Monday, May 25, 2009

Rekuiem i bardhë

(“seven pounds” & “Ibn Arabi”)

Njësoj
ishte
kur nën vela të zi
zbardhohet hëna
si topthi i ndërsyer
me buzë të nivelizuar,
bashkë
me afërsinë e largët
në dhembshurinë e ëmbël
si dëshira kur pajtohet
për puplat
e hedhura nën jastëkun
e ëndrrës.
Telat që rrethonin
varrezat kishin marrë
hijeshinë tënde
dhe kjo bukuri
kishte hy në tabutin tim
që të prehej me mua
aty bashkë të njësohemi
se jeta na kishte prij
si amalgame të shkrirë
në laborator të fshehtë.
Me fytyrë të hapur
reflektohej prania
e shkrirjes
dhe në këtë laborator
ndahet xhevahiri prej unzës.
Gjithçka ndahet dhe ngjitet,
dita në terr
nata në dritë,
kur flenë lidhshmëria
në nyje të ngurta
ndërpritet lëngu
si e balsamuar në kohë.
E shfaqur në sipërfaqe
e fshehur në fshehtësi
mes të diturit dhe dijes
mes të jetuarit dhe jetës
mes vdekjes dhe pavdekësisë
aty ku kalitet dallimi.
Të fshehurën e njohim
me fshehtësinë tonë
të dukshmen e njohim
me dukshmërinë tonë.
mbi shtat mëkatet
për një meduzë
në syrin e oqeanit
transplantoja zemrën
që buzëqeshja yte të jetë gjallë
dhe me lot të përkujtohesh
kur i ndaja mushkrit me ty
në natën që më nuk isha
desha të kem fëmijë me ty
por akulli më ngriu
në surprizën që ta dhuroja
si një varkë e shpërndarë
dhe në trupa tjerë kisha hy
kur mi shihje sytë e mi
në sytë e tjetër kujt
loti yt më përqafoj
dhe arriti tek unë në brendi
kur i shihja unë sytë e tua
më nuk shihja sy tjerë
ata sy që janë krijuar
nga Krijuesi,
në shpirt,
në zemër,
dhe në mendjen time
i vulosa vetëm për ty

No comments:

Post a Comment