Wednesday, March 11, 2009

nëpërdhimbje (I)

gjithçka do të paguaj me heshtjen tënde dhe timen
se harresa është pjesë e pandasisë sonë të bekuar
gjithë ajo largësi është etje që më shkrumbon mua
e që e lajë me lot fikjen tënde bashkë me djegien time.
mur vendoja në mes ballit tënd që si qielli më shfaqeshe
e me varkën time lundroja pas flladit tënd që ma dhuroje
por gjeta flluska deti që përreth shpirtit tim më rrethoje
tretja e dhimbjes më brejti si shkumë për mallin që kam ndaj teje.
u mblodha si lot i tretur në një gotë të mbushur plot
nuk e shihja vetën nga vaji i kulluar sepse më thanë që dergjem kot.
Kotësi nuk ka asnjëherë për ashk të digjesh si meskin
se urtësia është në etjen e pashuar që kërkon vetëm strehim.
si axhami i gjunjëzuar nga habia para të vërtetës rrash
në mjegull u bëra si perlë e humbur dhe më nuk të pashë.
shpresë e imja ishe në gjerdekun qiellorë të më përpëlitesh
mbi pëlhura për të kujtuar gjakun e ngjizur, përse jemi krijuar.
të thirrja nga thellësirat e vetmisë duke u hedhur në notim
dhe nëpër valët e dashuruara të kërkoja me plot afshim.
O Dritë e Pafundme ma ndez fikjen time në zemër që më bren
se dhimbja është xhevahir i topitur që çdoherë do të shkëlqen.
derti nuk është lakmi ndaj vetvetes për të qenë i ledhatuar
se ledhatimi është zvarritje ndaj kohës që më veç kishte shkuar.
jam furtuna e dashuruar që bëjë pluhur mbi sytë e tua
në çezmat qiellore ku më shpërlau uji yt i virgjër dhe i kulluar
unë taxhi i meskinit prapë mbeta pa kokërr gjak në fytyrën time
nga e gjithë kjo, më thanë se duhet të marr shumë mësime.

No comments:

Post a Comment