Sunday, March 29, 2009

NurHan

në ekzistencën tënde shihja zinxhirë
ku robëria është liri e pafund
askush nuk rrjedh si ky lum me diell
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

si hyjni pasiononte mbretëria yte
me qiellin dhe tokën të shndërruar në një
shatërvan i pazbuluar si surprizë më dole
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

gjylistan i përdredhur mbi kockat e mija
në zemër kur me bredhë me aromën tënde
në shije të pashijuar kupolën si mburojë e ngritje
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

zemra në shkëmbinj ishte vizatuar
dhe pas ty pëlcite duke të kërkuar
e shoh veten mbi vetveten time të shuar
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

jam pluhur që valëvisë thembrën tënde
me ujë zambaku shpërlaj zogëzën e këmbës tënde
mu aty ku shkela tretjen e humbjes sime
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

oqean i ëndrrës sime të mbyllur në kafaz ishe
si bylbyl në tulipanët e kopshteve të humbura je
me frymëmarrje të lehtë në klithje më thërrite
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

në dergah me mure ngjyrë jeshile u mbylla
të gjejë lutjen time mbi nurin tënd të skuqur
me mestet e mija duke e fshij fytyrën time
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

hardhi mbolla që të ngre kupën me dolli
në dehjen time pash sytë e tua dhe i njohja se ishe ti
lëngoja për një puthje në pagjumësi për ty
se aty ku të gjeta unë, nuk je më

puthitje të pabesë në ëndërr më kundërmoi
pash përpëlitje që frymën me pulitje ma rrëmoi
kush i tha se e pashë me sy të mbyllur atë
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

dehja përçon thartirën deri në kupë të qiellit
me vallen e yjeve mbuloja tërë shpinën time
si pelerinë më përshkoi buza yte kur e pashë
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

mik i dashur të lutem më le vetëm mua
në shikimin tim ka njëmijë ringjallje për ty
dua të humbi në arratisjen e syve të tua
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

qanë fëllënza me flatrat e saja të helmuara
aty ku perlat shiheshin me sy të kulluara
unë verbërinë e gjeta në traget e tua
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

shoh tejdukshmëri në shpirt të shthurur
ma jepni lëmshin si dhuratë vetëm mua
kur kaloj pranë hijes tënde ti më shfaqej
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

drita si kandil më ndritë në qoshkun tim
kërkoja vdekjen me ringjallje të buzëqeshur
në sheshet ku shitet vetmia ime e venitur
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

kur e kërkoj vdekjen më shtohet jeta
kur e kërkoj jetën më shtohet vdekja
çdo kafaz ka nga një pëllumb të ikur për mua
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

rrëqethej lëkura ime nga afshi për Ty
e ti si nur i hënës së dhembshur mbulohej
lartë mbi qiell maskën në ballë donin të ma vendonin
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

shihe më than lëkurën e butë mbi thera
aty ku grithet pendesa e pëlhurës tënde unë shikova
akorde të humbura në harpën tënde prapë kërkova
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

mërzitje të ledhatuar në brigje më sajuan
aty ku ka fllad, buron dëshmia si ujë i vetmuar
në përroskë nga llomi i madh nuk të pashë më
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

hallin tim të ithtë në shpirtin tim e shijova
dermanin në skajet e botës e kërkova
bukurin e asgjësë të kësaj bote e përjashtova
se aty ku të gjeta unë, nuk ishe më.

pelini në gjuhën time mori leje të shprehet
gur e hu do ti hedh pas ty moj bukuri
mospasja ime në vetmi dalëngadalë më pëshpëriti
se aty ku të gjeta unë, nuk ishe më.

po të isha rehat nuk do të shkruaja më poezi
në sazen e shpirtit tingujt çdoherë më pezmatojnë
je shkretëtirë e pafundme në qepallat që si pash më
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

kisha dashtë vargu im asnjëherë të mos zbehet
nga gurra e shpirtit të jetë gjallë shikimi i pa përjetuar
në pa kapshmëri ka etje që duhet ende për t’ zbuluar
se aty ku të gjeta unë, nuk je më.

O Zot i Madh lumturia ime nuk ka fund më
ashtu njësoj siç e lajë me lot dhimbjen e pashuar
e kërkuara ime gjendet në brendinë time të pafund
se aty ku të gjeta unë, nuk ishe më.

No comments:

Post a Comment