Tuesday, April 19, 2011

traumë

makth
me një klithje të butë
në gjendjen e vetëmohimit
kur natën qëllimisht
e terrova me sytë
e në këtë kapixhik
më zuri lungë plaga e vjetër
përtej mundësisë më tej shkova
që me një lug ilaçesh
të shuaj dhimbjen e çjerrë
e vangat në shpirt të më rrjepin
që mejdani të del nga
nëntoka e zbehur dhe e thellë

na ishte një mizë përdhese
qante kur dëgjonte flautin
.......................................

uturimën për ta vardisur
në thepat ku shkëmbinjtë shkrumbojnë,
me shigjetë të përgjakur për të thepisur
parzma për të krijuar, e jo për t’u katandisur

na ishte një mollë e qëruar
që i binte harpës e gëzuar
........................................

ç’janë këto mbresa të mbështjella
të zënë rob nëpër kështjella
nga vargjet e sëmura prej veremi
që lisat bashkë me frymën i pollën
dallëndyshet nëpër gushtar ende nuk i sollën

na ishte një hije e m’trashur
që me kitarën e sajë vizatonte në zall
.........................................

po të shoh si një trëndafil
që vrojtohesh nga gardianët
në ndër-dije më flisje me petalet
e gjembat si kujtime më dilnin prej ballit

na ishte njëherë një e qeshur
që e shoqëronte me violinë vajtimin
.........................................

jam nomad i teptisur
brengës ti jap krahë që të fluturoj
se mungesën e kam shoqe dhe nuk e lëshoj

na ishte njëherë vetmia
e zbarkuar për të kënduar serenadë
me qumësht po më lante virgjëria
në dehjen që se përjetova askund

na ishte njëherë.....

No comments:

Post a Comment