
Me një këmishë të rrudhur isha veshur dhe mendova që të shkoj shkallëve lart ku gjendesha në një moment me i ngulfatur, atje lartë ishte momenti i gjunjëzimit tim, i rrudhjes time, dhe më në fund në heshtje vendosa për kapitullim, nuk shkonte më, asnjë shkas dhe faktorë nuk ishte në anën time, këtë ditë e kam pritur sikur të ishte ditë për pritje të njerëzve për ngushëllime të një morti që të detyron vetëm të heshtësh dhe të shikosh njerëzit në fytyrë, por nuk e kam paramenduar bash ashtu saktësisht se si do të ndodhë dhe si do të rrjedh, por gjithçka nënkuptohet atëherë kur kapitullimin e përjeton në shpirt, se dhimbja është e trefishtë, është si një mangall, poqëse nuk e shuan pastaj tërë natën nga dyoksidi i karbonit në mëngjes mundesh të jesh i vdekur, pra, ky kapitullim është i pahetueshëm, e në fund e sheh vetën të vdekur, a në fakt qëllimi ka qen që të flesh!
E mbërtheva me një kopsë gjuhën time, thash se më çdo qepje në shpirt nuk do ta pranoj, do të shqyhem krejt dhe cullak në shpirt do të mbes, se mbulojën time ma humbën dhe nuk ma huazoi askush, asnjë fjalë bile nuk u munduan që anija ime të mos kapitulloj, i cullakaftë ishte edhe kati ku hipa shkallëve, shiheshe dyshemeja që lëvizte dhe kërcëllonte nga trishtimi i hapave që bredhja unë deri në cakun e kapitullimit. Mendimet u mblodhën grumbull sikur të ishin në një kuzhinë të papastër dhe priteshe që dikush ti lanë, por jo më thash në vetvete , nuk ishte SJAJI me fotografin e femrës që i kishte duart e palosura nën fytyrën e sajë, e që ishte prodhuar në fabrikën e OHISIT, as ajo nuk mundeshe më të ndihmonte. Krejt kjo papastërti është si një ringishpil që rrotulloheshe në kokën time e unë nga jashtë i pafuqishëm shihja se si sillej, dhe ata që kishin hipur në te, piskamat i shfaqnin nga grykat e tyre, dhe nuk u a varin veshin përjetimeve të tyre se dikush ata i sheh me shumë mall pamundësie.
Krejt ky sinkronizim është si një shirit i prishur i aparatit për fotografim, ashtu ishte duke u prishur dhe djegur trupi im në një moment sikur drita kur futet në dhomën speciale të filmimit, por qëllimi nuk ishte shkatërrimi i fotografive, por qëllimi ishte në memorizimin e pjesës së tërësishme që malli i përkujtimit të mbetet çdoherë.
Pamja e jashtme, a është si reflektim i fytyrës së brendshme apo është e pavarur nga gjithë ajo që ndodhë jashtë? I shastisur mbeta, prapë unë, nga buzëqeshja ironike që e ithtonte situatën sikur të ishte një uthull speciale që stërpikte gjellën e parapërgatitur.
Prapë shkallët kërcëllonin, por tani këto shkallë ishin ndrequr në shpirtin tim dhe i jepnin shtypje të madhe trurit që si e si të vendos për nënshkrim të kapitullimit, krejt këto shkallë ishin në pallatin e errët që kukuvajkat e mbushnin orkestrën e përmbushjes së vendimit. Kjo simfoni e kishte skenën e shkapërderdhur dikush ishte në qoshqe, dikush në skenë dikush në lozhë, por të gjithë prisnin të shfaqet kjo shfaqje e errët nën dirigjentin kryesor të pallatit. Pjesa e parë që shfaqej quhej “ra ky mo(r)t e u pamë”, këto ishin partiturat e para nën operën e quajtur “Rekuiemi im”. Krejt këto zëra shprehën një klithje triumfaliste e mua më lanë në fund me troshkat nga hajet, pijet dhe dëfrimet e tyre. Ky mediokritet u bë opium që më kishte kapërdirë mua në këtë kapitullim, ndërsa në arenën shumëngjyrëshe u bëra i famshëm kur i haja copat e lëna të bukës që i kishin hedhur ata.
Edhe pse me shul të derës ma kishin mbyllur gjuhën dhe më ishte bërë si nyje e vjetër sikur të kishte qindra vjet, nga barishtja e madhe ishte mbuluar si një varr i vjetër nën një pemishte të tharë. Po aty, dukeshe në lashtësi shtresat e përjetimeve që ishin shtresuar në të gjitha rrudhjet e jetës dhe përjetimet e saja, dhe si një hije gjysmë e dukshme jetonte dhe preheshe si strajcë e ngjeshur përkujtimi im, e unë isha stepur dhe nuk mundja të flisja më, nga shtrirja isha bërë dru i mpimë dhe krejt pjesët e trupit më dhimbshin. Mëkoja dhe prisja ushqimin nga sofra e shtruar në lamën e shtëpisë së vjetër, atje ku ushqeja gjithë ëndrrën time në të kaluarën përrallore, e jo në lëmshin e së ardhmes.
Edhe njëherë kërkoj që kapitullimi im të jetë i ëmbël, sikur që dua të gjitha tullat e kullave të vjetra të më binin në kokë dhe të jenë shkas i një kthjelltësie të përjetshme për mua, dhe në përjetësi të përfitoj hologramet e fotografive të mija që në çdo kohë dhe hapësirë të më shfaqen çdoherë.
Por dilemat absolute janë kategori dinamike që trajtesat e tyre ngërthejnë aktualitete, poashtu në këtë hapësirë dhe në këtë kohë ku gjendëm unë ndjehem si trajtëformues i shkrirë në përthyerjen se vallë, a duhet të kem zgjidhje apo jo!? Nga toka thithim vetëm shqetësime të përdredhura si tërkuza të nëpërkëmbura.
Ndërsa zgjidhjet çdoherë burojnë nga hyjnorja, e nga qielli i bukur e i pafund siç është forca e pafundme e të Pafundmit, dijeni se mbështetja është fenomeni dhe kredoja kulmore e zgjidhjes, ndërsa qetësia është çdoherë një qershi e vënduar në maje të tortës.
Më duket se shume shkurt i rashë elaborimit të zgjidhjes! Por besoj se nuk duhet më tepër, se në çdo tepricë teprica e tepron çdoherë!
No comments:
Post a Comment