Tre shkurorëzime
(për Utbe ibn Gulam r.a.)
Ti je shpresë e kulluar e ujit matanë
në prerjen e hënës me drapër që më del rrallë
me lëngë të dehur e rrudhim gjuhën tonë të bekuar
vështrojmë kohën syçelë nga uji jonë i turbulluar.
Me njomësi putha valët që më kaluan përreth
në betejë pa mburojë ju hodha fatit të shenjtëruar
nga ku kalim s’kapërdihet ura e Siratit tatëpjetë
po duhet të jetë si një frymë e fryrë lehtë.
Me tre qefinë e pash ndarjen nga sytë e tu
një për mua qoftë hedie, edhe pse qefin nuk pash më
qoftë trupi im bekim për egërsirat
xhepi im është i shqyer, se jap vetëm për Ty.
Ëndrrën ma shndrite o trëndafil me balluke
syzezën nuk e shkriva për hir të rastësisë
se vetulla si gajtan më bëri horre për të qen e saja
e unë të dhashë shkurorëzim që mos të jem me ty.
Ripërtërijë vallen e yjeve dhe lozi nëpër dhé
me sabrin e vajtimit dhimbja më ra si rrufe
rrokulliset loti im si margaritarë i vetmuar
në qaforen tënde të lidhur n’ pé
në dallëndyshe u shndërrove me duvakun nën sytë e tu
e unë të dhashë shkurorëzim që mos të jem me ty.
E pash veten në lutjen tënde të veshur me hi
më than ku je nis të shkosh o faqezi!
Thash në betejën e dyluftimeve veten do ta qeras
si i dehur me verën e xhenetit, hijen tënde do ta vras
O hyri e imja më prit mua, se kësaj dynjaje i kam thënë:
të dhashë shkurorëzim që mos të jem me ty.
Por i dhashë shkurorëzim edhe hyrisë time
që të jem gjithmonë vetëm në pranin e Fytyrës Tënde.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment