Kam përshtypjen së në këtë botë është një vend që mundem pandërprerë të flas për te, është një vend që pandërprerë me plot ëndje deri në pafundësi me plot kënaqësi e gëlltisë dhe e përpijë shpirtin e këtij qyteti. Deri tani shumë gjëra janë shkruar shumë gjëra janë pikturuar dhe çdokush me përjetimet individuale ende nuk e ka përmbushur këtë zbrazëti që të thotë gjithçka për këtë qytet, pra të nderuar e shpalli me plot kënaqësi dhe mburrje kryeqytetin dhe qytetin më frymëzues në botë, Stambollin, si çdoherë i thellë, si çdoherë më ndryshe, por çdoherë edhe i njëjtë për nga shpirti i tij tërheqës, çdoherë i zhurmshëm, por ndonjëherë dinë të bëhet edhe i heshtur, çdoherë më fletë ëmbël, çdoherë më buzëqesh përmallshëm, çdoherë më del para syve edhe si një burrë plak me mjekër të bardhë ma rreh shpinën për inkurajim, por njëkohësisht është edhe si në njeri lëvizës që bërtet nën gallatën e ngjyrave, zërave, aromave të ndërlidhura me karakterin që projekton ky qytetit. Qytet që ndjej se jam në pelegrinazh tim shpirtërore, vend që edhe me zhurmën e sajë më qetëson më bënë që të ndjehem si një fëmijë i gëzuar sikur çdoherë e ndjej se marr ndonjë lodër të re si dhuratë, kjo dhuratë e zbuluar në shpirtin tim më ka bë të varur aq tepër saqë jam një stambollofil i sëmurë me një fanatizëm të tepruar bile... Këtu në këtë qytet lirisht shkruhen përrallat e njëmijë e një netëve, këtu shkruhen vargjet më të bukura, këtu përjetohet ashku më i lartë i përngjitjes Hyjnore, çdo ditë sheh diçka që dje nuk e ke përjetuar, çdo ditë zbulon diçka që të duket si një film i ri në fantazinë përplot imazhe nën kthetrën e një harmonie me një kaos ëmbëlak. Sikur kam përshtypjen se nuk dua ti them të gjitha gjërat tani, sikur me ëndje i rruaj përjetimet e mija që ndonjëherë tjetër dua ti them. Por një gjë që e kam të freskët pa ndonjë propagandë me prapavijë dua ta cek romanin e nobelistit të njohur Orham Pamuk me titull Stamboll, me të vërtet ja kam zili ndoshta për përpikshmërinë e tij që në detaje i ka derdhë përjetimet e tija në letër, me aq elegancë dhe imagjinatë të pakrahasueshme i ka thënë gjërat që defintivisht të bënë të dashurohesh në këtë qytet, opusi i tij madhështorë në përshkrimin e Stambollit të bënë të fluturosh si nëpër rrugicat e këtij qyteti si dhe në historikun e këtij qyteti të pafund.
Sot në mëngjes, ngjitemi shkallëve nën kalldrëmën e rrugicave të mëhallës së Sulltan Fatihut, sikur dielli hante gishtat tonë nën një ftohët disi të padurueshëm në këtë muaj të majit, menjëherë fillon aroma e poçave që ngacmojnë nuhatjen tonë dhe vala e avulli i çajit nëpër çajtoret e shumta që me cicërimën e njerëzve e ndjenë kënaqësinë e gjallërimit. U afruam në një pogaçhane dhe morëm llojlloj poça të shuajmë urinë e mëngjesit, dhe nisemi te “vendi” i njohur tek Amxha, te çajtorja jonë e njohur, në vendin ku ka histori përjetimesh, këtu ka diçka që me këto ligjet e modernizmit dhe globalizmit çdo teori e tillë bjer në ujë, këtu është diçka krejtësisht ndryshe, në mejdanin e mëhallës së Sulltan Fatihut ndodhë diçka e shkëputur në kohë, diçka që ka mbetur me plot dëshirë në një kohë krejtësisht diku larg në histori.
Çajtorja e Amxhës ekziston me qindra vite, e trashëguar si punë familjare nga gjyshërit, tani aty punojnë tre vëllezër të gjithë të moshuar mesatarisht nga 70 vjet, në këtë vend përreth ka edhe kafene tjera, por të gjitha janë boshe të gjitha të zbrazura, ndërsa te çajtorja e Amxhës është “full” me njerëzi, të branshave të ndryshme, intelektual me kollare, sheh student të dy gjinive, sheh lloj-lloj njerëz edhe të çuditshëm që bëjnë biseda në grupe, çmimet janë shumë të ulëta, por inventari është aq i vjetër, saqë stolat dhe masat janë në gjendje për ty thyer, por prapë është e mbushur përplot me njerëz.
Të tre vëllezërit me sjelljen e tyre aq janë të ngrohët dhe fjalëmirë të magjepsin me buzëqeshjen dhe mikpritjen e tyre, me hyzmetin e tyre, po shihen se janë njëzë të “hekave” në rrudhat e tyre shihet një histori e plot e përjetimeve, në fytyrat e tyre të ndritshme shihet një përvojë e madhe e jetësore, që po aty ndjehet edhe ëmbëlsia edhe hidhësia. Më herët kam mësuar që njëri prej vëllezërve ka marr pjesë në luftën e Koresë, në vitet e 60 – ta, çdoherë janë në disponim që më të rinjve t’ju japin nga ndonjë uratë me fjalët përshembull dhashë Zoti të keni sukses në jetë, në studime në punësime, shumëherë na ka ndodhë pasiqë kemi pirë ndonjë çaj apo kafe, në fund na kanë thënë jepni sa të doni, nuk është problem, të gjithë i keni hallall prej neve. Zemërgjerësia e tyre është e pafund, mirësia e tyre shihet në fytyrat e tyre se nuk e kanë për qëllim fitimin e parave, por në këtë çajtore ka shumë rituale që njeriu nuk mund ti mëson askund tjetër përveç se në këtë vend të ngrohtë shpirtërorë. Një ditë më herët përjetova një moment që ndoshta është edhe shkak kryesorë se pse e shkruaj këtë tekst, ishim bashkë me shokët e mi, ishte ditë vere në mbrëmje pinim sa pimë çajë, limonta e kafe dhe duke biseduar debate të lezetçme për tema më shpirtërore, u bë shumë si duket si në pirje si në kohë dhe në fund duheshim të ngriheshim, siç ishte zakon prapë njëri prej vëllezërve na tha: jepni aq sa mendoni se keni pijë, dhe ne në këtë situatë deshëm që edhe më tepër të japim pare, por nuk deshi, nuk pranonte, dhe në fund e falënderuam, ndërsa ai na tha një fjali që asnjëherë në jetë nuk do ta harroj, asnjëherë këtë gjë se kam lexuar dhe asnjëherë se kam dëgjuar dhe në fund na tha: shpresoj se në xhenet do të jemi së bashku, dhe se edhe atje kam dëshirë të jem çajxhiu i juaj që edhe atje unë t’ju bëjë hyzmet, ne u shtangëm, nuk dinim çfarë të thonim, paramendoni një njeri 70 vjeçar me çfarë përulësie e modestie për të bërë mirë, nuk shpenzoi aspak të bënte një lutje të tillë që asnjëherë nuk kam mund ta paramendoj se mundet të na thuhet... pas kësaj vetëm se u lëshuam në teposhtën e mëhallës së Sulltan Fatihut në heshtjen e thellë të natës që na kapërdiu nga mirësia e papritur në çajtoren e Amxhës.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment