Monday, September 26, 2011

prelude për një rekuiem

si gjithnjë
mbrapsht vërvitja
punime pushtimesh,
blerje tokash e kokash
në kohëra darke
dhembje mishrash
vendkalime shabllonesh
mes shigjetave të farkuara
larg mbështetësve të qëlluar

zi si zilja që hingëllon
mbi kalldrëmin trok
shpotish rrëkesh
si grindavec gojëtharë
ja, qoftë zemra fal
por e thatë si vezë e rreshkur
pranë diellit ndenjur si e përzënë

do kaloja aty ku do udhëtoja
pranë diellit të ha me lugë
lugë të gdhendur nga lisat
të gdhendura gati njëmijë vjet
nëpër udhënaja e shkelur
siç bënë hapi dhimbjen e vet.

janë dy gjëra
që nuk preken as nuk ndahen
janë në një kundërshtim të vërtet
bashkë të ndara që nuk din as vet!
besoj se do ti takoj njërës
ose tjetrës, por
s’ka rëndësi, as e para as e dyta!

përshtati një shtat familjarë
kur hapen dyert, hyn agu i mëngjesit
e kur lotojnë gjethet e drurit të arrës
hija është më hijerëndë, në këtë çast
bënë fytyrën si një fytyrëmemece
se aty flinin etërit e mizave përdhese

i desha sheqerkat e ëmbla lara-lara
prej momentit kur u martova me këtë qytet

që nga momenti kur pashë
se si një hardhucë e shtrirë në mur
bëhej si një çadër jeshile në plazhin e parajsës
e unë dridhesha sikur të isha në Antarktikë

mort, i një murtaje të kobshme
hy në shpirt si agu i një mëngjesi
i qoftë fal dhimbja shpirtbardhë
me muzikën që hap harqe të pafund
e unë me çizmet prej plastike
në dimrin e ftohtë me gishta të ngrirë
më vinte si në hologram përjetimi i zërit

eh këta sy të blerta që ndiznin kalldrëmin
ndërsa gropat e syve të mavijosura pëshpëritnin
rrugën e mëndafshit me afshin e harruar
duke ecur me një butësi të përuruar...

rropamë... mbaje veshin gati
kur ky dimër në shpirt ndezë koftorin,
e kërcëllitjet shponin në pëshpëritje rrugën
drejt një prelude të një rekuiemi

No comments:

Post a Comment