ndajnatë
qelqnajë e rastisur
që krijon kore dylli
mbi kokën e kohës së qethur tullace
janë melankolike të qeshurat pa qëllim
ha ha ha ...
ti fusin kthetrat në shpirt, në pambarim,
a në fakt nuk e ndjen dhe nuk e din!
gërmova pas pasthirrmave të lëna anash...
diku të harruara me qerpiç,
të ndërtuara nga lloçi i ndezur i kujtimeve
që mendimet e çara të vijnë më mirë
mbi guvat që si hije rrinin pezull...
kjo jetë sikur të ishte shkruar në Almanak,
ku sivjet botohet e pastaj shumë vite
të mos lexohet...
shtëpia u shurdhua
nga një buri,
që piskamat i bubulonte ndër vete,
pash pemë në ëndërr
sikur ftonjtë të ishin kajsia të kalbura
e lëngu i brishtë po tymoste
aromën e shtëpisë së vjetër,
disi po ngjanë shumë shkretë,
llamarinat janë të etura për shi
nga shiu që dikur pikonte ndër shtëpi
e bajamet e majme nuk ishin më për tregti
dhe gruri i verdhë në tokë të zezë përhumbej,
kush e bluan, përveç laraskat kujdestare
e grabitqare që hanë gradualisht shpirtin
e tokës time
kur nuk ke zgjidhje, shkruaj,
përveç kësaj, zgjidhje nuk ke
dhe mos e vrit mendjen - më thoshte
dikur gjyshi në labirintet e bibliotekës
së shtëpisë, që bubulonte ndër vete
me plot meditim...
shkrshshkrsh... edhe letrat fërfëllonin,
sikur gjethet e ngjitura në xham
të dashuruara në tejdukshmëri
e muret e zverdhuara nga dertet
jepnin një blozë të skuqur plot magji,
erdh’muzgu të m’i përqafoj mendimet
po të mos ishin kujtimet, ndoshta
do mbetja lakuriq përgjithmonë!
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment