Monday, November 7, 2011

Entropi nga maja që varroset dalëngadalë

fotografin e varur në pasqyrë që e pash
m’u bë sikur më ranë gjithë perdet e zeza mbi mua
m’u duk sikur të gjitha oqeanet të më mbulonin
nuk mundesha të marr frymë, mbeta pa ajër.. fillova
të ngulfatem,
e çfarë ti them harresës kur më ngulfat!
takova një njeri, ishte një njeri që i frynte erës, sadopak i llahtarshëm
dhe bënte flluska mbi kokëdhimbjet që ja kishte therur kjo natë - këtë njeri e njoftova,
nejse thash, s’ka dert, edhe valët e ujit që vibrojnë bëjnë të përkujtosh
momentin e vrarë mbi pendët e gjakosura të ujërave të ftohta afër brigjeve
dhe thash: aq sa kam dhimbje aq jam i lumtur – i thosha njeriut
që e njoftova - ai me një shikim të virgjër me buzagaz e me cigare të ndezur
e me jargë përreth buzëve, vetëm më shikonte, por dinte se çfarë doja ti them!
jo se më kuptonte po thjesht ishte një mendim që lehtë lexohej, po ndoshta edhe
më kuptonte - donë të ma vjedhësh ndjenjën! po, më tha, jam koleksionist i momenteve,
basene me akull të mbushur me lëngë qershie, të veshura me plagë të
marra nga dielli, janë plagët e etërve tanë që hiperbolizojnë rastësinë, gjendjebrendi të
sofistikuar ku rrallë shihet aftësia për të lundruar gjetkë në rrafshnalta e pyje abstrakte
me grithe e vaje tejkanosëse.... vazhdoi të më thotë:
më tej pash një grumbull kanjonesh në fytyrë, me reliev të pyllëzuar që trazohen
enkas nga mendimet e mprehta sikur të ishin shkëmbinj të lëshuar nga hëna....
desha të ik, më rastisi mundësia, ti dal përball kësaj paranoje, por në një moment
më duket se pallton që e vesha ishte shumë e ftohët... në krahët e stofit
në vend që të kishte astarë kishte çafka që krakaritnin mundimshëm....
mbetën momentet e djeshme për të ardhur nga e nesërmja, perdet
mbulonin plafonin e turpshëm, atlasi shkëlqente e bymehej si gaforre lumenjsh
mbi pallton time eskimeze të cilën e vesha para se të futem në basenet me akull,
aty më pritnin ngjalat e ujërave të ëmbla, edhe dera hapej nga uji i mbyllur
të ngjitur me një teneqe të mbërthyer që unë e zvarritja kur isha tre vjeçar,
e nënëgjyshja dalëngadalë më përkundej në djepin e gjumit që ende më vazhdon...
nënëgjyshja vuante nga krahu, çdoherë e kishe të mpirë, nuk mundeshe asnjë
punë të bënë, por me krahun tjetër vazhdon ende të më përkund në djep...
si duket gjumi i ngjanë vdekjes, më mungon shume, po, po, ky moment më mungon shumë,
nënëgjyshja ime me krahun e palëvizshëm, ende më merr në gjumin e serishëm e të pakthyer!

Sunday, October 2, 2011

çast

një fillim pas mbarimit
në fillimin e një faqe të librit
larg ç’bërjes metafizike
mahnitëse dukeshe kjo vapë e shkrepur
mbi molëzat që hanë trurin e vluar,
nga cirku i paqruajtësve nuk u shuan
storjet e ndara e të shpërndara
mbi kulmin e streseve të gërvishtura
që nuk bënë gjë tjetër jashtë ligjit mediokër,
në skenën që ne fotografuam kallaballëkun
ndamë gjithçka që ishte në sheshin e luleve
po edhe hënën e përlyer me miell
që kur të bësh pogaçe, ta kafshosh për herë të fundit,
uria më trazoi që të ndezë e të përthith cigaren
që nga nata kur desha të të lë, jo ty, por cigaren
i furishëm ishte sarkazmi kur të kërkova
në gjitha qoshet e trotuareve plot labirinte
fill ti bëjë masazh natës që flinte bashkë me mua
e desha ti vë një kapelë që mos ta lagë shiu,
që e gjeti vetëm, nëpër strehët e paprekura,
por as nga shiu e as nga njeriu se humbi virgjërinë
por më sa duket të kujtohet një dëshirë,
të mbash larg peshën që ke, ashtu më tha
pas një puthje të zakonshme që ndoshta nuk e desha
ja prapë jemi bashkë, të ulur mbi mjegullat e këtij qyteti
ku kërcëllojnë drunjtë të shpërlarë nga gjithkush
të harruara pranë veprave të pabëra, si çdokush
një gjë nuk e harruam, po na përkujtove
të shtrydhësh çarçafët nga kjo vjeshtë e trazuar
mbi ufma që ende na ndjekin përsëafërmi...
ja kjo shija optike të bënë të vësh vëthin në veshin e kohës
e të presësh i mbështetur në murin e lagur nga vetmia
e t’ja vësh zjarrin me benzinë buzëqeshjes sarkastike
këta neone që bëjnë dritë, mund të shohësh vetëmohimin
të prekur nga malaria vdekjeprurëse...
prapë trazuam fletën në fillimin e librit
diku më prekëse ishte çasti metafizikë
në dritëhijet që nuk më përkisnin mua, as në ëndërr
as në trotuaret e vetmuara, thjesht, diku larg
në muzgun e virgjër që hanin molëzat trurin tim të vluar,
si duket po shteren vargjet, sikur pusi në mes të fshatit
ku barinjtë me mall përkujtonin ditët e hershme
bashke me kopetë e tyre kur shuanin etjen...
më duhet të shkoj në atë fshat, që thinjat e mija të pushojnë
të vari fotografin time të dashur, që ka dritë bardhësie
e të pres puthjet e fundit deri në perëndim të diellit (jetës)
kur fiken llambat në këtë teatër, ku jeta është shikuese e rregullt
që mbulon me fustanellë të bardhë gjitha pasqyrat e murit
në premisat transcendente ku në këtë kategori të pamohuar s’jam vetëm unë.

Monday, September 26, 2011

prelude për një rekuiem

si gjithnjë
mbrapsht vërvitja
punime pushtimesh,
blerje tokash e kokash
në kohëra darke
dhembje mishrash
vendkalime shabllonesh
mes shigjetave të farkuara
larg mbështetësve të qëlluar

zi si zilja që hingëllon
mbi kalldrëmin trok
shpotish rrëkesh
si grindavec gojëtharë
ja, qoftë zemra fal
por e thatë si vezë e rreshkur
pranë diellit ndenjur si e përzënë

do kaloja aty ku do udhëtoja
pranë diellit të ha me lugë
lugë të gdhendur nga lisat
të gdhendura gati njëmijë vjet
nëpër udhënaja e shkelur
siç bënë hapi dhimbjen e vet.

janë dy gjëra
që nuk preken as nuk ndahen
janë në një kundërshtim të vërtet
bashkë të ndara që nuk din as vet!
besoj se do ti takoj njërës
ose tjetrës, por
s’ka rëndësi, as e para as e dyta!

përshtati një shtat familjarë
kur hapen dyert, hyn agu i mëngjesit
e kur lotojnë gjethet e drurit të arrës
hija është më hijerëndë, në këtë çast
bënë fytyrën si një fytyrëmemece
se aty flinin etërit e mizave përdhese

i desha sheqerkat e ëmbla lara-lara
prej momentit kur u martova me këtë qytet

që nga momenti kur pashë
se si një hardhucë e shtrirë në mur
bëhej si një çadër jeshile në plazhin e parajsës
e unë dridhesha sikur të isha në Antarktikë

mort, i një murtaje të kobshme
hy në shpirt si agu i një mëngjesi
i qoftë fal dhimbja shpirtbardhë
me muzikën që hap harqe të pafund
e unë me çizmet prej plastike
në dimrin e ftohtë me gishta të ngrirë
më vinte si në hologram përjetimi i zërit

eh këta sy të blerta që ndiznin kalldrëmin
ndërsa gropat e syve të mavijosura pëshpëritnin
rrugën e mëndafshit me afshin e harruar
duke ecur me një butësi të përuruar...

rropamë... mbaje veshin gati
kur ky dimër në shpirt ndezë koftorin,
e kërcëllitjet shponin në pëshpëritje rrugën
drejt një prelude të një rekuiemi

Saturday, September 24, 2011

ndoshta vonë

hijet kishin pleksur
fushat e lulediellit,
edhe pse ata nuk turpëroheshin
nga dhëmballa që i kishte dal
buzë buzëve të varura,
me sa pashë
ishte aty, afër diellit,
nuk e njoha edhe pse më rinte afër,
qepaze më dukeshe edhe kjo natë,
si lëngat e m’trashur
sherbeti i bakllavasë
së bajramit piqeshe në furën me dru
edhe atë natë
isha duke pritur rend të gjatë
edhe njerëzit tjerë prisnin sikur unë.
bishti nuk kishe fund,
turmë
e pse thoni që kjo ekzistencë ka
shije të m’trashur...!
edhe pse ende vonë!
këndesi prapë këndonte
mbi pullazin e hekurt të luleve,
ja pse pastaj aromat ndryshken
Po vallë nuk është konstatim i imi!
se këto
dhëmballë rën’dë mund të shkulen...

nëndheshëm
një vezullim i ngrohtë prekte gjoksin
e moshave të brezit të natës
këtu ka kollitje të thatë thosha
këtu ka kollitje të heshtur e të lashtë thosha
këtu ka kollitje, që vetëm koha e kupton

ndoshta vonë e kapja
këngën që dëgjoja në autobus
ëmbëlsisht e kërkoja
ndër poret e trurit
e ndjeja
si pullë postare të varur në shpirt tim
diku larg e fryja dhe e dërgoja
në fundin e fundit e shijoja
vringthi, shpresën me të shpejt e shtoja
në lëmshin që nënëgjyshja tjerrje
kujtimin në fanellën ngjyrë gri
ishte kënga që hijet e gjurmonin
me hapjen e velit
të horizontit në padukshmëri

Friday, September 16, 2011

gjethe të qelqta

ndajnatë
qelqnajë e rastisur
që krijon kore dylli
mbi kokën e kohës së qethur tullace
janë melankolike të qeshurat pa qëllim
ha ha ha ...
ti fusin kthetrat në shpirt, në pambarim,
a në fakt nuk e ndjen dhe nuk e din!

gërmova pas pasthirrmave të lëna anash...
diku të harruara me qerpiç,
të ndërtuara nga lloçi i ndezur i kujtimeve
që mendimet e çara të vijnë më mirë
mbi guvat që si hije rrinin pezull...
kjo jetë sikur të ishte shkruar në Almanak,
ku sivjet botohet e pastaj shumë vite
të mos lexohet...
shtëpia u shurdhua
nga një buri,
që piskamat i bubulonte ndër vete,
pash pemë në ëndërr
sikur ftonjtë të ishin kajsia të kalbura
e lëngu i brishtë po tymoste
aromën e shtëpisë së vjetër,
disi po ngjanë shumë shkretë,
llamarinat janë të etura për shi
nga shiu që dikur pikonte ndër shtëpi
e bajamet e majme nuk ishin më për tregti
dhe gruri i verdhë në tokë të zezë përhumbej,
kush e bluan, përveç laraskat kujdestare
e grabitqare që hanë gradualisht shpirtin
e tokës time
kur nuk ke zgjidhje, shkruaj,
përveç kësaj, zgjidhje nuk ke
dhe mos e vrit mendjen - më thoshte
dikur gjyshi në labirintet e bibliotekës
së shtëpisë, që bubulonte ndër vete
me plot meditim...
shkrshshkrsh... edhe letrat fërfëllonin,
sikur gjethet e ngjitura në xham
të dashuruara në tejdukshmëri
e muret e zverdhuara nga dertet
jepnin një blozë të skuqur plot magji,
erdh’muzgu të m’i përqafoj mendimet
po të mos ishin kujtimet, ndoshta
do mbetja lakuriq përgjithmonë!

Tuesday, September 13, 2011

kulmimi i ashkut është në ndarje...

jam më vetëm se vetmia
jam më larg se largësia
jam më i vogël se vogëlsia
jam më i turbullt se turbullira
jam më i padukshëm se padukshmëria

jam dhimbja më shumë sesa dhimbja
jam djegia më shumë sesa djegia
jam loti më shumë sesa loti
jam faqja më shumë sesa faqja
jam aroma më shumë sesa aroma

je zemër më shumë sesa zemra ime
je shpirt më shumë sesa shpirti im
je ndarje më shumë sesa ndarja ime
je dhimbje më shumë sesa dhimbja ime
je athtësi më shumë sesa athtësia ime
je syri më shumë sesa syri im


po më pyet dhimbja, hë më si je
shpirti përgjigjet, a ende afër më je!

po më pyet syri, hë më si je
verbëria përgjigjet, a ende afër më je!

po më pyet ndarja, hë më si je
vetmia përgjigjet, a ende afër më je!

po më pyet aroma, hë më si je
trupi përgjigjet, a ende afër më je!

po më pyet ashku, hë më si je
po i përgjigjem, a ende afër më je!

Friday, September 9, 2011

nuk është poenta aty!

janë pezmatimet që bartën me varkë dhimbjet
në ishujt e thatë e që s’kalon fare njeri pa u trembur
kundruall shpërtheu nga qafa limfa e thatë
pa rërë, pa shije, si hije e valëve të detit,
çdokush që vinte aty më lakuriqësonte
sakaq, thellshëm përpija edhe qelqin e gotës
që mbaja kujtim nga nata që ma dhuroi
isha vetëm, padashje, prerazi e imagjinoja
edhe njëherë larg... diku në greminë e buzëqeshur
në fund të darkës së fshehtë e mbështetur në një cep
duke ngrënë mollët e kalbura të kujtimit të vetmuar
nën mjegullën e pjellë nga e virgjëra natë...
edhe pse e quanin prostitute atë kohë!
por e gjora ishte besnike që nga dita kur lindi!
e paprekur, e boshatisur e pashkelur e tëra ishte!
gjurmë kishte vetëm fajin tim, që se kapja dot...
të dua shumë, toka ime e dashur!

Saturday, August 27, 2011

Më duket se u thyen pasqyrat e kohës sekrete

Nuk mundesha të të shoh në fytyrë, sikur e zgjatem më tepër muhabetin sesa duheshe të jetë... por me gjithate, nuk besoj se këta dyer do të hapen nëse ne do ta shtonim kohën më tepër e të flisnim që nga momenti kur njëherë u mbyll dera. Nuk më duket higjienike kjo formë gjenike e të shprehurit, si duket sot mu ndotë ajri. Po prapë e thash apo nuk e thash, ndoshta e pëshpëritja në vetvete atë që pash, me siguri koha më dukeshe shume e tymosur, po po, si duket nga tymi i cigares ku në këtë bullut mezi e dalloja fytyrën tënde. E pse më quan naiv!... si duket të paskam helmuar me muhabetin që bëmë... prandaj vendose ti quash fundërrinë gjithë to llafe që sipas teje janë boshe, pa asnjë garancë vërtetësie. A nuk e sheh se më kapën dridhjet që nga momenti kur ti prishje fytyrën tënde, dhe e gjithë fytyra jote merr përmasa sikur ky ambient i ndotur. Shpresoj që mos të jem i keqkuptuar aman.. aman të lutem... më dilte zëri sikur të rrjedhë prej tëmthit e jo nga shpirti im i trazuar... Në këtë moment, ku nuk dija më çfarë thosha ndoshta. Gjatë gjithë kohës një mizë pengonte me zërin dhe fluturimin e sajë, dhe si për inat gjithë kohën ateronte në hundën time, sikur i dukeshe se po ateron në aeroportin e sajë të preferuar. Më tha: nuk të mbroj më – i doli zëri sikur të kishte qenë e shtangur me mijëra vite. Po shkoj! I thash ku: atje ku mendoj që nuk do të më shohësh më. Po pse, po pikërisht ti më duket se deshe ashtu të ndodhë! Hmm... njëherit më kapi qejfi, por u shtanga prapë nga dhimbja që më filloj në damar të zemrës, e ndjeja se si më pulson më tepër gjak dhe deshja që ndonjë gaforre me prerëzat e saja të ma liron gjakun që shpirti të më lirohet më. Por prapë e duroja situatën, jo se situata ishte aq e rëndë, por prapë kisha problem me zhurmën e mizës të përzier me ndotjen e ajrit nga tymosja e cigares. Ndeza llambën edhe pse isha i vetëdijshëm se ishte dritë, por shihja terrin e po kësaj dite time të rraskapitur.... sikur në vrap fillova të qeshi... më piheshe ujë.. isha i etur... e dij që atë ditë agjëroja... por nga tymi, ahhhh po pasojat ishin që nga syfyri më sa më dukeshe meqë kisha pirë shumë cigare... shumë si duket shumë, e paskam tepruar. Në moment fillova nëpër sirtarë të kërkoj fotografi të vjetra, e pash një foto ku babai im kishte dal kur kishte qenë i ri... në kohë të komunizmit me plis të bardhë! Çdoherë habitesha kur e shikoja. se si ka qenë e mundur... fillova të thellohem në fotografit.. ja ti je aq i keq, saqë as mundesh të më vëresh se ekzistoj, a unë për ty këtu kam ardhur – këto fjalë më ranë si bombë mbi kokë dhe sikur fotografit që i shihja filluan të digjen. Më sa vëreja vetëm plisi mbeti pa djegur, se sytë mu skuqën përnjëherë dhe gjithë fotografitë u bënë shkrumb e hi, po po nga fjalët e jo nga zjarri. Sikur këta fjalë të ishin shkruar në letra të vjetra e të mbështjellura nga një kordele e gjyshesh - rahmet i pastë shpirti dhe përnjëherë shpërthyen rrufeshëm mbi mua. Prapë më duket më kapi nostalgjia! ... Jo jo, nuk mendoj se zbulova ndonjë gjë, thjesht pash që diku ika me mendjen time, por asesi të kthjellem, u ktheva në zhurmën e mizës me mixin e tymit, por edhe dërdëllitjet që me pandërpreje i dëgjoja. Koka filloj të më dhemb, filloj telefoni të bënë zile me atë zilen bezdise klasike që nga koha kur është krijuar telefoni.. uffff rëndë e përballesha gjithë këtë zhurmë që eksplodonte pa dëshirë, pa vullnet, në rrethana të panjohura, në diçka që ndoshta as unë se kuptoja se pse! Shkova të flejë, më kapsalliten kapakët e syve, ndoshta kjo gjë më mungonte, me një buzëqeshje mezi të nxjerrë nga buza е konstatova këtë zbulim të rastit.
*****
Kush mendon më të shkruan i thash vetvetes, meqë ndoshta edhe nuk jam i aftë edhe të shkruaj, ndoshta për shkaravira jam i pari, por për të shkruar hmmm, më duket se problem... si duket nuk janë gjërat ashtu siç shihen, më përsëriste prapë ajo që fytyrën nuk ja shihja... më shkonte në nerva uhhh... por jo, më duket se shtiresha me vetveten në fakt e doja shumë.. por prapë nuk jepesha, mbaja një qëndrim të çoroditur por edhe të huaj për ndenjët që i përjetoja në atë moment. Apo ndoshta nuk përjetoja gjë!
U zgjova.... isha djersitur, ujëvare më shkonin djersët... zabullimë, hapa dritaret që ishin përballë njëra tjetrës, që më mirë të frekuentonte ajri, se kisha nevojë shumë, ajo u bë që nuk më pa, prapë filloj të fletë, shume ke fjetur, sikur të ishte një shekull mu duk mua- më përsëriste me pandërprerje dhe sikur donte të më fajësojë pse kisha fjetur, por ç’të gjet i thash... mirë mirë, sikur donte ta ndërpriste muhabetin për të më akuzuar ende – i thash: mos gjej fajtorë kujdestarë për atë që nuk mundesh ti përmbushësh kërkesat dhe nevojat e tua... mu duk se ju zbut zemra, deshi të më përqafoj por nuk e pranova, doja që t’ja them njëherë të gjitha. A nuk mban mend që kur të pash që në fillim, mu shfaq dëshira që gjithmonë të të shoh, e mban mend kur nuk mundesha te koncentrohem në askund përveç se në sytë e tua, në shfaqjen e teatrit nacional kur ishe e ulur përkarshi dhe si e si doja ta vjedhë shikimin tënd, e mban mend përshëndetjen tonë të parë, nuk e pe që u skuqa!... Tek shkallët e shkollës kur të prisnim ti ishe e veshur më një xhup ngjyrë jeshile me plot elegancë, erdhe me butësi na përshëndete, e unë nuk dija ka tja mbathi me shikimin tim e din kur ishim në kafe, qëllimisht desha të ulem karshi teje! E pse nuk e din që unë ndoshta nuk duhet edhe të jem këtu që jam! E pse nuk e din që unë e kam të ndaluar ndoshta të jem me ty! E pse, e pse.. fillova aq shumë saqë të folurit tim kaloj në shushuritje të trashur, sikur gjuha filloj të më trashet nuk mundesha të artikuloj asgjë më. Filloj të më mjegullohet shikimi, por tani jo prej tymit te cigares e as bezdisjes së mizës që zhuzhuriste në mua, por tani me të vërtet fillova të mjegullohem në tru, në mendje, lëvizjet e trupit mu shtangën të gjitha. Desha të ndërpres se nuk kisha fuqi.... edhe pse insistoja me mendimet e mija nebuloze që ti dëshmoj sesa e doja, sikur mu bë se ngjitesha në ndonjë shkëmb mali ku kishte disa shkallë të pafundme, zvarritesha me fuqitë e fundit, por nuk doja të ndërprisja të flas, dhe pas çdo fjali e përsërisja fjalën të desha a më kupton.... të desha a më kupton... por si duket as unë se kuptoja vetveten time më, sikur edhe nuk më dëgjonte më. Në një moment brofa uhhhh, pash vetën time në zyre, nuk mundesha menjëherë të vetëdijesohem edhe pse kapakët e syve më rëndonin me tonelata, kisha fjetur në karrige shtrembër më ishte mpij qafa e tëra, me të parën po shoh se kompjuteri ishte hapur dhe po dëgjoj që shkon kënga e Adeles – Love Song, hmm... thash me siguri jam në gjumin ku kisha fjetur edhe në ëndërr, me siguri jam në ëndrrën që pas ëndërr në ëndërr... nuk kishte askush me mua, as ajo, as unë as vetë nuk dija, ndoshta mësova diçka që nuk dija se çka, por thjesht e shijoja këngën e Adeles - Love song, ndoshta gënjehem, por nuk ishte e rastësishme, ashtu e ndjeja... ndoshta edhe realisht përjetoja atë që nuk e kam përjetuar... Gjithë ky mix i imi u zmbraps pas disa ditëve... në ditët që ndoshta asnjëherë nuk i kam përjetuar... ishin katër ditët e mija... ishin ditët që asnjëherë nuk do ti harroj... ishin thjesht katër ditë.. ku asnjëherë ndoshta nuk dua të më përsëriten në jetë... thjesht vetëm katër ditë.....

Ankara, muaji gusht, 2011

Saturday, August 13, 2011

edhe

ky hall është i ëmbël çdoherë kur përsëritet
në thellësinë e vargjeve të mija më tepër më vdiset
nuri është ëmbëlsi që me tëmbël lahet në thellësi
Ej Ashk, kërkoje hënën për çdo natë, që të vjen përsëri

thoshe se deti ka fund, por me sy të verbër po e sheh
të jesh pranë, nuk donë të thotë se je afër, atë që ti e ndjen
nuk bëjnë fajde shërimi edhe nëse ilaçet të jepen si duhet
vetminë poqëse e hidhni në det, etja prapë nuk i shuhet

fyejt gurgullojnë në lumenjtë e mëdhenj të shpërlarë si qielli
ku është qielli e ku është toka, desha të pyes edhe njëherë
nëse dua të pyes për ashkun, çfarë të them unë i mjeri,
kush ofron dëlirësi e athtësi desha të dijë unë i mjeri

ose si qukapik ose si zog i lirë do të ishte fati që ke shkruar
Ashku është i lirë nëse Hyjnia për ty ma ka dhuruar
sipërfaqe e pafund do të ishte shkretëtira në shpirt për mua
nëse këmbët e tua, nuk e shkelin shpirtin tim, ashtu siç unë dua

Monday, August 8, 2011

përkujtuesi

një copë kohë të ndrydhur
ja kisha dhënë vetvetes
dhe me një plagë e kisha shtruar një shekull
por, toka është dystabane nga pesha e natës dhe ditës
dhe gjatë gjithë kohës flet në jermi,
meqë i janë rrudhur supet
pendohet e gjora
dhe digjet e tëra deri në mushkëri,
mora një copë avull
pesha e avullit, zgurdullonte horizontin
mbi sipërfaqen e ballit të përlyer me dhé
kjo tokë me avull ngulfat thjerrëzat e shpirtit
me pikat dehëse të pakuptimësisë shkërmoqe
ku dritat bien si të trembura mbi sipërfaqen e qeshur
nga lodhja e tepërt shpërndahet si trupthë në errëti
në një fund, një tokë me avull
e gëlltisja edhe në ëndrrën e athtë...

Monday, July 18, 2011

gëlltisja me lugë të shkrirë kujtimet

dëshpërimit ju mor zëri
zemërthyer e i zhveshur kotë
humba si fije i shkrirë i tëri
në fundërrinën hije plotë

po në gjetsha turbullirën skamnore
si i vobektë do te vdisja pa pik dyshimi
kujtesa është magji e bukur përallërore
ankthin për ty, e ndjeva që nga burimi

kur mbyllet ëndrra yjet zbrazin natën
edhe nëse shtegtoj, mbetëm në vetmi
bashkë me ankthin mbusha kupën e fatit
me një tis të zi, pa fije ëndje e dashuri

turmë elegante që kundërmon helmimin
sikur të ishim bashkë sonte në vegime
nuk i ngjanë tërbimit ti buzëqesh ledhatimit
kur qau fëmija, mu kujtua edhe sonte

dhe dyert u zmbrapsën si kujtesë e frenuar
janë traget ku si në dëborë mi merrnin kujtimet
nëpër fshatin ku edhe njerëzit ishin të tërbuar
i përngjanin amullisë që i nxinte të gjitha përjetimet

Monday, June 6, 2011

Nyje

Ju mbase kujtoni që mundeni ta përshkoni mendimin e paramenduar duke i kërcëllitur dhëmbët, ndoshta i gjithë mundi është një rregull i pa përjashtuar që ti përkushtoheni mundësisë që ti dini gjërat ti nuhatni. Thjesht erëzat japin mundësinë për të hapur diafragmën e imagjinatës që të thithen gjërat në formën më të virgjër dhe më origjinale. Ndoshta rrallëherë kapet shkëndisja e mendimit që në mesin e një turme sillet vërdallë në mendje, krijohet përshtypje se bëhet luftë mes imagjinatës dhe ndjeshmërisë për kuptimplotësinë e domethënies. Supozimet janë nëna e kurtheve, ndërsa kurthet janë mësime më të mira që në formë më të saktë të gjendet mundësia për tejkalimin e situatës duke mos u hamendur!
Kështu në parkun e qytetit çuditërisht i dëgjonim këto fjalë nga një njeri sikur ta kishim njohur që moti, por që kur më herët nuk e kishim parë. Për nga pamja sikur me fytyrë ofshante rëndë, tjerrës në fjalë, i pashkëputur në mendime, por disi nuk mundeshim disi ta kuptonim me këtë hyrje kaq të pakapshme, ishte shtatmadh sikur ndonjë njeri që mbron dikë, sikur një njeri që ka përgjegjësi për kopenë e vet, ashtu reflektonte thellë mes ndriçimit të asaj që thoshte dhe mënyrës së uljes së tij, që ishte mbështetur në një trap të një cungut të prerë taze nga komuna jonë.
Ehhhh djema, si mundet mendimi të jetë i parapërgatitur për t’u thënë, kur mundet të formësohet si duhet!, kur e ke mundësinë ta thuash! Kush duhet të jetë i përgatitur ti, apo mendimi yt. Këto mendime në këtë muzg pranverorë na e rrihnin kokën sikur ndonjë daulle e çoroditur, të mangët ishim se si ta kapim në qëllimin se ku e kishte, shprehja e tija në këtë formë simbolike kapej për formësimin e mendimit në formë jo të qartë për ne, më sa shihja për nga vitet nuk mundesha të supozoja se ka ndonjë shkollë të lartë, si duket më tepër ishte i rreshkur nga jeta se sa nga nxëniet e ligjërimeve nëpër katedra, më bëri përshtypje gishtat i kishte të mavijosur, sytë të groposur por prapë kishte një nur të çuditshëm, njësoj sikur kjo kohë pranverore që po përjetonim, ndërronte edhe fytyra e tij, herë njëherë me diell e njëherë shi. Por tentativa për të qen i përqendruar po në të njëjtën temë nuk ndryshonte, me ngulmë silleshe mendimi i tij rreth formësimit të mendimit dhe me ngulmë sytë i përqendronte tek çdonjëri prej neve, një nga një na shponte me shikimin e mprehur të tij, dhe në formën “slowly motion” na përcillte të gjithëve që ishim të pranishëm në këtë ndeje. Sytë njëherë i mbyllte dhe pastaj i hapte, sikur ti rëndonte mendimi po edhe shqetësimi i situatës, që ndoshta krijohej përshtypja se ne atë fare e injoronim. Këtë shtangësi e ndërpreu një shok i joni duke dashtë që ta thyej këtë situatë me nyje – ju drejtua me të mirë dhe pyeti, o Axhë nga ju kemi, nga po vini, si ju quajnë.... njeriu e bëri një buzëqeshje aq sa zgjatë vetëtima dhe pa ngurrim filloj prapë me të njëjtën temë, unë jam nga fshati i mendimit, vijë nga rruga e mendimit, kam lindur para mendimit, dhe gjithmonë flas për formësimin e mendimit. Gjithë përnjëherë filluam të shikohemi mes vete, dikush deshi edhe të qeshet, por nuk i u dha mundësia të zgërdhihet, Axha vazhdoj të flas: për me pas mend duhesh të kesh mendim, se në fakt thelbi është i njëjtë... nuk mundem të flas për diçka tjetër përgjersa me juve të rinjve nuk e përmbylli këtë temë, shfryu përsëri pa hamendje në insistimin e tij. Mua personalisht mu duke se mes nesh dhe tij u krijua një pellg i madh ndasie, meqë ne nuk e kapnim dot qëllimin e bisedës, asgjë në atë moment nuk reflektohej se po kuptonim, ndoshta ishim të vetëdijshëm se fliste në formë shumë simbolike, por se ku e ka qëllimin, as që merrnim erë bile, prapë njëri prej shokëve kërceu sikur deshi që mos të koritemi kolektivisht të gjithë ne, deshi që përafërsisht ta kap momentin që Axha i jonë disi të fillon ta zbërthen nyjën që na e hodhi si predhë kresë tonë – i tha o Axhë, pa na thuaj mendimin tënd mbi mendimin, që aq tepër po të preokupon, na e thuaj emrin e atij mendimi që ne disi ta zbërthejmë porosinë tënde, meqë po rijmë kaq kohë bashkë, mos ta lëmë këtë takim të thatë, na mundëso disi ta marrim porosinë tënde, Axha me gishtat e mavijosura na e hodhi prapë një shikim të gjithëve dhe psherëtiu me gjithë trupin shtatlartë që e kishte, na u duk se toka lëvizi për një moment, dhe në fund na tha, për ti dhënë shpjegim mendimit, pikësëpari duhet të sakrifikoni, baza e mendimit është sakrifica, nëse mendon dhe pastaj flet, duhesh të sakrifikosh, nëse mendon dhe nuk flet, prapë duhesh të sakrifikosh, nëna e nyejve për të dal në pah mendimi është ti japësh mundësi vetvetes të sakrifikosh, unë vijë nga fshati që gjithë u dogj e u bë hi, unë vijë nga rruga që u bë shkrumb nga zjarri, unë vijë nga momenti kur linda para se të lindja, unë shkoj prapë në rrugën që të lindi përsëri. Para se të thoni mendimin ju lutem shfaqni krenari që të sakrifikoni, ju lutem heshtni kur duhet të heshtni dhe flisni kur duhet të flisni, atëherë mund të thoni se keni krijuar mendimin e juaj, nuk është me rëndësi a e thoni apo nuk e thoni, është me rëndësi që në shpirtrat e juaj një shkëndijë mendimi ta krijoni... E mori çibukun e tij e tjerri një cigare dhe deri në fund e thithi pathënë më asnjë fjalë, në fund si një mjegull e dendur u ngritë në këmbë na përshëndeti dhe si në mjegulla iki në rrugën që nuk dinim se nga shkoi...

Amxha në mëhallën e Sulltan Fatihut

Kam përshtypjen së në këtë botë është një vend që mundem pandërprerë të flas për te, është një vend që pandërprerë me plot ëndje deri në pafundësi me plot kënaqësi e gëlltisë dhe e përpijë shpirtin e këtij qyteti. Deri tani shumë gjëra janë shkruar shumë gjëra janë pikturuar dhe çdokush me përjetimet individuale ende nuk e ka përmbushur këtë zbrazëti që të thotë gjithçka për këtë qytet, pra të nderuar e shpalli me plot kënaqësi dhe mburrje kryeqytetin dhe qytetin më frymëzues në botë, Stambollin, si çdoherë i thellë, si çdoherë më ndryshe, por çdoherë edhe i njëjtë për nga shpirti i tij tërheqës, çdoherë i zhurmshëm, por ndonjëherë dinë të bëhet edhe i heshtur, çdoherë më fletë ëmbël, çdoherë më buzëqesh përmallshëm, çdoherë më del para syve edhe si një burrë plak me mjekër të bardhë ma rreh shpinën për inkurajim, por njëkohësisht është edhe si në njeri lëvizës që bërtet nën gallatën e ngjyrave, zërave, aromave të ndërlidhura me karakterin që projekton ky qytetit. Qytet që ndjej se jam në pelegrinazh tim shpirtërore, vend që edhe me zhurmën e sajë më qetëson më bënë që të ndjehem si një fëmijë i gëzuar sikur çdoherë e ndjej se marr ndonjë lodër të re si dhuratë, kjo dhuratë e zbuluar në shpirtin tim më ka bë të varur aq tepër saqë jam një stambollofil i sëmurë me një fanatizëm të tepruar bile... Këtu në këtë qytet lirisht shkruhen përrallat e njëmijë e një netëve, këtu shkruhen vargjet më të bukura, këtu përjetohet ashku më i lartë i përngjitjes Hyjnore, çdo ditë sheh diçka që dje nuk e ke përjetuar, çdo ditë zbulon diçka që të duket si një film i ri në fantazinë përplot imazhe nën kthetrën e një harmonie me një kaos ëmbëlak. Sikur kam përshtypjen se nuk dua ti them të gjitha gjërat tani, sikur me ëndje i rruaj përjetimet e mija që ndonjëherë tjetër dua ti them. Por një gjë që e kam të freskët pa ndonjë propagandë me prapavijë dua ta cek romanin e nobelistit të njohur Orham Pamuk me titull Stamboll, me të vërtet ja kam zili ndoshta për përpikshmërinë e tij që në detaje i ka derdhë përjetimet e tija në letër, me aq elegancë dhe imagjinatë të pakrahasueshme i ka thënë gjërat që defintivisht të bënë të dashurohesh në këtë qytet, opusi i tij madhështorë në përshkrimin e Stambollit të bënë të fluturosh si nëpër rrugicat e këtij qyteti si dhe në historikun e këtij qyteti të pafund.
Sot në mëngjes, ngjitemi shkallëve nën kalldrëmën e rrugicave të mëhallës së Sulltan Fatihut, sikur dielli hante gishtat tonë nën një ftohët disi të padurueshëm në këtë muaj të majit, menjëherë fillon aroma e poçave që ngacmojnë nuhatjen tonë dhe vala e avulli i çajit nëpër çajtoret e shumta që me cicërimën e njerëzve e ndjenë kënaqësinë e gjallërimit. U afruam në një pogaçhane dhe morëm llojlloj poça të shuajmë urinë e mëngjesit, dhe nisemi te “vendi” i njohur tek Amxha, te çajtorja jonë e njohur, në vendin ku ka histori përjetimesh, këtu ka diçka që me këto ligjet e modernizmit dhe globalizmit çdo teori e tillë bjer në ujë, këtu është diçka krejtësisht ndryshe, në mejdanin e mëhallës së Sulltan Fatihut ndodhë diçka e shkëputur në kohë, diçka që ka mbetur me plot dëshirë në një kohë krejtësisht diku larg në histori.
Çajtorja e Amxhës ekziston me qindra vite, e trashëguar si punë familjare nga gjyshërit, tani aty punojnë tre vëllezër të gjithë të moshuar mesatarisht nga 70 vjet, në këtë vend përreth ka edhe kafene tjera, por të gjitha janë boshe të gjitha të zbrazura, ndërsa te çajtorja e Amxhës është “full” me njerëzi, të branshave të ndryshme, intelektual me kollare, sheh student të dy gjinive, sheh lloj-lloj njerëz edhe të çuditshëm që bëjnë biseda në grupe, çmimet janë shumë të ulëta, por inventari është aq i vjetër, saqë stolat dhe masat janë në gjendje për ty thyer, por prapë është e mbushur përplot me njerëz.
Të tre vëllezërit me sjelljen e tyre aq janë të ngrohët dhe fjalëmirë të magjepsin me buzëqeshjen dhe mikpritjen e tyre, me hyzmetin e tyre, po shihen se janë njëzë të “hekave” në rrudhat e tyre shihet një histori e plot e përjetimeve, në fytyrat e tyre të ndritshme shihet një përvojë e madhe e jetësore, që po aty ndjehet edhe ëmbëlsia edhe hidhësia. Më herët kam mësuar që njëri prej vëllezërve ka marr pjesë në luftën e Koresë, në vitet e 60 – ta, çdoherë janë në disponim që më të rinjve t’ju japin nga ndonjë uratë me fjalët përshembull dhashë Zoti të keni sukses në jetë, në studime në punësime, shumëherë na ka ndodhë pasiqë kemi pirë ndonjë çaj apo kafe, në fund na kanë thënë jepni sa të doni, nuk është problem, të gjithë i keni hallall prej neve. Zemërgjerësia e tyre është e pafund, mirësia e tyre shihet në fytyrat e tyre se nuk e kanë për qëllim fitimin e parave, por në këtë çajtore ka shumë rituale që njeriu nuk mund ti mëson askund tjetër përveç se në këtë vend të ngrohtë shpirtërorë. Një ditë më herët përjetova një moment që ndoshta është edhe shkak kryesorë se pse e shkruaj këtë tekst, ishim bashkë me shokët e mi, ishte ditë vere në mbrëmje pinim sa pimë çajë, limonta e kafe dhe duke biseduar debate të lezetçme për tema më shpirtërore, u bë shumë si duket si në pirje si në kohë dhe në fund duheshim të ngriheshim, siç ishte zakon prapë njëri prej vëllezërve na tha: jepni aq sa mendoni se keni pijë, dhe ne në këtë situatë deshëm që edhe më tepër të japim pare, por nuk deshi, nuk pranonte, dhe në fund e falënderuam, ndërsa ai na tha një fjali që asnjëherë në jetë nuk do ta harroj, asnjëherë këtë gjë se kam lexuar dhe asnjëherë se kam dëgjuar dhe në fund na tha: shpresoj se në xhenet do të jemi së bashku, dhe se edhe atje kam dëshirë të jem çajxhiu i juaj që edhe atje unë t’ju bëjë hyzmet, ne u shtangëm, nuk dinim çfarë të thonim, paramendoni një njeri 70 vjeçar me çfarë përulësie e modestie për të bërë mirë, nuk shpenzoi aspak të bënte një lutje të tillë që asnjëherë nuk kam mund ta paramendoj se mundet të na thuhet... pas kësaj vetëm se u lëshuam në teposhtën e mëhallës së Sulltan Fatihut në heshtjen e thellë të natës që na kapërdiu nga mirësia e papritur në çajtoren e Amxhës.

sikur më merr malli për ty, Aga Bajram

njëherë kam dëshirë që një teksti t’ja filloj pa dilema, por meqë kjo “makinë e globalizmit” e quajtur kompjuter, që në hesap të parë kur të fillosh të shkruash të jep një dilemë... edhe pse mezi prita që të filloj të shkruaj! Kisha vrull të madh para se t’ja filloj, së pari më inspiroj vajza ime që insistonte sot vetëm të vizaton dhe si e si të më dëshmon se sa bukur i plotëson vijat e vizatimit me ngjyrat që i përzgjedhje, e unë në çdo përfundim të vizatimit duheshe ta vëndoj një pesëshe edhe ate me nënshkrim se përndryshe nuk pranonte alternativë tjetër për të qen e kënaqur në përkrahjen e sajë, ndërsa unë në ndërkohë lexoja një libër për tregimet e mëhallëve... fillova disi të zhytem, enkas në labirintin e quajtur mëhallë, pran një shtylle me dritë të zymtë, ku si fëmijë luanim bashkë që të gjithë lojërat tona të mirënjohura, siç ishin syfshesa... kutixhik... xhamia me pila... ataliku pataliku... futboll në gola të vogla... i gjithë ai gazmend më krekos dhe më sfilit thellë në shpirt deri në ditët e sodit, nuk shoh më gjurmë të tilla, sikur prapë më paraqitet dilema si opsesion, a të jem në këtë moment nostalgjik apo të ndjej dhimbje, se këto relikte janë më pjese e kohës së dinosaurve... që sot ndoshta as si relikte nuk mundesh ti shohësh nëpër muzetë e jetës urbane ku jetojë unë, këto gjëra kanë mbetur vetëm si gallata imagjinare dhe të ëmbla të një kohe fëmijërie që ndoshta është tipike apo origjinale të kohës veçse më të mbaruar me kaptinë të mbyllur.
Kur kërkoj mbështetje fillon frika të më paraqitet, nuk është e rastësishme, me siguri nëndija ime jep informacion të vrullshëm, ndërsa vetëdija duhet ti hekuros si gjithmonë gjërat. Po s’ka dert, po ja fus pluhurit nën këmbët e mija të trurit tim dhe po i hidhem një momenti të një relikti që është prodhim i mbresave të mija. Gjithmonë e kisha qejf të heshtja dhe të vrojtoja njerëzit, ulesha në cep të mëhallës dhe shihja njerëzit se si ecnin, shumë herë ndahesha nga shokët dhe me mall shihja sesi lëviznin sesi bisedonin, kur ecnin, në dyshe njerëzit, çdoherë kapja fjalët e tyre dhe në heshtja i pëshpëritja, krijoja togfjalësh ndoshta të pakuptimta, por në vetvete i përsërisja gjithmonë dhe në fund ja krisja qeshjes. Më shume e doja pranverën dhe aromën e saj kur gjithçka ringjalleshe dhe çdo gjë merrte ngjyrimin e jetës. Eshtrat e natyrës fillonin të kërcëllonin në vesin e mëngjeseve me diellin e porsalindur. Ky mall pranvere çdoherë ma përkujton Agë Bajramin, një njëri i thellë që edhe me heshtjen e tij fliste rëndë, por kishte një qeshje tërheqëse dhe i donte shumë fëmijët, ai për çdoherë kur dilte nga xhamia e mëhallës uleshte tek guri i lyer me gëlqere dhe fillonte ritualin e tij të ndezjes së cigares, kishte kutin e argjendtë sikur të ishte e lustruar dhe e farkuar nga ndonjë farkëtarë i lashtë, ti digjte sytë nga shkëlqimi e unë çdoherë avitesha afër se disi më ndjellje me frymën e tij të shpirtit të thellë por edhe me erën e tymit të cigares, nxirje çibukun poashtu të përpunuar me argjendtë dhe në vendin ku e thith cigaren ishte një kokërr si tespihe e verdhë, e që më vonë mësova se ajo kokërr e verdhë është nga sedefi, e ngjyrimi me tymin e hirtë kur kombinohej, mua më dukeshe se shoh ndonjë film me indianët e Amerikës, ndërsa “pogllavica” ishte pikërisht Aga Bajram, ndërsa ne fëmijët ishim indianët e vegjël që silleshim përreth këtij rituali mistik që kërkonim nga qiell për të na dhënë jetë, kjo trullosje e pastër që ne zgurdullonim sytë nga Aga Bajram na magjepste me fjalët e tij, përherë na fliste për ndonjë trim të ndershëm (që asnjëherë nuk u a kam mbajt emrat në mend) por që çdoherë e dijë që ato trima dikë e kanë mbrojt, apo i kanë dal dikujt në ndihmë, kundra ndonjë njeriu të keq që çdoherë i kanë luftuar dhe e kanë fituar betejën. Pas disa cigareve që i përpinte me gjithë qejf në përthithjet e përziera mes tingujve të heshtjes dhe thellësisë, bënte një pastrim të çuditshëm të çibukut, që unë në atë kohë nuk e kuptoja se pse, kishte disa shkopinj të hollë i fuste në çibuk dhe e fërkonte çibukun duke e lëvizur shkopin e hollë dhe në fund e frynte, kështu që dilte një zë i çuditshëm “pipiske” dhe ne në fund qeshnim, pasiqë e mbaronte tregimin e tij, që ndoshta shumë herë na i përsëriste, por për ne çdoherë ishin sikur ti dëgjonim së pari herë. Ndërsa ai dalngadal bëheshe gati për të ecur, dhe ne e dinim se kësaj shfaqje të ditës po i vjen fundi, me shkopin që ecte, kishte një ngjyrë të verdhë me siguri ishte i ngjyruar nga lashtësia, ndërsa në kokën ku e kapeshe me dorë këtë shkop që kishte formë tullumbace, ishte i gdhendur me një mozaik kaligrafik që nuk e kuptoja fare, ende i mbaj mend ato vija të zbukuruara me ngjyrë të zezë, që në imagjinatën time bënin sikur të ishin rrugë të gjata mendimesh e mundimesh, dora e tij e vyshkur kapeshe për atë shkop dhe bashkë me rropamat e këmbëve niseshte nga shtëpia e tij, ndërsa ne me zhurmën e këmbëve tona e këndellnim muzgun që afrohej për të hyrë brenda në shtëpi...
Ku janë këta pleq, tani si i hutuar po pyesja?! kush ulet më tek guri me gëlqere tek dera e xhamisë në mëhallën time, ku janë çibukët dhe cigaret “kaçak” për të na thithur neve në këtë kohë të varfër për nga imagjinata e prekshme, dhe më e keqja është se si duket më nuk mundemi as ti interpretojmë e as ti kuptojmë më këto momente...

Thursday, May 19, 2011

fjalët

sikur të më ishin ngjitur
disa fjalë nga zemra
që dilnin si flluska nga uji valë
piskamë, djersitje,
ethet fillonin të pinin kafen e fundit
vistër më shkonin fjalët,
mendova më gjatë..., ishte marramendëse
kur pyjet puthiteshin me ngjyrën e vajit
nën krifat e nënkresë që rrëshqitnin
sikur ëndrrat e jermuar të zënë jesir
dhe për një moment mu kujtua

intermexo

po ç’na gjet, thash
kur me hukama i avullonim xhamat
dhe vizatonim zemra me dy shkronja
nga të dy anët.... e pastaj
çamçakëzët i ngjitnim në xham gjersa hanim bukë
që më vonë të vazhdoj përtypja edhe më tutje

gërthitje e tejkanosur që valën ja çonin
puplave në orenditë e veshura me atllas,
më falni! erdh një zë i shkrifëruar nga dikush
si zë hijesh që regëtinë braktisjen e vonuar
nga gardhi shpëtoi gjysma e harkut të fjalëve
ndërsa, gjysma tjetër përfundoi përgjithmonë në heshtje


të lumtë për tharmin që vure në kavanoz të buzëve
ahengun me rropullitë e nxjerre në rrafshin e dhëmbëve
me fjalët u plekse si hardhucë gardhesh të pashartuara
gjersa një ditë ndjeva, që asgjë nuk më kishe thënë...

Wednesday, May 18, 2011

s’epem

në mitrat e virgjëra
lindin fëmijë nga lulet
kur poleni harxhohet
frikësohen rrënjët,
stepen gjembat
e thinjën gjethet,

kur kalbëzohen frutat
ringjallen fluturat

njollat lidhin nyje
mbi
namatisjet e bëmave,
meqë pëshpëritja
shihja
spitalin e lindjes
afër varrezave

fermentimi bënte fekondimin
me frekuenca të mpira
kur autobusët shkelnin
gjinkallat e lodhshme mbi udhë

e lulet ishin
prapë të lodhura
andaj, fëmijët lindën
kur poleni pllenonte
spitalet
varrezat
insektet

Wednesday, May 11, 2011

po dehem

ta lus qiellin që ti laj duart nga shiu
inspirimi më rrjedh si lum vetvetiu
nëse bëjë mëkat kur puthë ata sy si rubinë
në dash Zoti le të më shpije në shkatërrim

në dash ky mëkat le të më dergjë në shtrat
prapë zvarrë do shkoj në tavernë që të pi rahat
ju lutem o njerëz, dijeni se në dehje nuk ka zili
është i marrë ai, që verën nuk din ta pijë

le të ngrihet qielli në këmbë e le të gjëmon
ashik meskini është i dashuruar përgjithmonë
le të katandiset i gjithë alemi në këtë ditë
edhe nëse vdes e dijë që askënd se kam lebetitë

unë pijanec, naiv e i dehur në dashuri
gërmadhat në shpirtin tim janë gur e shkëmbi
çdo dhimbje është një shpresë që rrugëton
poqëse e stërpik ferrin me verë, shuhet përgjithmonë

a janë lotët e trishtimit, apo lotët e gëzimit
kush qau e vajtoji, kush këndoi e gëzoi
si ti kuptoj këto ndjenja që nuk dijë si ti quaj
më mirë të dehem se nuk kam më për kenë të vuaj

drenushat me qafore prej rubini le të bredhin pa pushim
nuk i shoh nga dehja ime, sepse janë vetëm për mashtrim
nëse gëzohen që unë me gjahun tim nuk mundem ti gjuaj
do të dehem me vargje dhe pastaj me dhëmbë do ti bluaj

këto drenusha dynjaje janë vetëm se vele para të vërtetës
nuk dua të jem pjesë e njerëzve që i takojnë të shterpës
balta ime më e shijshme është rruga që shpien në amshim
kur e cakërroj gotën e verës, veç më kaloj në përjetësim

tretëm o Zot nga dhimbja që unë me lutje Ty të ta kthej
çdo trajtë ka një pasqyrë që unë nuk dijë si ta gjej
do të kërkoj gjithmonë deri në fund gjerë sa të frymoj
kur të më zihet gusha prej verës, atëherë në botën tjetër do të shkoj

por, nuk dua të bashkohem me syzezën që ka vetullat e holla
meqë unë jam i shëmtuar dhe në këtë jetë kam shumë njolla
do dua që Lejla ime të jetë në gotën time që të më tretë
krejt kjo dehje për ty është një e hidhur, por shumë e vërtetë

nëse të dua Lejla ime, nuk donë të thotë se të dashuroj
nëse të dashuroj Lejla ime, nuk donë të thotë se të dua
të duash dhe të dashurosh në këtë botë nuk është njësoj
do ti djegë që të dyja, vetëm verën e kuqe ta përjetoj

kërkoj hënën buzë lumit

ishte vonë më kur të mbaja tek prehri
kaltërsia përnjëherë u humb nga qielli
po ta prekësha buzën që i ngjante gurit të ftohtë
mjalta do të bëheshe pelin nga e vërteta e plotë

mos i varë sytë e ëmbla si vele të shtruara
se këto ditë për mua janë veç më t’numëruara
po ti bërtas vetmisë, deri tani dot më dëgjonte
më thuaj ti shpirt – ku po endesh sonte

jam në kopshtin ku me pendë ngjyrosi yjet
jam vet fyelli, që i vajtoj fatit që nuk më dihet
në tavernë vera e kuqe shndritë si kandili,
shkova të pi një gotë, se pa te nuk më rrihet

e fshehta është dragoi që trimërinë e trazon
kuçedra e përbindshme lirin ma robëron
po ti besoj të vërtetës sesi më duket këto ditë
gënjeshtra është aq e bukur që nga e vërteta shndrit

dhe këto kujtime më bëhen amulli e hije
përveç gotës time asgjë nuk ka shije
zgjohem nga vetmia i pikëluar në sy
oh sa kam qejf të bëj dashuri me ty

do ti mbledhë të gjitha yjet nga qielli
të bëjë një qafore për ty që në shtrat ta sjelli
pas ëndrrës kur të zgjohesh nuk dua të më kërkosh
kur të më shohësh pran vetes tënde dua të më harrosh

Eskishehir, maj 2011

krepoj

dhe veprat
nuk vdesin asnjëherë
shteruan atje ku aguan
të thyera nën heshtjen
e shpirtit të palëtuar,
nga divani me shije vetmie
kujtimet më ikën dhe shkuan,
ndërsa dikur
në krahët e qiellit
flinim z’bashku
sikur gjithnjë thonim
nga ëndrra, mos na zgjoni!
në ndasinë që ka të shtëna cytjesh
me mangësi të përvuajtura terratisësh
pëlcasin zërin kumbueshëm
në thellësinë e psherëtimave
atje ku zëri u harrua të dëgjohej
ndërsa ne ende
sfilitemi,
mpakemi
plakemi
në ndasinë
që malli na humbej si perlat e përgjakura
gjithandej të zbrazura ndër të shkuarat e vonshme

Thursday, April 28, 2011

eja tek unë e dashur

eja tek unë e dashur
tek unë janë njëmijë fytyra
tek unë janë njëmijë mynxyra

eja tek unë e dashur
tek unë janë një mijë hije
tek unë janë një mijë hire

eja tek unë e dashur
tek unë që të njoh
tek unë që s’të shoh

eja tek unë e dashur
tek unë është shija
tek unë është verbëria

eja tek unë e dashur
tek unë është njohja
tek unë është boja

eja tek unë e dashur
tek unë është vërtetësia
tek unë është zbehtësia

eja tek unë e dashur
tek unë është shpresa
tek unë është vdekja

eja tek unë e dashur
tek unë është ferri
tek unë është dielli

eja tek unë e dashur
tek unë është parajsa
tek unë është farsa

eja tek unë e dashur
tek unë është dashuria
tek unë është tradhtia

Wednesday, April 27, 2011

ku ti gjej poetët

ku ti gjej poetët
buzëmbrëmjes të mbështetur
me shkronja duke u tretur
në mbretërinë që e kurorëzojnë

ku ti gjej poetët
në mullirin që bluajnë
urinë që shuajnë
veten që kërkojnë

ku ti gjej poetët
kur vargëzohen
kur bastardohen
në anën tjetër kur kalojnë

ku ti gjej poetët
kur heqin lirinë
sfidojnë dashurinë
vetëm që të shpresojnë

ku ti gjej poetët
në ëndërr të prangosur
në lulishte të parfumosur
trëndafilin kur ledhatojnë

ku ti gjej poetët
si gjinkalla të hedhur
me sy të bredhur
zemrat i hutojnë

ku ti gjej poetët
në varre me varrmihësin
në gjykatë me gjykatësin
lirinë po e shtojnë

ku ti gjej poetët
të thinjur breza më breza
të varur për litarë si këndesa
zërin që nuk u a dëgjojnë

ku ti gjej poetët
që shesin mallin e tyre
që plasin vargje me fyerje
me derte që i terrorizojnë

ku ti gjej poetet
të më flasin mua
që më tepër mos të shkruaj
lapsin tim ta pushkatojnë

ku ti gjej poetët
njëherë të thuan
mjaftë më u rebeluam
këtë botë në parajsë ta dërgojmë

Friday, April 22, 2011

Jurij Anatolieviç Zhivago

shkrepjet në
lojërat e pasqyrës
të deshën si mëlmesë poetike
me kavijarë të skuqur e me verë
ndërsa mua, më përpinin nga këmbët pa dënesje
nën rropamën e hapave
duke qenë i djersitur të prisja
gjersa dilte hingëllima e kuajve
në barishten e njomë të përkëdhelur nga vjeshta
më hiqet dhimbja sikur dhëmbin duke e nxjerr
shpresoj se nuk jeni i dashuruar më than
se pasqyrat prapë më sfidojnë
me dhimbjet që zgjasin pakufi
se këto dhimbje i përjetoja që në vegjëli
që kur qielli ishte i mëndafshtë
dhe me trenin tim të dashur qiellin e shkelja përsëri
po ti më ike, në mes të këngës kur të këndoja
mes dëborës së brishtë atje ku piskama nuk dëgjohej
në kraharorin tim të imagjinoja të puthitur
buzët e mija me buzët tua të ngjitura nën llambat e ndezura
kur lakuriqësoheshim në mendimet e kaluara
dhe pranonim që qeleshja është nga lëkura e tigrit të Uralit
dhe ne, duke qen të strehuar në “shtëpinë e plagëve”
me bustet sakrale e të ndryshkura e gjeta timen dashuri
por, ndaj kujt jam kundër, po pyesja!?
lirin që gjeta e hëngra me plumbin
duke shkuar drejt vendbanimit të vdekjes sime
po ti kisha dy jetë paralele ti jetoja
në bibliotekën e qytetit buzëqeshjen tënde do ta kërkoja
dhe më në fund do të gjeja ty
ja ku gjendem tani,
më mirë të vetëvrisja veten në emër të revolucionit
apo nëpër llogore të ma varin shpirtin si mish të thatë
e unë ende më tepër e ndjeja urinë bashkë me dashurin,
kur ujqit e mjerë të qeverisë afrohen afër
me ulërimë kanibali si peshqesh na i falën vetëm disa qirinj
ndërsa ne ndiznim dritën me letrat që ishin të shkruar përplot poezi
katër gjuhët e shpirtit mbanin vargjet pas abazhurit
pas dritave të fikura, pas dritareve, pas pasqyrave, pas çizmeve
dhe meqë vdiqa, kam kujt ti besoj përgjithmonë
ndërsa në këtë rast ju besoj vetëm se vargjeve të mija...

Tuesday, April 19, 2011

traumë

makth
me një klithje të butë
në gjendjen e vetëmohimit
kur natën qëllimisht
e terrova me sytë
e në këtë kapixhik
më zuri lungë plaga e vjetër
përtej mundësisë më tej shkova
që me një lug ilaçesh
të shuaj dhimbjen e çjerrë
e vangat në shpirt të më rrjepin
që mejdani të del nga
nëntoka e zbehur dhe e thellë

na ishte një mizë përdhese
qante kur dëgjonte flautin
.......................................

uturimën për ta vardisur
në thepat ku shkëmbinjtë shkrumbojnë,
me shigjetë të përgjakur për të thepisur
parzma për të krijuar, e jo për t’u katandisur

na ishte një mollë e qëruar
që i binte harpës e gëzuar
........................................

ç’janë këto mbresa të mbështjella
të zënë rob nëpër kështjella
nga vargjet e sëmura prej veremi
që lisat bashkë me frymën i pollën
dallëndyshet nëpër gushtar ende nuk i sollën

na ishte një hije e m’trashur
që me kitarën e sajë vizatonte në zall
.........................................

po të shoh si një trëndafil
që vrojtohesh nga gardianët
në ndër-dije më flisje me petalet
e gjembat si kujtime më dilnin prej ballit

na ishte njëherë një e qeshur
që e shoqëronte me violinë vajtimin
.........................................

jam nomad i teptisur
brengës ti jap krahë që të fluturoj
se mungesën e kam shoqe dhe nuk e lëshoj

na ishte njëherë vetmia
e zbarkuar për të kënduar serenadë
me qumësht po më lante virgjëria
në dehjen që se përjetova askund

na ishte njëherë.....

Utopi

për artin e fjalës
ti hedh një parabolë
heshtjes
apo ti bëjë biopsi shpirtit,
ti hedh kokës uji hiri
nga ujërat e tejdukshme
që sytë të shndërrohen në liqe
e ngjalat me bishta
ti hidhen vetullave si rrufe,
në rrudhat e mija
shtrihen qytetet e lashta
të banueshme me mijëra vite
e nga ana tjetër dikush
nëpërmes ballinave të librave
që kanë sytë kokërdhake e hijerëndë
i flisnin çupës me flokëvjeshtake
e trishtimi i sajë nga fotografia
i nis shtegdaljet nga shtat portat
mes syrit dhe zemrës....
etjen po e hetoja
kur zërat flisnin përgjumësh
më thërrisnin pa hamendje
në sfondin e pritjes së lodhur
në stepet me kaktuse
që i prijnë etjes në paraprisje,
lëngu i qiellit lëmsh e qull më bëri
verën nga taverna me pajton
nga dielli si dhuratë ma solli
kujt i ngjanë kjo pikturë
darkës së fshehtë që Magdalenën
në prehër ma mbolli
minutat dhe orët shkrihen
në gjirin tënd
edhe akrepat shpërndahen
prerazi mbi shtatin e plogësht
uji i ligshtë s’ka mundësi
për të pastruar një të kaluar të rrudhur
ku eremitët dhe shtegtarët
butësisht nisin një utopi të trembur!

Monday, April 4, 2011

për Ëndrrën time

Çapitja gjitha rrugicat
sikur qelqet të mbanin barrë
mbi kujtimet që më lënduan
nën mjegullat kur puthin traget
se kjo ishte
e vetmja gjë që kisha prej teje....
eh këto lëndime,
si sheqerka më duken,
sikur të lëpihen dhe gëlltiten
që nga fëmijëria e hershme,
dhe kur të kujtoja
mbajë mend, se ishte ditë
gjysmë me diell e gjysmë me shi
e unë të përgjëroja nga cepi i lagjes
ku gjithë të inkurajonin...
unë shfaqja gëzimin se ndjeja
dhimbje për ty...
nëpër përbaltjen e imagjinatës
ende të vizatoja
në bllokun e shënimeve të mija
ku ende më tepër më bënë
të shtegtoja e të ikja
në ngrohtësinë e dhimbjes time,
kur përflakësh si sheqerkë
me mall të ëndërroja,
në lagjen me zhurmë
përditë në cep të pritja
se ende të dashuroja,
edhe këtë ditë
që nuk është e fundit
jam në cep të lagjes, ku frymoj
thellshëm që ende
dhimbjes ti përqasem me tingujt
që më lan mbrapsht, por
gjithmonë në të ardhmen
të kam ende në ëndërr
dhe dua të të zë në grackë
aty ku gjumi më përçon të vijë
atje ku nuk të gjej më...
por të pres ende...
edhe përtej vdekjes
në parajsë do të pres
ku lumi do rrjedh së bashku
me ëndrrën tonë
nën hijen
e përkujtimit të dashurisë
që çdoherë do të kem pranë

Monday, March 28, 2011

Metamorphosis

I
një korb
në dy degë gështenjash
opiumi për damarët
që trillet fillikat i shartojnë
në qenësi qenie idesh,
jashtë dimensionit
fytyrat glasë
jashtë opinionit,
pikë nga uji i varfër
që mëkon dheshëm
përkundjen e djepit
nga ku planet i dehur
me barrën që mban mbi supe,
në të shkretë sheh syri
me gjëndër të plasur
ku vullkanet piskasin
me lavë të lodhur
mbi poret e lashtësisë,
zikrit tespihet i thyhen
mbi fushat e njëmendësisë,
ku shkuma preku qiejt
e universales së shpërlarë,
në pafundësinë bojëblu
e gjithë kjo pamje
nuk tha gjë më,
vetëm se ateroi diku!

II
në këtë histori amebash
një qelizor më duket vetja
koha e përbiruar në vesh të gjilpërës
lëkundej prajshëm
në mbretëritë e stepur
në këtë periudhë incesti,
shantazhe sistemesh
që shfaqnin në teatër Edipin
e lodhur e të verbër
nga ky mëkat i buzëqeshur,
aaaa, si ju duket?
nga elita me gjilpëra të mëdha,
në ekzil i shpien turmat
dhe me plan i qepën në tru
e këta të ngratit e të gjorët
i dërguan në gijotinë me lule të zbukuruara
dhe më në fund
ua prenë kokën që mos të shartojnë më.

Monday, March 21, 2011

ODA

Atje ku mbyllen thinjat mes akullit të zjarrtë, atje ku formësohen bishtalecat e grindura nën hijen e një terri të akumuluar si peshqesh i dhuruar nga vetmia formale. Vetvetiu përtypem me vetveten. Kjo është një melankoli tipike e një neurotiku të kapërcyer ku si i shastisur e pret me sharrë zgavrën e një dileme dhe thotë: çka ndjenë ndenjuri në odën, mes një pamjaftueshmërie dhe mes një ëndrre!?...Cipëzat e lëkurës së dromcuar përplasen si vija të vizatuara në murin që ndan botën e koleksionuar të afsheve mes shputës dhe ëndrrës, që fshehurazi me një bardhësi të tejdukshme hingëllojnë mes zërave të harruar më. E këto zëra shndërrohen si shufra të zjarrta mes një malli që përkujtojnë kohën e rëndë e të pjerrët dhe nga ana tjetër një gjendje e pafundme dhe e pakuptueshme në odën e quajtur vetëm se me tre shkronja ODA.
E thatë, po ndoshta edhe e lagësht për nga cilësia e sajë e brendshme, e ekuilibruar nën thjerrëzën që sheh vetëm kapërdijë dhe kafshim në kohë, që fatkeqësisht mund ti thuhet kohë e humbur. Ti jepesh një mashtrimi mes fantazmës dhe gërthitjes është njësoj sikur të mbash dietë por që vazhdimisht dukesh i trash, si në kokë poashtu edhe në trup.
Kjo odë më është shndërruar në njeri, ku dritaret janë duart, gjersa dera është një gojë që kapërdinë qenien time në terrin që po gdhinë lodhjen dhe aromën sikur të vinte nga disa këpurdha të prishura në qoshk të odës. Buffff... trishtova dhe brofja mu desh ta ndalë kohën në momentin ku më së shumti më dhembje, në momentin ku më fliste realiteti i shkarë mbi mua, më fliste me fjalë të mëdha, nuk mundesha ta dëgjoja, ma ndalte frymëmarrjen... Dallgëzoja frymën e rrjepur si fantazmën që thithte gjakun e përgjumur dhe në të kotë ofshaja i mbështjellë sikur një lisë i prerë e i grumbulluar në fund të një fushe të shkretë.
Të pajtohesh se engjëjt janë në zinxhirë të lidhur, e djajtë hedhin predha sikur të bëhej një luftë e brendshme civile... po po, dua të pajtohem me këtë fakt, se diçka ziente në këtë vorbull të odës time, odë e vizatuar me vijat e ç’karavitura të vajzës time që i bëri më herët, por këto vija aq shumë më bërtasin, saqë jam shurdhuar dhe nuk i dëgjoj më. A thua edhe ndjeshmëria e brendshme më është humbur në këtë fluturake që sillet dâiman në mua. Apo kërkojë vetëm se rikthim në domethëniet e kthjellura që aq të humbura i konsideroj. Kjo dhomë e pispillosur me lazdrakja e me çamçakëz në gojë si duket më përtyp mua, ka t’ja mbaja në këtë siklet që më ngufatë dhe më përshpejton që ti them ato gjëra që nuk dua, por vetë me vete mendoja se ndryshe liria nuk fitohet. Apo ndryshe disi doja ta definoja dhe pandërprerazi përsërisja në heshtje fjalinë: a thua liria është robëri më e madhe, apo robëria është liria më e madhe.
Kush e dëgjoj plagën time, kush e ndjenë e dhimbjen time, më le të lutem vetëm, nuk dua asgjë tjetër... kush ka guxim të flas me gjuhën e heshtjes... a ka kush që e dëgjon dhimbjen time, a ka kush e shëron dhimbjen time a ka kush e shëron zemrën time...
A shërohen gjërat që s’kanë shërim, ti flasësh vetëm vetvetes tënde, e ti thuash që askush nuk të dëgjon, flisja vetëm me ëndrrën time të pleksur në boshtin që s’ka skaj, që shtrydhë sfondin melankolikë e që si copëza akulli mendimet më vlojnë të rrëshqitura në trupin tim të humbur, thatësi e mjerë, ku guximi nuk i bënë ballë drejtimit tim, nga të shkoj? në botën e premtimeve a! hahaha... edhe në fund e qeshura ishte neurotike dhe e krisur...

Tuesday, February 8, 2011

më në fund prej fillimit

Zoti krijoji
heshtjen
më pastaj
dëgjimin
më pastaj rrotullimin
më pastaj të folurit
më pastaj fronin
gjithë me laps i shkroi
buzët që puthën qiellin
i shumëzoi
në një vendkalimin
mëkatin shtroi
për njerëzit sikur ne
zhveshjen e shpirtit
nga gjethet na lakuriqësoi
po atë botë
që e harruam
kur tinguj dhe vargje thurnim
tymosnim mendjet fshehurazi
duke mos mbajt emrat në mend
por shpirtrat duke i ngjitur në një vend
para së gjithash
ta jepja zemrën time e ti e përplasej në mur
të gjithë furtunat që kapërdihen
nuk mundesha ti përballoja se isha i sëmurë
ilaçin në bardakun e xhanit e kërkoja
helmin si dhuratë të përjetshëm e përjetova
dhe prapë shërohem
në këtë fushë patinazhi
shpirti me gllënjkat e fundit rrëshqet
diku jashtë, larg vendit, diku vetë
me miniaturat e fluturave të vdekura
me një kafe të hidhur e të përplasur
në ofshamën e dertit të përgjumur
lirin që e ëndërrova ma hedhe në fund të thembrës tënde
me gjithë dëshirën që kisha, ti prapë ma shkelje fytyrën time
për mua
u krijuan
heshtja
dëgjimi
rrotullimi
froni
dhe lapsi më në fund, fundin ma shkroi.

Tuesday, February 1, 2011

si mund të vdes vetmia

gërmadhë trungjesh, rrudhje
që riradhiten mes bërryltretjeve
duke dënesë,
skuqem si nga pamja e si nga brendia,
janë pamjet që shtiren si ngjyra e hija
kush joshë! çfarë thua?
ngarkesa apo vetmia...
krahët i fërkoja për ti ngrohë
nën mjaullimën e lodhur të boshatisë
tretjet me plot stërkala të bojatisur
pjellin ëndrrën që më tepër më bezdis
e si mund të vdes vetmia?
ahh po, më duket se sot kisha harruar të qaj
se asgjë më nuk është e bukur
përveç bukurisë së Sajë
jam vet dhimbja përsëritja
flokëgjatë e i pakrehur,
për tre zemra
të lindura apo të vdekura
që ma fundosin brengën në vajë,
më janë zgjatë flokët e bërë flakë
si gogla zjarri më janë hedhur syve
dhe përsëri më doli dhimbja
i thosha të lutem mos më ik
gjerë në pafundësi e kërkoja duke e përsërit.

dergah, dert ah

një bukuri e humbur që frymon nga thellësia
e shtrirë si e përgjumur, por syçelë brofi nga hijeshia

mos më thuaj shko, se dhimbja më ndjek si hija
andaj vuaj për çdo gjë, se ofshamat në mejhane si verë i pija

gllënjkat më ngulfatën kur ashkut mi than se je në vetmi
vetmisë në rrugën e fshehur vetëm ashiku mundet ti pri

janë shtigjet plot gjemba, deri tek rruga e siratit
lëngo trupi im se vuajtja për Te është rruga e sevapit

kjo vuajtje ka një mijë krahë për të fluturuar
përshpejto rrugën e vuajtjes në deshe të jesh i flakëruar

i pagabueshëm i thua vetes dhe gjithçka për ty është e ndaluar
eja të dehemi në mejhane njëherë, me kupat e verës së distiluar

amaneti përmbi trupin tim të vdekur është si një ferman i shkruar
qefinin me verë e stërpika, andaj shoqëruesit e varrimit tim janë të hutuar

në këtë dergah e gjithë dynjaja është një varr përmbi tokë
dera e sajë e argjendtë nuk është e kuptueshme për këtë botë

në këtë hallkë gjithë të dehur vallëzojnë me plot mbresa
se minderet rreth e rrotull janë si gardhet nëpër varreza

një fakir sikur unë, asgjë në këtë botë nuk gjeta
përveç se një grusht dhé në sytë e mi mora, meqë vet mbeta