Wednesday, March 4, 2009

ELIF



Elif, i Palindur e i Pavdekshëm
Elif, si frymë e paarritshme
ti je bukuri e padukshme
e djegur dhe e përvëluar me urtësi
me lot të ngrohta vajton në brendi.
Fytyra e shpirtit tënd shpërlahet
kur sheh sebepet për të kërkuar falje,
atëherë pikëlohet gjethi i zemrës
si shiu që bie në fillim të damarit.
Kur koha është kozmike përplot gjallëri
çdo pluhur është stoli për Ty.
E unë u deha në mejhanen time
se i etur çdoherë jam unë,
unë nuk kam derte
se derti jam vet unë.
I pasur jam çdoherë
se skamja jam vetë unë.
Unë jam dhimbja
që dhembjet më dhëmbin më shumë se dhimbja.
Unë jam dashuria
që dashuritë dashurojnë më shumë se sa dashuria
Më kapi dehja kur më thanë se
ashku për ashkun është krejt ashk tjetër.
Çdo tretje ngjallë përvëlim të amshuar
në kllapinë e përjetuar dua të të shoh vetëm Ty,
se në sytë e mi shoh vetëm sytë e Tua
nga e esëllta ndjej tretjen e urisë sime
nën hijen Tënde puthaqielli më kaploj mua
dua ta shoh atë që dua ta shoh
edhe pse lotimi më verboi mua.

(qershor - korrik, 2008)

No comments:

Post a Comment