Friday, September 18, 2009

Kâmil Han

Çdo frymëmarrje është një Hu ku gjithçka gjallërohet
mangësia jonë me Ty pajtohet dhe në shpirt çdoherë kërkohet

Përsosshmëri i thuhet, kur mangësia jonë e dëshmon kuptimin
shenjat e Tua shfaqen tek ne për ta ndihmuar durimin

në saffin e mbi saffëve liria me një përkulje të denjë çlirohet
Haku i të Lartit Nur në shpirt lëshon lastarë dhe degëzohet

ne jemi njëshi për hir të Njëshit, që tretemi vetëm në Njësh,
shkrihu dhe qëndro në Njësh, se aty flakërohen faltoret

me engjëj në Bejtul Ma’mur, qiellin e bart falënderimi
në tokë është Hu-ja, një ilaç që e shëron pezmatimin

tre çelësa të arit kaliten për ta hapur derën Hyjnore
Hak, Haj dhe Hu janë i vetmi përdorim i thurjes prore

çdo kandil fsheh dritën që gjëmon në shpirt
çdo velë shpaloset kur gjuha për Ty pëshpërit

sekreti fshihet aty ku puqen dy detrat në thellësi
e Ti, si një shpatë e zbukuruar me filigran, në shpirt më ke hy

këto ngjyra e zbukurojnë detin nën puhizën e buzëqeshjeve të Tua
çdo puthje është një shkrirje që thurë dashurin ashtu siç unë dua

si mund ta dua vetveten nëse nuk e hapi dashurin që të dua Ty
dashuria ka një shije të pafund, se gjithherë shijohet në brendi

ekzaltimet janë mundësia e afrimit që deri në qiej të afrohemi
përjetimet na e helmojnë shpirtin me dashuri, kur në Ty përkujtohemi



09.09.09, Stamboll

No comments:

Post a Comment