Tuesday, July 14, 2009

Për ditën e një vere kur më do jem vetëm...

Një ndjenjë, të cilës nuk i jap dot emër, ma ka pushtuar shpirtin, - ndjenjë kjo që nuk pranon analiza, për të cilën mësimet e kohërave të shkuara s'janë të përshtatshme dhe për të cilën druaj sa e ardhmja vetë, nuk do më japë çelës. Për një mendje të formësuar si e imja, kjo konsideratë është një makth. Nuk do ia arrij kurrë, - e di se nuk do ia dal kurrë, -të njoh kënaqshëm natyrën e vërtetë të ndjenjave të mia. Por s' ka gjë për tu habitur që këto ndjenja janë të papërcaktueshme, pasi ato e kanë prejardhjen e tyre në burime krejtësisht të reja. Një shqisë e re, një kut i ri i është shtuar shpirtit tim. (Edgrar Alan Po – fragment nga tregimi “ Dorëshkrim i gjetur në një shishe”)

Me gjuhë të murrme bastardohet si një bimë e njomë diçka që kishe mbetur në ato kopshtet e thata që i imagjinoja përherë. Ndërsa në mesin e rrugës yjet bëheshin si nyje përkarshi odës së shkretë ku në gjyzenti shkopi i pites petëzon gurin duke e grirë me ujë. Nga ky fërkim shndërrohej një avull i murrmë që dilte si lëng nga shkuli i zemrës sime.
Por një paq desha ta krijoj në ambient timin se nuk kërkova më shumë, kjo krijohet vetëm në këtë udhë që përvilet për një kurdisje të kohës kur do të jem vetëm dhe nga shëmbëllimi i dritës do ta shoh NJOHJEN e Ndritur në stadet e kalitura nga uji i Gjallërisë. Kisha dëshirë të përvetësoja një mëvetësi në heshtje dhe një dëshirë të paimagjinueshme kur mendoja kështu. Por për këtë kthjelltësi shpirtërore desha ta gdhendi një fortifikatë të sofistifikuar nën shtresat e shpirtit tim. Aty ku rrjedhin ujëvarat sikur një krehje e flokëve me tallaze, që përkujtojnë nostalgjitë e një fotografie të humbur nën gjithë ato shkëmbinj me gurrën ku gurgullonin ujditë e mbetura gjallë në përkujtime.
Të gjitha shkëmbinjtë do të shkrihen thash, nuk do kenë fuqi më ti mbajnë fjalët e lagura dhe të skalitura që ishin krijuar me mijëra vite, ato fshehtësi më nuk janë të mbajtshme, pesha e tyre ka me mijëra ton përkujtime, dhe rrudha të krijuara bashkë me thinjat e flokëve të mija. Krejt kjo përçohet nga një ndezje e heshtur sikur prushi i një mangalli që shkrep çdo ofshamë timen.
Vapë, presë miqtë të më ngushëllonin për erozionin që kishte kapluar kalanë që shiheshe gjatë gjithë kohës si një trung i tretur në thellësinë e mendimeve. Vendi i saj ishte mu afër kroit të shpirtit tim, kjo kala ishte rrëzuar në ditën e një vere, pas shirave të mëdha. Si duket nuk mundeshe më ti bëjë ballë këtyre vërshimeve, se thonë çdoherë për shiun, dikush gëzohet përshkak ujitjes së fushave të tyre, ndërsa unë pësova humbje më shumë si duket, se kalaja mu rrëzua. Më pikëlloj momenti shumë, jo për murrënajat, por kujtimet që ishin strukur në të.
Kjo punë është njësoj sikur të gjurmosh zërin kur azdisesh për të qenë i heshtur dhe dëgjon kërcëllimën e krimbit që e han dollapin e drunjtë të dhomës. Këtu ka nostalgji të pakthyeshme e të dhimbshme dhe të bëhet sikur dëgjon ofshamën e ndonjë mali plak. Ky gjurmim përkujton një monolog të shkruar në formën pyetëse. Zgjidhje nuk kërkohet pas gjithë asaj që ndodhi, se kjo dhimbje e papërgjigjur këndell si lëmsh të pluhurosur të gjitha mundësit për mospasjen e zgjidhjes. Koincidencë apo parapërcaktim!? Nuk dihej ende, si i hutuar flisja me vetveten, ishte e pamundur të zbulohet ky lloj erozioni për nga natyra e sajë, se ishte shumë e frikshme kjo dyndje që e shembi kalanë time.
Por frikësimi ka botën e jashtme që sheh vetëm me sytë e ballit, ndërsa brendësia ka përkujtimin e hapave të tragëve që shkelin në nyje të ndërlidhura nën kohën që avullohej në atë kala. Ky avull asnjëherë nuk e kishte zakon të del nga dhoma, se çdoherë rrinte aty, më e sigurt ndiheshe në brendi, se sa jashtë. Kjo siguri më qetësonte edhe mua për mallin tim që me mijëra vite e kisha krijuar në këtë kala, avulli kishte aromë të ëmbël, ndash pse humbte pamja e qartë nuk kishte fare dert, por më e pa parashikueshmja ishte ajo që ende shijohej aroma si ëmbëlsi me shije të reçelit prej fikut edhe pse forma ishte zbeh më dhe nuk e kishte atë pamje të qartë.
Kërshëria më trazoi sikur të më thërriste me zërin e sajë nën pluhurin e qilimave në dyshemetë e zbukuruara ku barten tonelata ofshamash dhe tredhje të duhanit kur isha i pushuar me vetminë time, ndërsa gishtat nga duhani gjithmonë ishin të zverdhuar si kashta e djegur në muajin korrik kur korret, e gjithë kjo ishte një fotografi e përmalluar e diçkaje që më nuk ekzistonte. Kjo dëshirë është për ta vakumizuar hapësirën dhe sforcuar në lashtësi të tretur përkujtimin dhe thellësinë në brendinë e kalasë sime. Këto janë shtrëngatat që në vërtetësinë e tyre nuk kanë alternativ për ta kompensuar të humburën. Këto situata dalin nga bunari plak dhe nga shkëndija e kovës çdoherë do të reflektohen rezet e diellit dhe me pandëprerje do të shfaqën imazhe nostalgjike. Edhe pse funksioni thelbësorë ishte i thjesht - të nxjerrët uji për të pirë gjithë Ne. Këto mendime nga fati dhe për nga natyra e vetëhumbjes gjatë kësaj vere në kujtesën time do të jenë të pashlyera shumë e shume për një kohë të gjatë.
Murrnajat u zhdukën nën këtë kala, gjithçka e harruar, çdoherë mendoj tani që fjalës “kala” i vinte turp që të shqiptohet, se e bënte më të shtrënguar klithjen e zërave të harruar dhe nuk dihet a do të rindërtohet më në këtë botë. Ku është guri aty është shpresa, jo si gurë që në midis udhës shutohet nga çdokush, por gur që rrinë dhe pret të përdoret dhe të jetë pjesë e shtresuar e ndonjë forme të re të pamjes që do të mbaj kujtimet e të tjerëve që kalojnë aty pranë. Në daç kalo në daç ri, në çdo shembje ka tentativë për rikthim, pra qoftë e shembur dhimbja e përkujtesës, le të rindërtohet kujtimi prapë, ka kush e mban mbi supe...

No comments:

Post a Comment