Monday, March 21, 2011

ODA

Atje ku mbyllen thinjat mes akullit të zjarrtë, atje ku formësohen bishtalecat e grindura nën hijen e një terri të akumuluar si peshqesh i dhuruar nga vetmia formale. Vetvetiu përtypem me vetveten. Kjo është një melankoli tipike e një neurotiku të kapërcyer ku si i shastisur e pret me sharrë zgavrën e një dileme dhe thotë: çka ndjenë ndenjuri në odën, mes një pamjaftueshmërie dhe mes një ëndrre!?...Cipëzat e lëkurës së dromcuar përplasen si vija të vizatuara në murin që ndan botën e koleksionuar të afsheve mes shputës dhe ëndrrës, që fshehurazi me një bardhësi të tejdukshme hingëllojnë mes zërave të harruar më. E këto zëra shndërrohen si shufra të zjarrta mes një malli që përkujtojnë kohën e rëndë e të pjerrët dhe nga ana tjetër një gjendje e pafundme dhe e pakuptueshme në odën e quajtur vetëm se me tre shkronja ODA.
E thatë, po ndoshta edhe e lagësht për nga cilësia e sajë e brendshme, e ekuilibruar nën thjerrëzën që sheh vetëm kapërdijë dhe kafshim në kohë, që fatkeqësisht mund ti thuhet kohë e humbur. Ti jepesh një mashtrimi mes fantazmës dhe gërthitjes është njësoj sikur të mbash dietë por që vazhdimisht dukesh i trash, si në kokë poashtu edhe në trup.
Kjo odë më është shndërruar në njeri, ku dritaret janë duart, gjersa dera është një gojë që kapërdinë qenien time në terrin që po gdhinë lodhjen dhe aromën sikur të vinte nga disa këpurdha të prishura në qoshk të odës. Buffff... trishtova dhe brofja mu desh ta ndalë kohën në momentin ku më së shumti më dhembje, në momentin ku më fliste realiteti i shkarë mbi mua, më fliste me fjalë të mëdha, nuk mundesha ta dëgjoja, ma ndalte frymëmarrjen... Dallgëzoja frymën e rrjepur si fantazmën që thithte gjakun e përgjumur dhe në të kotë ofshaja i mbështjellë sikur një lisë i prerë e i grumbulluar në fund të një fushe të shkretë.
Të pajtohesh se engjëjt janë në zinxhirë të lidhur, e djajtë hedhin predha sikur të bëhej një luftë e brendshme civile... po po, dua të pajtohem me këtë fakt, se diçka ziente në këtë vorbull të odës time, odë e vizatuar me vijat e ç’karavitura të vajzës time që i bëri më herët, por këto vija aq shumë më bërtasin, saqë jam shurdhuar dhe nuk i dëgjoj më. A thua edhe ndjeshmëria e brendshme më është humbur në këtë fluturake që sillet dâiman në mua. Apo kërkojë vetëm se rikthim në domethëniet e kthjellura që aq të humbura i konsideroj. Kjo dhomë e pispillosur me lazdrakja e me çamçakëz në gojë si duket më përtyp mua, ka t’ja mbaja në këtë siklet që më ngufatë dhe më përshpejton që ti them ato gjëra që nuk dua, por vetë me vete mendoja se ndryshe liria nuk fitohet. Apo ndryshe disi doja ta definoja dhe pandërprerazi përsërisja në heshtje fjalinë: a thua liria është robëri më e madhe, apo robëria është liria më e madhe.
Kush e dëgjoj plagën time, kush e ndjenë e dhimbjen time, më le të lutem vetëm, nuk dua asgjë tjetër... kush ka guxim të flas me gjuhën e heshtjes... a ka kush që e dëgjon dhimbjen time, a ka kush e shëron dhimbjen time a ka kush e shëron zemrën time...
A shërohen gjërat që s’kanë shërim, ti flasësh vetëm vetvetes tënde, e ti thuash që askush nuk të dëgjon, flisja vetëm me ëndrrën time të pleksur në boshtin që s’ka skaj, që shtrydhë sfondin melankolikë e që si copëza akulli mendimet më vlojnë të rrëshqitura në trupin tim të humbur, thatësi e mjerë, ku guximi nuk i bënë ballë drejtimit tim, nga të shkoj? në botën e premtimeve a! hahaha... edhe në fund e qeshura ishte neurotike dhe e krisur...

No comments:

Post a Comment