Wednesday, March 11, 2009

Memoare me ethe



Si përbindësh me skalitje të tepruar mbi sipërfaqen e dheut më dukeshe çdogjëja, paradigma e çfarëdoshme kërkonte ujërat nëntokësore, si i gëlqerosur vendoja fytyrën e dhembshur mbi kupën e hirtë të plakave të mbështetura në kroin e fundëfshatit dhe unë me pa ngurrmë i shihja, në ato ujëra që nuk dukeshin më , por vetes i thash se i përjetoja me plot dhembshuri, se gjithçka buronte nga fundërrinat e pafundme të fytyrave që shfaqeshin si lëkurë e rrjepur nga cjapi i cili ishte bërë kurban për ditën e premtimit. Ecja në vendet e largëta ku vetja më dukeshe si me qenë në mes turmave si thnegël e lodhur nga kokrra e grurit që mbaja mbi shpinë, ky amanet veten ma mori në qafë me një buzagaze të padëshiruar. Mërmërita sikur të kisha pa ujëra nëntokësor nën kupën e qiellit tim! Zë të pazëshëm psherëtija dhe në ato çaste më përpinte heshtja që kundërmonte nëpër imagjinatën time të djersur si një paçavure e shkapërderdhur nga lagështia e plogësht me një mykje të paparë. Vjetërsia më tingëllonte në mendje, apo kalim kohe pa vërejtur thash me gojën time të shkrumbuar, njohja si shkabë e ndërsyer mi gjakosi parafytyrimet e mija, për të ditur më tepër në këtë rastësi që më imponoheshe të bëhem udhëtarë i vrojtuar nga shpirti im me soditje, ndoshta shkruaja për habinë time nga ujërat nëntokësorë që vlonin dhe avullonin me plot helmime dëshirën për të qenë më afër ngjarjes që doja ta zbuloja me padurim. U mbërtheva si pullë postare dhe u ngjita në letër sikur të vija nga një qytet i largët dhe shiu shumë gjatë më kishte lagur duke pritur që të takohem në shtëpinë e vjetër që shkëlqente nga lashtësia e kohës së hershme, e që me vite të tëra kishte fjetur prania e imazheve të përkundura në përgjumje të vazhdueshme. Pasiqë u zgjova ëndrra mu shkëput si kurm i ngjitur në hu dhe si njeri me vetulla të rënda nisi të ec me kujdes të veçantë sikur që nuk donte të ma prishë gjumin që syhapur e përjetoja, se kisha pagjumësi më duket apo?!, se kur netët fshihen pas gjumit, kur ditët fshihen pas zgjimit, ëndrra me pe i lidhë të dyja në skajet e tyre dhe ec bashkë me ta, unë duke thith cigaren time si oxhak i arnuar pritja kohën e degëzuar që të lundron mbi pamjet e feksura e të thurura në guacën time që reflektonin lirinë e mendimit. U mpiva në kënaqësinë e stepur në kohë dhe nuk doja të dilja më. Ashtu më mirë thash vetvetiu, se mu shfaqë një mendje që doja ta vrisja pamjen time në pushkatimin e fundit që organizoja mbi ndenjat e mija, por prapë ja falja, më dhimbset i gjori thash, dhe përse të varroset si kurban në ditën e premtimit kur ende nuk kishte të premtuar asgjë.
Trotuaret e qytetit ishin gozhduar në një varëse të harruar mbi derën që kalonte nëpër shqetësimet e saja, dhe si hapa të ndërlikuara vinin përjetimet si në një peshore mes vitit që lamë pas dhe atij viti që po vjen. Këto përthyerje janë të domosdoshme përshkak se isha i gjunjëzuar në mes udhëkryqit tim të quajtur kohë.
Çdo gjë që duket si e kalbur ka shpirt dhembshurie, se kalbëzimi është fenomen i hjekave, aty ka shtresa e shtresa që notojnë mbi shpresën e përjetësisë, kjo ripërtëritje ka natyrshmërinë konstante për riprodhim ndjenjash sikur të jenë të pezulluara në ajër. Molepsës më dukeshte ndikimi i ndrojtjeve që si takëme ishin renditur në raftet e shpirtit tim, a ta them apo mos ta them pyetja vetveten time!
Apo do ta thërras vetmin të më përgjigjet më mirë, se shkronjat e saja janë të përpiluara nga heshtja si varg i qafores që shkëlqente, e mua fija e qafores së shpirtit më këputej kur i shihja.
Por prapë mora rrugën trotuareve si i gozhduar u mbërtheva pas gjendjes sime të mpiksur, ndërsa hapat e mija vetëm se trasheshin në ecjen time, më fërfëllonte gjithçka në mendje, sikur të isha në një moment jashtë-hapësirës por çdo gjë thash ecë edhe dashuria e arritur tek njerëzit ecë dhe një ditë ajo shuhet, e unë dal ngadalë filloj të shërohem me shkrimet e mija që janë një terapi e pazëvendësuar për mua.

No comments:

Post a Comment