Friday, July 3, 2009

lale – i – han


ç’fundosje ka
në të pahumburën e zërit
të përjetshëm
kur pafundësinë e përjetësisë
e dëgjoja
me ashkun e përpëlitur nën gjethet
e xhamisë Blu
në rrënjët e thella
me vija të trasha e me brerimë shiu
bardhësirën e horizontit
e përfundova mu këtu.
kur pendesat janë me mija perde
që gëlltisnin pamjen e tre detrave
e unë, detarë pa busull
i bije thellësive në shpirtin e xhamtë
dhe çdo gjë më ngriu për një çast
por, askush nuk më pyeti
për thyerjen e shpirtit të xhamtë,
në xhaminë Blu,
kur prisja jashtë dritësirën e bardhë
më rrahu nata me natësirën e sajë
e me duar të akullta më përqafoj,
afër greminës një shkabë më rrëmbeu
e në kthetërinë më shndërroj
pse i thonë tradhti përkujtimit të pafund
kur sfilitjen time me cefël dhimbjesh
ma mbuluan në mes shtat kodrave
e me zor mi jepnin dallgët e detit
ti përpij, që të dukem më i ngulfatshëm
në këtë katandisje shporra të kaluarën
të shndërruar në thermi të pijshme
të ujit të turbullt imagjinar,
rropullitë e mija nuk ishin për askënd
hambarët e ashkut ishin mbushur
me fijet e shndritshme Hyjnore
tek unë gjithçka ishte fikë
në shkrepjen e shkretë ku nuk dëgjohej
zëri në humbëtirën e brendësisë sime.
ndër sy vargonjsh të lidhura hukasin
nga avulli që dilte me përvëlime
në zemrën e lëngtë të shpresës sime.
Një tramvaj i skuqur vezullonte
ecjen time në ikje, me një pamje
të harbuar, kafshoja tëmthin
pas shpëlarjes nga therja
e buallit jashtëtokësorë
e ndërngjyrësh
që vinte nga një kometë jeshile.
Truall e dhé, mu bënë ndjenjat e përjargur
e të fosfortë, mbi këtë qiell të hapur
plot neone që flinin nën jastëkun e
ndërduarshëm e të qëndisur nga
rrjeti i pulëbardhave
mbi minaret e sinkronizuara,
vaj, vaj për freskinë hënore
si drapër i ndryshkur bëri çarjen
e mishit nga eshtrat për një çast
të grumbulluar e të mbledhur në një trastë
me zemër i bluaja dhe i mbaja direkët e qiellit
duke turfulluar në rrëzë të mureve të pafund
nën thithjen e një nargjile aromë mollësh
me asfaltin që vlonte nga turbanët prej tulipani
me shallvare e patika All Star vezullonte
çdo pipëtimë që thithte lëngun e aromës
së hedhur në karrocat e mbushura me fruta
e të stërpikura me ujë nga një shishe plastike
të firmës Hâmidiye .
Kalldrëma arnaute thumboi këmbët e kuajve
në pajtonet që shkrepnin mejdanin rrotull
të shaluar nën prehjen e kurtizaneve të huaja.
blertësinë e kafes turke e shijova,
nga xhezvja mu dogjën duart
por mu gris filxhani si letër e copëzuar
me një buzëtretje të gdhendur në gurë
kur pash semazenin që i jepte qiellit.
ku janë copëzat e ndara prej zemrës?
a thua u mbuluan në harrimet e sajuara
mbi brigjet e thara të detit me derte
apo hyrën në skenën e karagjozit të brishtë,
sikur nuk shihja më nga turbullira e ftohtë
edhe fletët e trëndafilave ishin tredhur
nën muzikën pa tingull e të pa ujshëm
në klorofil ishin shndërruar ndjenjat
e pikëzuar nga vaji i përhimët e i pa lot.
nga gaba shiheshin edhe kockat e mija
që treteshin lodhshëm në shpirt
dorën e mëshirës kur e shtriva
ndër cukla u thur, si një damar i mpirë
dridhërimat jeshile gëlltitnin thellësinë në fytyrë
si bukël e murrme zvarritesha në dru
për të parë mejdanin e divan hanit
të shtruar me pllakat e kulluar nën rrëzëllime
dhe çdo gjë më pickoi përjetësisht në ndjenjën time.

(Stamboll, qershor – korrik 2009)

No comments:

Post a Comment