Ju mbase kujtoni që mundeni ta përshkoni mendimin e paramenduar duke i kërcëllitur dhëmbët, ndoshta i gjithë mundi është një rregull i pa përjashtuar që ti përkushtoheni mundësisë që ti dini gjërat ti nuhatni. Thjesht erëzat japin mundësinë për të hapur diafragmën e imagjinatës që të thithen gjërat në formën më të virgjër dhe më origjinale. Ndoshta rrallëherë kapet shkëndisja e mendimit që në mesin e një turme sillet vërdallë në mendje, krijohet përshtypje se bëhet luftë mes imagjinatës dhe ndjeshmërisë për kuptimplotësinë e domethënies. Supozimet janë nëna e kurtheve, ndërsa kurthet janë mësime më të mira që në formë më të saktë të gjendet mundësia për tejkalimin e situatës duke mos u hamendur!
Kështu në parkun e qytetit çuditërisht i dëgjonim këto fjalë nga një njeri sikur ta kishim njohur që moti, por që kur më herët nuk e kishim parë. Për nga pamja sikur me fytyrë ofshante rëndë, tjerrës në fjalë, i pashkëputur në mendime, por disi nuk mundeshim disi ta kuptonim me këtë hyrje kaq të pakapshme, ishte shtatmadh sikur ndonjë njeri që mbron dikë, sikur një njeri që ka përgjegjësi për kopenë e vet, ashtu reflektonte thellë mes ndriçimit të asaj që thoshte dhe mënyrës së uljes së tij, që ishte mbështetur në një trap të një cungut të prerë taze nga komuna jonë.
Ehhhh djema, si mundet mendimi të jetë i parapërgatitur për t’u thënë, kur mundet të formësohet si duhet!, kur e ke mundësinë ta thuash! Kush duhet të jetë i përgatitur ti, apo mendimi yt. Këto mendime në këtë muzg pranverorë na e rrihnin kokën sikur ndonjë daulle e çoroditur, të mangët ishim se si ta kapim në qëllimin se ku e kishte, shprehja e tija në këtë formë simbolike kapej për formësimin e mendimit në formë jo të qartë për ne, më sa shihja për nga vitet nuk mundesha të supozoja se ka ndonjë shkollë të lartë, si duket më tepër ishte i rreshkur nga jeta se sa nga nxëniet e ligjërimeve nëpër katedra, më bëri përshtypje gishtat i kishte të mavijosur, sytë të groposur por prapë kishte një nur të çuditshëm, njësoj sikur kjo kohë pranverore që po përjetonim, ndërronte edhe fytyra e tij, herë njëherë me diell e njëherë shi. Por tentativa për të qen i përqendruar po në të njëjtën temë nuk ndryshonte, me ngulmë silleshe mendimi i tij rreth formësimit të mendimit dhe me ngulmë sytë i përqendronte tek çdonjëri prej neve, një nga një na shponte me shikimin e mprehur të tij, dhe në formën “slowly motion” na përcillte të gjithëve që ishim të pranishëm në këtë ndeje. Sytë njëherë i mbyllte dhe pastaj i hapte, sikur ti rëndonte mendimi po edhe shqetësimi i situatës, që ndoshta krijohej përshtypja se ne atë fare e injoronim. Këtë shtangësi e ndërpreu një shok i joni duke dashtë që ta thyej këtë situatë me nyje – ju drejtua me të mirë dhe pyeti, o Axhë nga ju kemi, nga po vini, si ju quajnë.... njeriu e bëri një buzëqeshje aq sa zgjatë vetëtima dhe pa ngurrim filloj prapë me të njëjtën temë, unë jam nga fshati i mendimit, vijë nga rruga e mendimit, kam lindur para mendimit, dhe gjithmonë flas për formësimin e mendimit. Gjithë përnjëherë filluam të shikohemi mes vete, dikush deshi edhe të qeshet, por nuk i u dha mundësia të zgërdhihet, Axha vazhdoj të flas: për me pas mend duhesh të kesh mendim, se në fakt thelbi është i njëjtë... nuk mundem të flas për diçka tjetër përgjersa me juve të rinjve nuk e përmbylli këtë temë, shfryu përsëri pa hamendje në insistimin e tij. Mua personalisht mu duke se mes nesh dhe tij u krijua një pellg i madh ndasie, meqë ne nuk e kapnim dot qëllimin e bisedës, asgjë në atë moment nuk reflektohej se po kuptonim, ndoshta ishim të vetëdijshëm se fliste në formë shumë simbolike, por se ku e ka qëllimin, as që merrnim erë bile, prapë njëri prej shokëve kërceu sikur deshi që mos të koritemi kolektivisht të gjithë ne, deshi që përafërsisht ta kap momentin që Axha i jonë disi të fillon ta zbërthen nyjën që na e hodhi si predhë kresë tonë – i tha o Axhë, pa na thuaj mendimin tënd mbi mendimin, që aq tepër po të preokupon, na e thuaj emrin e atij mendimi që ne disi ta zbërthejmë porosinë tënde, meqë po rijmë kaq kohë bashkë, mos ta lëmë këtë takim të thatë, na mundëso disi ta marrim porosinë tënde, Axha me gishtat e mavijosura na e hodhi prapë një shikim të gjithëve dhe psherëtiu me gjithë trupin shtatlartë që e kishte, na u duk se toka lëvizi për një moment, dhe në fund na tha, për ti dhënë shpjegim mendimit, pikësëpari duhet të sakrifikoni, baza e mendimit është sakrifica, nëse mendon dhe pastaj flet, duhesh të sakrifikosh, nëse mendon dhe nuk flet, prapë duhesh të sakrifikosh, nëna e nyejve për të dal në pah mendimi është ti japësh mundësi vetvetes të sakrifikosh, unë vijë nga fshati që gjithë u dogj e u bë hi, unë vijë nga rruga që u bë shkrumb nga zjarri, unë vijë nga momenti kur linda para se të lindja, unë shkoj prapë në rrugën që të lindi përsëri. Para se të thoni mendimin ju lutem shfaqni krenari që të sakrifikoni, ju lutem heshtni kur duhet të heshtni dhe flisni kur duhet të flisni, atëherë mund të thoni se keni krijuar mendimin e juaj, nuk është me rëndësi a e thoni apo nuk e thoni, është me rëndësi që në shpirtrat e juaj një shkëndijë mendimi ta krijoni... E mori çibukun e tij e tjerri një cigare dhe deri në fund e thithi pathënë më asnjë fjalë, në fund si një mjegull e dendur u ngritë në këmbë na përshëndeti dhe si në mjegulla iki në rrugën që nuk dinim se nga shkoi...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment