sikur të më ishin ngjitur
disa fjalë nga zemra
që dilnin si flluska nga uji valë
piskamë, djersitje,
ethet fillonin të pinin kafen e fundit
vistër më shkonin fjalët,
mendova më gjatë..., ishte marramendëse
kur pyjet puthiteshin me ngjyrën e vajit
nën krifat e nënkresë që rrëshqitnin
sikur ëndrrat e jermuar të zënë jesir
dhe për një moment mu kujtua
intermexo
po ç’na gjet, thash
kur me hukama i avullonim xhamat
dhe vizatonim zemra me dy shkronja
nga të dy anët.... e pastaj
çamçakëzët i ngjitnim në xham gjersa hanim bukë
që më vonë të vazhdoj përtypja edhe më tutje
gërthitje e tejkanosur që valën ja çonin
puplave në orenditë e veshura me atllas,
më falni! erdh një zë i shkrifëruar nga dikush
si zë hijesh që regëtinë braktisjen e vonuar
nga gardhi shpëtoi gjysma e harkut të fjalëve
ndërsa, gjysma tjetër përfundoi përgjithmonë në heshtje
të lumtë për tharmin që vure në kavanoz të buzëve
ahengun me rropullitë e nxjerre në rrafshin e dhëmbëve
me fjalët u plekse si hardhucë gardhesh të pashartuara
gjersa një ditë ndjeva, që asgjë nuk më kishe thënë...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment