nisa rrugën për të shpëtuar rishtazi
në mullirin e fjalëve ku s’ka kufij
aty ku argjendi bëhet hi
ti ishe vjollcë e erëmuar, e unë faqezi
ma thuaj ti njëherë dhimbjen tënde
ma përkëdhel lotin tim sa për ilaç të zemrës
e mos ma shuaj pritjen si vajguri kandilin
kthe njëherë tek unë, në zemrën time ku më deh
gjithë zërat e erës të thërritshin ty
e unë nuhatja bredhjen tënde afër mua
shfaqesh si qeshje e përpëlitur në grilat e mija
ti ashk më dhuroje, e unë prapë mbeta faqezi
sot më pëshpërite mua me lutjet e tua
lëshove buzën tënde në fletën ku e puthja unë
me shtat të ndritur hedhe gjithë dhimbjen time
e mua me ufma më kridhej pamja yte si gjithmonë
çdo lot ka shtratin e vet ku rrjedhë
për mua gropat e oqeaneve janë të pakta
që lotët e mija aty për t’u derdhë
se ti ishe ajo që ma shtere lotin në këtë botë
në çdo ëndërr këputet krahu i fluturës time
se ajo më dhuroj zhytje ku gjeta vetën në thellësi
në ëndrrat e mija nuk dalloj natën prej ditës
se në sytë mija të verbuara prania yte është vetëm për ty
nuk dua të shoh gjësend përveç hënës së thyer në dysh
si mexhnun ti lëpij muret e shtëpisë tënde kisha dashtë
në sokakun me kalldrëm aroma yte në pritje më helmoi
dhe britma ime për ashk, gjithë komshinjtë i tërboi
më vuan dry se isha mexhnun i tërbuar
ti më shkele me thumba ndaj nuk të dua njësoj
sepse tani të dua më shumë se kurdoherë
fytyra ime e përgjakur nga thumbat, shikimin nuk do ta lëshoj.
as vera nga bodrumet e vjetra nuk më dehi
dalldinë deri në kllapi nga ashku yt e mora
lakuriq në sy mbeta nga drita që më verboi
në natën me yje më thërrite se vetmia më ledhatoi
pse nuk pinë verë më pyetën mua
ju thash se nuk e prishi virgjërinë e buzëve të mija
ashku është vera ku në shtratin tim është pështjellur
dhe çdo natë e ndjej vetën time sikur dhëndër të ri.
çdokush na e ka zili për ashkun që kemi
në shpirtin tim binjak flutura më fluturoi
vetmia ime është mall i pathyeshëm për ty
unë jam mexhnuni e Lejla je vetëm ti.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment