Thursday, April 23, 2009

Relativiteti

(kushtuar piktorit M. C. ESCHER)

breg i brengosur
e i llafosur me fjalë
i shtrënguar në bel
e i shtrembëruar në qafë,
sfidë e torturuar
përciptazi e shprehur
në njëmendje të shtrirë,
puhizë e pluhurosur
në shkëmbinj e mbjellë
nga kalamajtë prej guri
me fytyrën time prej betoni,
rrapëllimë pa fjalë
me kokëçarje të harruar
në dimension të shkurtuar,
numra të renditura
me shkronja të gëlltitura
në hijen e mesit të ditës
pingul i vërsulur pas dritës
aty ku gjithmonë fiken llambat,
shtatore e shtangur
në përvjetorin e nisjes
me shkrepës të ndezur
si i krisur shikoja zjarrin,
tretje e zhurmshme
me heshtje të përzier
gëlltisja pambuk për të folur,
në katin e sipër hipja poshtë
e nga kati i poshtëm zbrisja lartë,
i rrëzuar nga kështjella
si zogë me flatra të peshkut
në dërrasa të çara
tragëzova ujin e përshkëllirë,
nga shiriti fytyra u krijua
në lundrimin e kuajve
mbi qepallat e mjellmave
në një anije fluturash
mbi lulet ku qëndronin peshqit,
duke zbrit shkallëve bleta
luan shah bashkë me thneglën,
me rruzull të xhamit në sy
shikoja librin e arnuar
në kolltukun e shfletuar,
në turmën e bretkosave
krekosin krokodilët si zhapinj,
me zhuzhuritjen e natës
në livadhin e kështjellës së fryrë
avulli dilte nga hunda
nga pickimi i diellit,
e unë si i shtangur
shihja pikturat e tua.

No comments:

Post a Comment