Wednesday, March 4, 2009

Mbidritë



Në pullat e palltos së vjetër shiheshin ngjyrat kaf e gri, por nga ngjyra e zezë e palltos përballoheshe kompaktësia e ngjyrës si një mal i ngjyrosur në mes të vjeshtës, ajo pallto mbi vete mbante siç duket një mijë vjet pluhur. Pluhuri kishte parë lashtësinë me sy si kaleidoskop i shiritit filmik të jetës, çdoherë mbi të dëgjoheshin rrapëllimat e ecjes, që me mall ishin gëlltitur dhe shtresuar në sokakët me plot kalldrëm duke shkuar njëherë lartë e njëherë teposhtë. Kjo bredhje peshonte në kujtimet e lutjes për gjallërinë e pamjes që kërkoheshe për kthjelltësinë e përjetësisë në përjetime edhe pse optika e syve ngathte në këtë situatë sikur të kishte xhama të avulluara, ndërsa unë këtë ngarkesë e mbaja gjithë kohën mbi kraharorë! Çdo veshje dhe zhveshje përkonte si një rikthim i një mendimi të njëjtë, se veshja është shkuarje ndërsa zhveshja është kthim. Gjithçka në rrotullim, hiri i palltos si gacë në zemër dimërishtë gufonte nga gjoksi me hukamë, e nga ofshama tretej drita e vagullt që me zvarritje përkuleshe ndaj Mbidritës, përjetova kllapi, e mu duk vetja si perde e lëshuar në dhomën e shpirtit, dhe shihja me mall sikur të binte borë e vjetër që më lartësonte në pritje, dhe prapë palltoja ime fluturonte si flutur në mendimet e mija, imagjinoja që unë e veshi atë, por në fakt ajo vishej me mua. Ngadalë filloj të bëhet xhybe dhe të shndërrohet në fluturake kozmike, gjithë rruga mu bë qiell dhe semahane, fillova të shoh margaritarë të shtruar si një shtrat i formuar nga fjalët dhe tingujt që i dëgjoja, gjitha perdet filluan të shqyhen nga eksplodimi i aromës që thitheshe në çdo nuhatje, valle e valle qiellore dëgjova zërin që më urdhëroi për lëvizje, mu shtrua ushqim dhe ujë i virgjër në këtë darkë qiellore, eksplodim qetësie në vërshime i dëgjoja, çdo gjë vlonte me fshehtësira për Fshehtësinë dhe më pëlciste shpirti në çdo pore të sajë, mu çjerr psherëtima si gjak i gufuar. Ah ashk i kulluar, po të pyes ty, ku i ke brigjet dhe kush të pret buzë oqeanit? trete gjithë atë ujë dhe përplasu mbi mua. Pasha të Vetmin po të them, se tek unë vetmia jeton 1 mijë vjet si pluhuri i palltos, ajo ec ec e ec dhe një ditë do të ringjallet bashkë me mua...


No comments:

Post a Comment