Tuesday, March 3, 2009

Rrotullim

Rrotullim

Asgjësim në rrugën e brendshme përjetova
si flakërim rrotull nën ngritje të ngathtësisë u zhduka
mbi pluhur si fryma u ngjita
dhe si pesësh në njëzet e pesëshe u bëra.
Akulli nën kraharorë më buroi me fytyrë të hapur
nga shtangia u çmalla në palëvizjen time të dehur
si zjarri i habitur, përkëdhela frymën
e shumëfishësisë të Njëshmërisë Tende.
Kisha lindë para bririt tim
nga babai qiell e nëna tokë,
ashtu siç më varrosi dhjetësha e parë mua
nga pesëshja e fundit u ngjalla përsëri.
Nën kthetrat e lapsit shtrihet vija
Harqe mbi ëndrrat e pakohshme ndritnin
sikur zjarrin duke e kall me të fikur
se me gjuhën e fshehtësisë çdoherë i fryja.
Nga xhybja lëshohen xhevahiret e këputura
në Ashik Hanin tim gufonin shpatat e mprehta
për shkënditë e Tua u bëra kurban me Ashkun që kam.
Bredhi nëpër çelësat e fshehtësisë së paprekur
se nga ezeli deri më tani përjetoja vetëm rrotullime.
Rrotull rrotull... dhe prapë rrotullime, ata janë
të paskajshme e të veshura mbi hijen time.

No comments:

Post a Comment