërkuar
se bylbylat japin shpirt hiç pa kënduar

qëllimet e mija janë për margaritarin tim
shpirti më ndryshket se nuk të kam ende në përqafim

malli e vapa si diell më rijnë mbi kokën time
shpirti yt le të vjen dhe hije të më bëje përgjithmonë

dehja ime asnjëherë nuk do të ketë kufi
për syzezën që në shpirt më rin si një mbretëri

shiu i përditshëm më këndon në penxheren time
loti në shpirt me saze më fërfëllon nën përkujtime

era e flladi ma përkëdheli nga larg princeshën duke e marrë me vete
e unë të kërkova si Sulejmani Belkizën që në shpirt timin të më tretej

në ëndrrën time flatrat e tua trupin tënd e lëshuan
zbukurimi me dhimbje kërkoi lotin tim të pa sajuar

i thash: dua të mbes ashtu siç jam, sikur lutja yte që më kërkoi
në vetmin time të paskajshme ëndrra ime dhimbje më shkaktoi

Mexhnuni pa Lejlën nuk ka drejtë të frymojë
çdo hap i tij është ashk për atë çka ai përjetoji

kush thith fllade Hyjnore nga pranvera e shpirtit në brendi
tek unë nxehtësia flakëron si uji i vluar kur është në vetmi

se flladi yt është dhimbje për mua në kandarin e kësaj bote
dhimbja ime është flladi yt në kandarin e asaj bote.

Krejt ky gjëmim i imi është dëshirë që duhet revokuar
nga persekutimi i të panjohurës gjithçka ishte ndaluar

Ndalesat janë diamante të gërryera nga shpirti yt që gropohen
të lejuarat tek unë janë fusha mejdanesh për pushkatime
sikur njerëzit aty kur grumbullohen.

Friday, May 29, 2009

Tejmatanë

Nën puhizën e mëngjesit
ishte skuqur pamja mbi dheun e lagur,
sytë e tua ishin porcelan i kaligrafuar
dhe aty shkruhej vetëm emri yt
nën shkrirjen e buzëtretjes së copëzuar,
zemra paqësohej bashkë me muzgun e vetmuar
me valët e valëzuar nën aromën e flladit të anijes
që lundronte në oqeanin që s’kishte brigje askund,
në mbamendjen time lemza klithte si më parë
aty ku fanitej etja si jehonë e tingujve të largët
mu atëherë kur mollëzat e skuqura ishin pran meje,
malli i pashuar është çdoherë mysafirë në zemrën time
se me kazma më hapnin shpirtin e gërryer nën themele
atje ku gjallëron ashku im i pashuar.
Zhaurima më thërret me zë të brendshëm
ku shkulma ime çrrënjosë gjithë tokën e shkretë
flakërimi që dilte në kërkimin e diellit të humbur
dylli i lëvozhgës së drurit të ahut mbronte të gjallë
kujtesën nën kraharorin e qepur që bërtiste
duke kërkuar dertin në oqeanin pa brigje.
Çdo ikje është një përgjigje për mua
e çdo afrim është një pyetje për mua
kjo e beftë shkrihet si tëlyeni taze
me qëndisjen e sixhadesë në formë vargmalesh
bashkë me vjegëzën e varur mbi djersën time
te kroi i zanave i mbështetur në shelqen e harruar
ku buron gjithmonë e panjohura prej tejmatanë.

Monday, May 25, 2009

Rekuiem i bardhë

(“seven pounds” & “Ibn Arabi”)

Njësoj
ishte
kur nën vela të zi
zbardhohet hëna
si topthi i ndërsyer
me buzë të nivelizuar,
bashkë
me afërsinë e largët
në dhembshurinë e ëmbël
si dëshira kur pajtohet
për puplat
e hedhura nën jastëkun
e ëndrrës.
Telat që rrethonin
varrezat kishin marrë
hijeshinë tënde
dhe kjo bukuri
kishte hy në tabutin tim
që të prehej me mua
aty bashkë të njësohemi
se jeta na kishte prij
si amalgame të shkrirë
në laborator të fshehtë.
Me fytyrë të hapur
reflektohej prania
e shkrirjes
dhe në këtë laborator
ndahet xhevahiri prej unzës.
Gjithçka ndahet dhe ngjitet,
dita në terr
nata në dritë,
kur flenë lidhshmëria
në nyje të ngurta
ndërpritet lëngu
si e balsamuar në kohë.
E shfaqur në sipërfaqe
e fshehur në fshehtësi
mes të diturit dhe dijes
mes të jetuarit dhe jetës
mes vdekjes dhe pavdekësisë
aty ku kalitet dallimi.
Të fshehurën e njohim
me fshehtësinë tonë
të dukshmen e njohim
me dukshmërinë tonë.
mbi shtat mëkatet
për një meduzë
në syrin e oqeanit
transplantoja zemrën
që buzëqeshja yte të jetë gjallë
dhe me lot të përkujtohesh
kur i ndaja mushkrit me ty
në natën që më nuk isha
desha të kem fëmijë me ty
por akulli më ngriu
në surprizën që ta dhuroja
si një varkë e shpërndarë
dhe në trupa tjerë kisha hy
kur mi shihje sytë e mi
në sytë e tjetër kujt
loti yt më përqafoj
dhe arriti tek unë në brendi
kur i shihja unë sytë e tua
më nuk shihja sy tjerë
ata sy që janë krijuar
nga Krijuesi,
në shpirt,
në zemër,
dhe në mendjen time
i vulosa vetëm për ty

Tuesday, May 19, 2009

Në brendi

dhimbje që nuk të pashë, dhimbje që nuk të lash
ashk që nuk tradhtohet më ishte Nuri,
se përvëlimi im është më i përvëluar se vajguri
loti ishte mbjellë në rrënjët e shpirtit tënd
e unë, isha shkrirë nga etja kur shihja vetveten tek ty
në brendi.
Brendia ishte larg meje, por u kullua aty për aty
e unë isha afër teje dhe u kullova me lot të zjarrta
në brendi.
Kush më mban gjithë kohën në zemër
se desha të avitem afër zemrës tek ty
dhe në praninë tënde deri në vdekje çdoherë të rrijë,
në xhenet afër Keutherit të më prehet shikimi
nga uji i pavdekshëm buzët e tua me buzët e mija të pinë
dhe ashku i pafund pa vele neve gjithherë të na prinë
urtësia e pafundësisë e krijoi ashkun të jetë mrekulli
për mua shpëtimi, heshtjen e shikimit e ka mbretëri
në shpirtin tim gravurë prej alltëni shkronja yte ishte shkruar
dhe në heshtje që nga Ezeli kishte hy.
Sa duhet të qajë për të dëshmuar se ashk të kam
verbëria s’ka guxim të thotë se ashku im është huti
po të isha i hutuar, vetes time do t’ja falja që tani
por dehja më bën që ashku çdoherë të më lind përsëri tek ty

Thursday, May 14, 2009

Gjeostrategji me harta për të humbur

me një zë mahnitës zhegoj fërfëllima
mes ndarjes ka zhabaritje të lotëve
ninulla kur këndohet afër arkës së vjetër
përkundet lloçi i mbledhur nga shiu i vjetshëm
me mësallën e lëshuar në prehër zbardhë kujtimin
nga hëna e prerë si copë djathi për ta gëlltitur
në valixhe të madhe për ta mbërthyer shikimin
që me autobusin e parë të bënë për ikur
shenjat në rrugë i ke të mbyllura me patentë
dhe bukuria e ikjes të është ngjitur si kanoçe
atje ku mirësia është e shtrirë në gjysmëdritën
e hijeve, në ishullin ku s’ka emër deshe të arrish
ku syzat ta shpalojnë turpin e trupit në shitje
bashkë me mantelin tënde lakuriq të hedhin jashtë
në qoshkun e lagjes me dritën gjysmë të thyer,
negociatat strategjike ti udhëheqësh
në cirkun ku trajnohen palaçot fillestarë
që të qeshurit të jetë më groteskë para
fytyrave të njoma të shikuesve me përvojë,
atje ku presin serenadat të këndohen në dritare
që prostitutat të imponohet si gra me kurorë,
masive janë edhe hijet që të këndellin
me bishtin e syrit ti shikosh edhe në ëndërr
e i qullosur të ngrihesh nga zhgjëndrra e përcjelljes
pare kërkuan për të blerë mjerimin në shtëpinë publike
në kallaballëkun e kërkimit shitja yte nuk bënë para
se pamja e fytyrës tënde ka zbritje si çmim me toptan
të kërkuan në një bazë ushtarake, atje ku pemishtet
ishin kallur me benzinë se ishin si viruse vdekjeprurëse
për të qëndruar si rojtarë i varrezave të harruara
në gjithë atë tym impozant ti ishe hero i teatrit
që në çdo përvjetorë organizoheshe ku eveniment
për ditën e çlirimit nga armiku i imagjinuar
dhe unë ecja me hartat për të humbur në ikje
aty ku vendin dot nuk e gjeta më
edhe pse të gjithë më bindin se aty ishte!

Sunday, May 10, 2009

Mirazh



Dritë e bardhë e tretur në ngjyrë alltëni të zbehur, e në shkumën e kuqe hedhen gurët jeshile, sikur në një qelq të lëmuar në kohën e copëzuar, si farë e mbjellë hidhet ëndrra nga dritarja e vetme e dhomës sime duke u përzier me zhgjëndrrën e argjendtë, ndërsa fjalët brofën dhe u përpëliten në verandën e shtëpisë time posa të zgjuar nga gjumi, frika u thye si amfora e lashtë nga dridhja që lëkundej nën rrënjët e shpirtit Tokë. Shtrihesha në kanapenë dhe përkujtoja aromën e dheut të lagur, kjo memorie nuhatëse më përkujton kur aq qejf kisha të ha nga dheu i murit prej balte por kjo ndenj u humb nën sëpatën e kohës më, por kur e përkujtoj çdoherë këtë moment mua më qahet.
Dola jashtë dhe i mora tekstet e mija dhe i mbështjella me pëlhura të gjata sepse në damarët e mi krijoheshin toptha të ngjizura gjaku, dhe pengonin qarkullimin e lehtë të aromës së zbarkuar në lumenjtë që rridhnin në shpirtin tim. Në rrugë pash një gazetë të hedhur dhe një fotografi në brendi të gazetës që shkelej nga kalimtarët, ishte fotografi e një djali të vogël dhe pash se si nga jargët e kërmijve që zvarriteshin mbi atë fotografi, ishin përjargur flokët e fëmijës dhe si çadra të ngrira, ishin ngritur si përmendore në atë rrugë të qulltë që kaloja unë.
Tërë ditën e shikova atë kërmill dhe aq shumë isha dhënë pas tij, saqë isha fiksuar dhe doja ta kapja për kërthize e ta mbuloj me fletat e shkelura të gazetës.
Por pas këtij rasti hedha një shikim dhe në sy më mbuluan do basma tyli që reflektonin dritë të kredhur mbi shikimet e qytetit të fundosur nën grilat e trasha prej çeliku të cilët ishin inskenuar nga prodhuesit e magnatëve të mëdhenj të hekurit e të prodhuesve tjerë të llojllojshëm, e që duan ta ngjeshin dhe ta asfaltojnë qiellin.
Por kënaqësia prapë kthehej në reflektimin e dritave të përhimët në dhomën time në fshatin tim (ashtu disi mu kujtua me mall) u zgjuan do hije në mure dhe ishin vizatuar do rrathë që krijonin një kolorit si lluna-park, e unë si fëmijë gëzohesha nga lëvizjet e tyre, në këtë imazh krijova butësi sikur të puthja ylberin e ndritur nën kupën e kashtës së mbërthyer mirë në hajatin e shtëpisë së vjetër në fshat, atje ku kafshimi i diellit është ledhatim, atje ku heshtja të mbush me ajër në gjoks, sikur të një shkëmbi që me mijëra vite jeton mbi prehrin e tokës, ndërsa lloçi përreth zbukuron buzët me mjaltë dhe të bëhet ilaç shërues për të hesht gjithmonë bashkë me heshtjen që ta ofron kjo pafundësi. I mbështjellë në shpirt nga aroma e luleve u dalldisa në ngjyrat që nga çdo përrua përreth ishin kurdisur dhe hedhshin vallen e palodhur që ua ka dhënë Bukuria Hyjnore. Shihja do pamje sikur nga një bardak i xhamtë që derdhnin lot dhe sikur të donin të pajtoheshin për të qarë nga gëzimi i skuqur, mbi horizontin e hedhur krejt në blu e kjo përthyerje nuk përshkruhet, por vetëm përjetohet. Dendësia shtreson ajrin e zbarkuar mbi mjegullat që dalëngadalë fillojnë për ti dhënë nuanca nusërie fshatit që zbukurohej për në dasmën ku gjithmonë ka hare e këndime Hyjnore, ndërsa si nuse më e zbukuruar dukej hëna ime me velin e sajë që i mbush me lot qerpikët e saja, nga dëshira e përhershme kur e sheh këtë pamje të përmalluar, saqë dashuria e sajë shprehet vetëm kur e sheh këtë bukuri, ndërsa përjetimi im më i këndshëm është ndenja ime për të qen dhëndër i saj çdoherë...
Më pastaj kjo ndenj të shfaqë dëshirën për të qen gjithmonë në këtë harmoni me bukurin që të nënshtrohet me lloj-lloj ngjyrash si mozaikë dhe të bënë të dashurohesh gjithmonë, dije se je i besatuar që asnjëherë nuk mundesh të tradhtosh, po edhe nëse donë nuk ka gjasa, monogamia është kader i vetëm në këtë dashuri dhe për çdo ditë të duket e freskët vesa e sabahut kur e dëgjon ezanin duke thirr, e ku mundesh të tradhtosh tregomëni mua?!!...
Aty duken çezmat sikur të jenë qiellore, sidomos çezma tek varret e fshatit, ajo është më e bukura e gdhendur me një gurë të lashtë dhe gjithmonë i pret njerëzit për dhembshuri dhe për mall përkujtimi, ata të cilët do të jenë të vendosur aty përgjithmonë dhe do prehen nën gurgullimën e sajë, por njëkohësisht edhe për ata që i përkujtojnë të shtrirët në lëndinën që kanë karshi pyet me pamjen më të bukur. Ehhh bukuri është edhe vdekja në këto male, bukuri është prehja nën hijen drunjëve që do të shoqërojnë deri në Ditën e Llogarisë.
Do të jetoj pranë këtij fshati që hedh trupin çdoherë për mikpritje dhe për tu vendosur për çdoherë nën prehrin e hajatit, shkëmbit, luleve në përrua, mjegullës, diellit, hënës, lëndinës dhe varrezave të mija. Amanet e kam këtë unë, por edhe ju që e lexoni këtë tekst!
Kjo revoltë ka një madhështi, e ajo është vetëm se dëshirë për izolim dhe ikje nga magnatët e qytetit që thithin dhe japin me qira ajrin që ne ta konsumojmë me faturë të dyfishtë plus për çdo ditë kamata e sajë ritet me përqindje të shumëfishuar.

Friday, May 8, 2009

Oh, sa dehje Ashku kam



më zgjo dhe shkulma shpirtin në dalldi
dhe futem në gotë që të jem çdoherë nën robërinë i Tij

me tingujt e lotëve ndreqa kurorë që të jem si lumi në liri
në shtratin e shtat kat qiejve të shtrihem në ashkun Tënd përsëri

të më fërfëllinë nuhatja në aromat e pafundme të Bukurisë Tënde
dhe të jem i ndezur me zjarr në harresat e mendjes si fitil i fikur

dua ta shoh Bukurinë Tënde në velat që s’kanë kufi
në universet që të përkulen, se e dijë që një dit ato do të bëhen hi

ma shpjermëni gotën që xixëllon Ndritje në perëndim të muzgut
e unë, në momentin e vesimit verën e pijë që në sexhde më mbushet

në Nurin e Vuxhudit, në Palëvizjen e Lëvizjes të shoh Ty
mertebet janë mekame për të të Lartësuar vetëm Ty

përpjekja është mjegull që soditjen deshi në verbim të ma hedh mua
ti je i Çiltër dhe çdo vepër që buron nga e Fshehta Yte ka Pastërti

Huu-në Ty ta dedikoj në çdo frymëmarrje që ma shkrep mundësinë
ndaj Fshehtësinë Tënde qorrat e shohin dynjanë e tyre vetëm nën dry

me sytë e zemrës hapet rruga e siratit si shtrirje pa skaj
dhe vepra yte do të ledhatohet pasiqë atë Ditë do të dorëzohet

ku je, më pyetën, unë ju thash: se isha strukur në velët e Tij
dhe me Dritën e Zemrës shpërlahem duke i puth rrezet me sy

çdo insan duhet të ketë ihsan për të dhuruar nga thellësia e tij
që të dëshmohet rehatia dhe asnjëherë ashku të mos ndërpritet

në çdo vështirësi ka lehtësi kur ajo vjen prej Mëshiruesit
se nënshtrimi ka flatra në lartësi, për krijesën e quajtur njeri

gjithçka më frikëson në këtë dynja që e kanë trajtën e turbullirës
nuk mundem ta përpijë një sevap që e ka maskën prej hedhurinës

kur shpirti kërkon leje nga trupi për të dalë me iznin e Tij
shikimi shkrihet dhe në tufë të tulipanit dorëzohet dhe bëhet hi.

e vërteta është kupë e mbushur me zjarrin e kllapisë në dehje
në diellin e përvëluar nga vala e ujit të nxehtë vrullohet boshti nën perde

Ti je Boshti i Gjithëdijshëm, që mendja jonë përvëlohet nga mosnjohja
në zemrat shqetësuara kur të thyhen idhujt atëherë bëhet shtrati me roza

Ashku i shkrirë në shtresa ka trajtën e mbikëqyrjes së zemrës
ashku nuk është thurje që shkrihet ngjyra e sajë vetëm në letër

gjeje shpëtimin në shkrirjen e vëtësisë tënde dhe bëhu sihariqtar
nëse donë që shpërblimi në veprën tënde çdoherë të jetë udhëtarë

në ujë të turbulluar as fluturat për kënaqësi nuk kanë vend
bëhu i pastër që fluturimet e çdo gjallese tek ti të bëjnë kuvend

vendi i veprës tënde të reflektohet në mihrab si rrjedhje ujëvarash
në sexhde, bën që duart dhe gjunjët të jenë çdoherë të mpimë

të gjithë më bojkotuan e më harruan përveç të Madhit Zot
në boshllëkun e hapësirës prapë me vetmin time ndihem plot

në ndrydhjet në shpirt dermani është kërkuar edhe në vendet e lashta
unë si udhëtarë e pash vetveten time nga zemra yte vetëm përjashta

të lutëm në shtresat e zemrës tënde më streho në një qoshk të vetmuar
që dielli ta ngrohë dhe vetmia ime asnjëherë mos të jetë e persekutuar

ashku yt, është dielli që me rrezet e saj më verboi përgjithmonë
në verbërinë time prej ashkut asgjë jashtë meje më nuk shoh

mos u frikëso nga ashku që dalldinë e shfaqi për sytë e tua
nëse të grabis dije se kjo grabitje është haram për mua

sytë e tua janë penxhere e shpirtit që si lumë në oqeane derdhen
unë jam i mbytur në notimin tim dhe për ty çdoherë do të dehem

kjo na ishte hiqaja e gotës time të përvëluar me dehje e lot
lumturia është dhimbje e buzëqeshur kur vjen nga kaderi i të Madhit Zot

O Shamsi im mos e lenë të ngratë taxhin si meskin i vetmuar
në dehjen e tij ashku bëhet i qetë vetëm në shikimin e syve të tua

Tuesday, May 5, 2009

Plasaritje


Je pasqyra e brendshme
ku veten time e shoh aty pranë
dhe reflektohesh njëjtë gjithmonë
në gjithçka e njëjtë
në kujtesë
në ëndërr
në heshtje
je vetëm Një,
si ndenj në parandjenjë
kur ekzaltimi lartësohet në zuhd
si dëshirë e lirë, pa anësi të paskajshme
në dorë e dorëzuar
pa mbajtje e lëshuar
si petale e rrëzuar
në gji e mbështjellë
me amanet të përkujtuar
me dhëmballë e kafshuar
në pritjen e persekutuar
me hapin e paecur
në lëngë të gllënjkës
me pipëtimë e thënë
si hardhi e mbrojtur
në kalaveshin e rrushit
i shtrydhur për dehje
vile më ishe bërë,
në pritjen e natës së ndritur
kur karroca thyhet në mes të rrugës
pamjet shkoqiten në memorie të humbur
për pritjen e pashuar,
lëngatën ta dhashë unë
e dergjja më mbeti mua
si parafolës me llafe të shkyçura
në pazarin e rrobave të lashta
në qoshk ishe zbukuruar
ndërsa rrobat i veshja unë,
por prapë lakuriq mbeta
pastërtia e virgjër nga rrobat
të mbeti vetëm ty.
në rubinë të ishte vesh mendja yte
e unë në qark hedhja valle me zjarr
e të ftohtin shpalosja në akullnajën e syve të tu
në ujë të paprekur lëvizin valët e përkëdheljes
si rrymë joshëse flatrat e tua më topitën mua,
e thënë në paanë, në fytyrë që s’ka fytyrë
në hapësirë pavend që zen vend çdokënd
në ujërat që shndërrohen në valë zjarri
me buzët e mija çdoherë i përpijë
Mikun në mejhane të ngrohtë e pritja
dhëmbët më ishin ngri dhe në vetmi
hedhja kupën bashkë me sakinë,
trupi yt në shtat të trëndafilit ishte krijuar
pamja e etur ishte tharë dhe turpi e kishte përshkuar
thellësi, thellohu si shigjetë në shpirtin e tretur
me fjalët e mprehta kaloj në pafjalësi shkronjat e tua
shkrihu në ashkun që s’ka anësi dhe dorëzohu njëherë
se unë kërkoja falje që kam ashk vetëm për ty.

Saturday, May 2, 2009

Iris Effect


Iris Effect
(kushtuar filmit "The Iris Effect")

Në ujë të qelqtë mbolla lule
e në pikturë të kuqërremtë të vizatova,
me syrin e qepur në çdo gjeth
shihja muzën e ngatërruar në ngjyrë
në orën që nuk punonte pa akrepa
pash natën me terrin e sajë të arnuar,
me nënën e lotuar ndër sy
shihja halucinacionet nën ujin e avulluar
grepi ishte kujtesa bashkë me dhimbjen
ndër gjahun e gënjyer me pezëm në dashuri
nënën e futur nën heshtjen e pikturave
mesazhe zemre nga direket e ftohta prisje
e unë, në kështjellë isha mbyllur me dry
dhe skizofren isha bërë për ty
lulen e kisha vetëm unë në brendi,
se të tjerët ma vodhën që në fillim
shpirtin e sajuar në brendi nuk e humbja
o nënë e dashur të kam vetëm ty.
Të desha se më kërkoje në harresën time
unë isha mjegulla, e loti dilte për mua
si shiu që buronte nga ti,
në dritën e ëndrrës tënde të mbushur me ujë
muzën time të paharruar, përkujtimin ta dhuroi,
sinjalin e nemitur nga vdekjet e lindura kërkoje
në qytetin e qelqtë të veshur me ëndërr.

Tuesday, April 28, 2009

Kalb-Name


në zemër i shpërlarë me njollë dritësie
në zemër i ndezur për një fije shkrepëse dëlirësie
në zemër ku oqeanet janë të pakta për notim
në zemër ky thyerjet janë ngjitje pa aktrim
në zemër zemra rrinë në stufën e ngrohtë
në zemër ku damarët janë me gjak plot
në zemër edhe zjarri është më i ftohtë
në zemër shtrëngimi kërkohet si nata
në zemër edhe dita i ka flokët e gjata
në zemër edhe buzët thahen nga lëngu i pastruar
në zemër edhe etja çdoherë me ty është mësuar
në zemër rrinë dielli edhe pa rrezet e saja të fikura
në zemër del edhe hëna nga perdet e saja të grisura
në zemër shteren burimet kur gurgullojnë
në zemër pinë vetmia, aty ku bylbylat shtegtojnë
në zemër kodrinat shndërrohen në fusha
në zemër edhe gjembat gëlltiten nga gusha
në zemër edhe pishtarët ndizen nga sytë e blerta
në zemër çdo gjë shpon qoftë edhe më e zbehta
në zemër buzët shpërlahen te kroi i shpatit
në zemër nuk hyn çdokush nëse nuk e ka të fatit
në zemër edhe tymi i pluhurosur kthjellet përsëri
në zemër nuk hyn çdokush se nuk është kjo punë rastësi
në zemër padrejtësitë janë këshilla që gëlltiten
në zemër largimet janë shkundje që përsëriten
në zemër ka dhimbje ku gjaku të pihet si pambuku
në zemër flokët e krehura janë të shtrira nga balluku
në zemër dyert e dynjasë e lëvizin fjalën e thënë
në zemër edhe sevapi është heshtje e pathënë
në zemër ngjyra është shkrim për vetvete
në zemër është vendi i kurdisur pa vesvese
në zemër besimi është vula si zogu kur rrinë në gushtarë
në zemër edhe vepra bënë klloçka si fara e mbjellë në arë
në zemër zëri i dritës e ka derën e çelë për hyrje
në zemër lutja si xhevahir të zbukurohet si hyrie
në zemër gropën nga gjaku me ngjyrë trëndafili të ma groponi
në zemër të jetë varri ku me librat e mija mua të më varrosni

Monday, April 27, 2009

Unë jam pluhur në Mbretërinë Tënde


unë nuk jam mbikëqyrësi i syve të tua
unë jam thithësi i hijeve të qepallave tua
unë nuk të dashuroj pse duhet dashuruar
unë të dua pse askush nuk të donë si të dua unë
unë nuk pijë në tavernat e qoshqeve të humbura
unë dehem dhe bije në kllapi gjatë shikimeve tua
unë në lirin e ekzistencës robërinë e kam shijuar
unë nuk ekzistoj fare pa dehjen time të papeshuar
unë në zërin tënd të butë shkrihem si maja e dëborës
unë edhe më tutje tretem si rrënja e lules së shebojës
unë nuk kam askënd siç të kam ty o shikim i degëzuar
unë jam një top pluhuri ndaj dashurisë së papërjetuar
unë kur të puth lagështin e pështymës çdoherë e mbaj pranë
unë në sixhade përkujtimin e pështjell dhe për ty do të lus
unë jam fakiri i etur dhe lypsarë për ty çdoherë do të mbes
unë nuk dua që të shfaqi madhërinë tënde në shkronja të mëdha
unë e dua Prezencën Tënde si gjaku që vlon në damar të shpërndarë
unë nuk jam unë, nëse nuk je Ti, ndërsa Ti je Ti edhe nëse nuk jam unë.

Thursday, April 23, 2009

Relativiteti

(kushtuar piktorit M. C. ESCHER)

breg i brengosur
e i llafosur me fjalë
i shtrënguar në bel
e i shtrembëruar në qafë,
sfidë e torturuar
përciptazi e shprehur
në njëmendje të shtrirë,
puhizë e pluhurosur
në shkëmbinj e mbjellë
nga kalamajtë prej guri
me fytyrën time prej betoni,
rrapëllimë pa fjalë
me kokëçarje të harruar
në dimension të shkurtuar,
numra të renditura
me shkronja të gëlltitura
në hijen e mesit të ditës
pingul i vërsulur pas dritës
aty ku gjithmonë fiken llambat,
shtatore e shtangur
në përvjetorin e nisjes
me shkrepës të ndezur
si i krisur shikoja zjarrin,
tretje e zhurmshme
me heshtje të përzier
gëlltisja pambuk për të folur,
në katin e sipër hipja poshtë
e nga kati i poshtëm zbrisja lartë,
i rrëzuar nga kështjella
si zogë me flatra të peshkut
në dërrasa të çara
tragëzova ujin e përshkëllirë,
nga shiriti fytyra u krijua
në lundrimin e kuajve
mbi qepallat e mjellmave
në një anije fluturash
mbi lulet ku qëndronin peshqit,
duke zbrit shkallëve bleta
luan shah bashkë me thneglën,
me rruzull të xhamit në sy
shikoja librin e arnuar
në kolltukun e shfletuar,
në turmën e bretkosave
krekosin krokodilët si zhapinj,
me zhuzhuritjen e natës
në livadhin e kështjellës së fryrë
avulli dilte nga hunda
nga pickimi i diellit,
e unë si i shtangur
shihja pikturat e tua.

Maurits Cornelis Escher (1898-1972)





































Wednesday, April 22, 2009

Dasmë

Kur kam mërdhitje në mes gishtave, më mpihet zemra
Kandari i syve si sondë në shpirt më thellohet
Aty ku bashkë e vrasim fundin e rrezeve të diellit
Me shkrepje lëvizim gishtin tregues nga shikimi
Nëpër male ndezim zjarrin për ti ringjall gjethet
Bashkë me fyellin duke ndjellë barishten e lagur
Në vetmin e veshur para mëngjeseve të zgjuara
Me pikëllimin e zbukuruar në mua si nuse e pamartuar,
Se të thash: për ashkun tënd do të mbes i vejë gjithmonë.

Erërat përuronin flladin me një puthitje të lehtë
Duke mbet pështyma nëpër drunjtë e zhveshura
Ndër çallgitë që këndonin këngën time të dashur
Shihja dhimbjen time të mbuluar nën duvakun tënd
Dhe më brente si zile në shpirt ankthi i cunguar
Se aftësitë ma athtësonin çdoherë shijen time.

Ti shkove të këndosh diku tjetër këngën tënde
Dhe të keqpërdorësh lotin në teatrin e improvizuar
Dole nga ana tjetër e pasqyrës për të më kërkuar
E unë i thyer në copëza pritja hijen tënde të pa shijuar.

Në xhamin e lagur nuk mundesha të të shoh në ikjen tënde
Si frerët e kuajve shtrihesha mbi flokët e tua i tëri në pezëm
E me livandë limoni zbutja fytyrën time nga brisku i buzëve të tua.

Me mortjen time erdha në dasmën tënde i tëri i zbuluar
Se në teneshirë duvaku yt ishte qefin i imi për të më mbuluar
Krushqit më mbanin deri tek varri im, të gjithë të pikëlluar
E unë buzëqeshja kah qielli im i lagur për barrën e shuar
Dhe këndoja lutjen time për sytë e tua që më kishin harruar.