
Dua (keni kujdes theksin)
Hyra si rrjet i merimangës dhe fryja me uturimë, dëshira pëlciste në thërrmija dilemat e shtangura në mendjen time, i dashuruari dhe lutësi ishin bashkë, si miq të përputhur endeshin nëpër enë të arta dhe ujitin shpirtra me plotë vërshime, por thatësia ende e mbante në kujtesë imazhin e lëngët, se etja ishte më e madhe se kurdoherë. Fryja me stërpikje dhe i pluhurosa sytë për të rikujtuar shpërnguljen në qytetin e ndritur, ajo bredh buzë bregdetit dhe në çarjen e detit me shkopin e mrekullisë tregon afërsinë sikur korja e bukës me tulin e sajë, kur bunari ishte shpëtim për dikë që u mor nga karvani i shkretëtirës, e për dikë tjetër ishte shpëtim hedhja e librave në të, të gjitha këto ishin bashkë me të dashuruarin dhe lutësin. A ke për të më thënë diçka për mungesën tënde... në ibrikë të stolisur me diamante pija ujin e pashterur që dilte prej dritës së Tij, por u shndërrova në krimbë dhe haja vetveten time gjatë gjithë kohës së lëçitjes tre vjeçare. Isha shndërruar në burim fitues nga pala më e vogël, gërmadhe e madhe si kodër më ishte bërë zemra për humbjen time, por u çlirova si pala që heshti, duke u shkri në dritën çliruese që shkëlqente mbi shtatë kodrat. Thuatë mu mpijnë, nuk doli më ujë nga ato, por aty afër kishte një lumë, por nuk doja të pijë ujë edhe aty, grumbull mu bë zemra, si lëmsh mëndafshi i ngatërruar, pritja dhe prehesha në furtunën e shikimit tim sikur të jem në një sixhade fluturuese, frymëmarrja ime nën ajrin poetik më sugjeron për kthjelltësi, se rruga është e gjatë dhe e gjatë... Ajo ka nisur dhe vazhdon ende. Ndjeja sikur të isha në luftë me renegatët dhe deri tek çelësat e Kadisijes dola, pastaj u hap një plagë, gjakosi fletat e shenjta, dhe doli në devenë e rrethuar, por kush heshti, e vërteta apo drejtësia?..., po ku u takuan ata?, ndoshta u mprehën në lirin e imponuar të harresës. Kraharori im më nuk kishte mburojë, por i dashuruari dhe lutësi ishin si hije që më rrinin mbi kokë, dhe prapë përjetoja fllad, pija ujë nga ibriku im me diamante, pashë se ajo më dha të pijë dhe më tha: vazhdo se të pret fleta si xhan pare për të shkruar në të, fletat i kanë katër stinët, në çdo kohë mundesh të shkruash, uff sa doja ta kem afër vetes bunarin dhe ti hidhja të gjitha fletët, por nuk mundesha... eh... sikur të mundesha edhe pse nuk doja!. Se nuk doja të trashëgoja mbretëri, se ajo më ndau zverkun nga koka, pështjelli pëllumbin në gushtarin e sajë, u avullua dhe ende e pres që nga retë si shiu të më vij, gëzimi dhe shqetësimi më inspironte për të, se gadishulli më priu në pallatet e tyre si diamantet që shkëlqenin dhomat e mëdha. Alhambra si nuse dikur ishte zbukuruar, edhe pse si gra duke qarë u ndanë prej sajë. Erën e djegur të çlirimit e përjetova, aty u ndezën kandilat në shpirt dhe në trotuaret e shtatë kullave të çliruara, mburrje për Divanin, se përskaj detit në tabakhanet e poetëve u shkriva, isha pjesë e heshtjes që me shekuj ishte shtresuar mbi mua. E pres Sarajevën, nuk dijë ende, a më pret ajo mua apo unë e pres atë!?...
II
Po lë anash parzmën e violinës dhe tingujt e sajë le të hyn brenda tek unë, se do të iku në rrugën me tym që më pret mua, ku shikimet humben sikur mjegullat kur mbulojnë hënën, ato ikin sikur që nuk desha të eci pas gruas time të ardhshme, edhe pse në bunar desha të ndihmoj më të dobëtit, por Dritën Hyjnore ende e kërkoja në malin e shenjtë, se ajo më thërriti mua। Fotografit u ngjeshën në brendinë e librit tim dhe i përcillja në forma të vazhdueshme sa herë kur i mbyllja dhe i çelja sytë. Fillova të shkruaj pa dashje, për të shkruar mu deshtë të eci sikur fëmija që fillon të zhagmitet, e pastaj më hodhën në lumë, lumi më dërgoi deri në vendin e sigurt. Me vete mbaja pëlhurën e nënës, edhe pse desha që mos të identifikohem, por syri i ballit në thellësinë e zemrës një gjë të tillë ma ofroi mua. Ikja në autobusin tim si vetëtimë dhe nga habia filloj çdo pore e shpirtit të më eksplodon në ngjyra e nuancash përkujtuese, mu shfaq e bardha me dashurin e sajë, më jepte butësi por edhe më shqetësonte, mu deshtë të bëhem rrobaqepës në parajsë për t’u mbulua që mos të shoh velet që pandarë më shfaqën dhe që njëkohësisht më verbojnë mua. Doja ti shkatërroja idhujt gjatë rrugës time, nëntëqind e pesëdhjetë vite punova për ti shkatërruar ato, por asgjë... rruga ime ende vazhdon, atje ku jam nisë, në Sarajevë, në tymin e përzhitur mbi qeramidhet e lashta me shekuj, ndihesha sikur një fëmijë kur i dalin dhëmbët në fillim, temperaturë kisha, pash labirinte, rrugët më dukeshin sikur gërsheta flokësh që në fund u detyrova që ti shes që për të mos lënguar ende. Mëshirë kërkova dhe prekja duart e saja dhe shihja sikur të kishte pasqyrë në to, nga ato duar shihja me sytë e mi pendimin tim, fillova të qaj dhe ti puth ato, duke qarë u verbova, pritja peshqirin që nuhaste errën tënde që të të shoh përsëri. Lëngova nëpër burgje dhe pritja të jesh ëndërr e imja sikur shtat vitet e thata dhe të bollshme, enën e arrit në hejbet e tua do ta fus, që si e si të jesh pran mua. Ufff... mu dukë vetja larg dhe prapë nisa të vij tek ti... përjetoja pulitje në mes pamjeve të humbura dhe të shfaqura sikur doja të shoh bukurin tënde dhe e pash, po e pash, por i preva gishtat e mija duke qëruar mollën, gjaku rrodhi thellë në tokën e shpirtit tim që kërkonte ujitje pandërprerë, mu deshtë të eci ende dhe dola në tokën e thatë të shkretëtirës, nga ajo bukuri mu kujtua vetmia dhe doja ta shoh varrin e nënës që më la në moshën 6 vjeçare jetim. A nuk ishe jetim e Ai të dha strehë! E ndjeva vetën të qortuar dhe të mbuluar, predikimi më priste që të thith zemrën si gurë të çmuar, dritë më bënte dora ime për të ece në rrugën time, më zgjoi zëri i autobusit në rrugën që shiheshe greminë e madhe, nuk doja të jem pjesë e greminës ku fundoset pasuria e koprracëve, por doja të jem në gjumin e treqind e nën viteve dhe Drita e Diellit të ma mbaj të freskët trupin tim gjatë gjithë kohës. Nuk kisha të holla, se afati ju kishte dal, por e konsideroja vetën prapë udhëtarë, dhe rrugëtoja ende mbi sipërfaqen e gurit mbi shpellë, me autobusin tim si sixhade fluturuese ecja dhe aty pashë do sy, dhe më than: zgjohu dhe prediko se të ka ndodhë diçka që do të jetë bekim për ty. Ankthi edhe pse ishte me mua, më jepte shpresë shumë, e pija një gastare me sherbet, dhe filloi flladi të më puq mua. Ikja dhe bredhja sikur flutura kur kalon nëpër fushat e tulipanëve, dehja nuk ishte shkas që mos të kem argument nga sofra e qiellit, por zëri më bëri të përjetoj dridhjen e eshtrave të mija që kërcitnin sikur arrat kur thyhen. U kthjella pasiqë pash ëndrrën për të bërë kurban të birin tim, se ashtu ishte lutja ime, shihja gurë nëpër rrugën time që udhëtoja, por me thikën e mprehur i preja sikur të ishin djathëra të servuara. Nisi shiu të më mpinë dhe qiellin e shoh duke qarë, por u pastrova që të jem i përgatitur para betejës në rrugën e të dashuruarve dhe atyre që luten, i shoh edhe xhamat e lotuar nga pikat e shiut që ikin në rikthimet e pashterura. Hëna dhe Dielli ishin zgjuar nga djepi i mjegullave dhe bashkë me ta njëmbëdhjetë yjet bënin sexhde. Ku je ti pyeta? Apo ndoshta je strukur në gjakun e rrejshëm që u përlye këmisha gjoja se ujku më kishte ngrënë, bërtisja duke ulëritur dhe thash: s’jam i pafajshëm këtë e dijë, por nuk mundesha të mos e pranojë, se kam faj që dashuroj Të Dashurën dhe lutem për të, më erdh këmisha e gjakosur por jo e coptuar, nga kjo dredhi u lëndova dhe nga malli u verbova, ndaj thash nuk doja të shkosh te Zulejha, se pafajësinë e doje më shumë, të preferoj të shkosh te një Zulejha tjetër, se ajo ishte nga qielli dhe nuk i kishte sytë nga kjo botë. O Zot i Madh falënderimet të takojnë Ty, kur me zbardhësi zbardhon natën, dhe dritat e vockla si xixëllonja duken, ata filluan të zbehen, se agimet e Tua japin shenjën e ringjalljes nga gjysmëvdekja jonë. Një valë në shpirt më kaploj kur shkela kalldrëmin e Bash Çarshisë, menjëherë më shkuan sytë në tullat e vjetra prej guri, ata ishin të stolisura me mjekra të bardha e të lagura nga abdesi, u afrova të shoh plagën në zemrën e lagjes që si kandil mbaja gjallë kujtimin e trembëdhjetë shehidave dhe në kalitjen e frymës së tyre në mesxhidin e Tabakëve. Hanet më dukeshin si xhuxhe të vogla dhe fillova ti përkëdhelja me dorën time dhe ndjeja sikur preki lashtësinë, e pash veten në Selsebil duke pijë ujë, dhe thash: burim xheneti apo çezme në Sarajevë?! Për mua është njësoj! Se etja më thërrmon sikur zambaku që ka nevojë për ujë, në atë moment desha të më përpij lumturia si kuçedër që del nga oqeanet e buzëve të tua. Se buza yte me pështymën tënde ishte ilaç për plagën time, ajo çau shkëmbit e shpellës së shpirtit tim dhe nuk më linte të shqetësohem asnjëherë. E pash lutjen tënde në xhamin e bezistanit si i dashuruar u afrova më afër dhe fillova të lexoja dhe të shihja çfarë shkruan, kur pashë se nga avulli formoheshin shkronjat e tua, fillova të bëjë rrathë dhe ndjeja se si me semazenin tim u ngjita në qiell, e nga lartë pritja dorën tënde të më shkruan dhe të më përkujton mua, menjëherë në atë moment kërkova që ta sjellin fijen e flokëve të tua kalorësit më të mirë që ka bota, se në Sarajevë jam duke e pritur. Aroma më jepte shenjë se ishe nisur, nuk mundesha të prisja, fillova të dridhem! më dukeshe vetja sikur gjahtari që pret gjahun e vet në thellësinë e natës së errët, ashtu siç unë tani pres shkronjat e mija të jenë pjesë e heshtjes dhe vetmisë sime mu në zemër të Bash Çarshisë. Cilën ngjyrë e dashuron më pyeti ezani? Ngjyrën që nuk ka bojë!, apo ajo që ka shije dashurie? Të gjitha i dua i thash, aq tepër saqë nga përgjigjja ime u struka në muret e mplakura dhe u bëra pejsazh i shtangur, të gjithë që kalonin aty pari më shikonin, e unë ndjehesha sikur të isha pasqyrë, por ata nuk e dinin se unë prisja që sytë e tu të më shikonin dhe të thyhem e të bëhem copë e grimcë, por prapë më thave se s’ka gjë, unë do ti mbledh të gjitha grimcat e tua dhe do ti ruaj në sirtarin e shpirtit tim. Pastaj mu duk vetja se lëvizi në drejtim të xhamisë së Beut, aty pashë gurrëz të renditura që dëgjonin ezanin dhe bënin dhikër bashkë me lypsarët tjerë, mejdani i haremit të sajë më gëlltiti në frymën e lehtë të qilimave shumëngjyrëshe, të qëndisura enkas për të përpëlitur sytë e lagura nga loti dhe abdesi, më dukeshe se krejt ishte njësoj asgjë nuk dalloheshe në shkrirjen e avullit që dilte në mesin e këtij dimri. Fjeta thellë në prehrin e qiellit, ndërsa në ëndërr mu shfaq sesi djepi im ishte stolisur nga jorgani i kalldërmës dhe me buzëqeshje më thithte mua. U zgjova në sabah dhe e putha tokën, më pastaj ndjeja aromën e llokumit dhe kafes së parë në shatërvanin që pikonte ujë njësoj sikur që më pikëlon shpirti im për Ty, mu rrëqeth lëkura se e pashë kujtesën time që ishte ende e freskët, përjetova dhimbje të buzëqeshur, se duheshe të IKI në udhëtimin që isha nisur për të udhëtuar përsëri, thonë që kënaqësitë e kësaj dynjaje zgjasin shumë pak, ndërsa lumturia ime është e pafundme në mes të dashuruarit dhe lutësit, se këto dy burime të pashtershme çdoherë do të pihen në pëllëmbën time, dhe sa herë do të jem i etur për ta. Dhe në fund bërtitja në IKJE duke thënë: Kako si noćas ljepa Zulejha u tom svilenom bjelom kaftanu .............
FUND (e shkruar në Shkup dhe në Sarajevë, shkurt, 2009)
selam.poezi shum te bukura,dhe domethense
ReplyDelete