Wednesday, March 11, 2009

nëpërdhimbje (II)

i nëndheshëm më dukej qielli nën blozën e muzgjeve
si katrahurë e stuhishme pikturohej dritëhija yte e thyer
përsipër zemrës sime ngarkohet etja e lëngëzuar
e shiu u bë shirë, ndaj u deha në paradehjen time.

në livadh nën zgavrën e lidhur pushonte pëlhura me pulla të zeza,
njollat e harruara krijuan skëterre duke ngjyrosur diellin e damkosur,
e nga klithja zërit tim, pa përtesë u çava në dysh.

po ti ishe ibrik me gravurë që sherbetin e shpërndan
nga zambaku i shtrydhur,
ndonëse lotët shtrydheshin prej kupës së zemrës
për të shpërla mallin tim, që për ty asnjëherë nuk shuhet.

je moment i pakapshëm që as hapësira nuk të jep vend
aty ku as drita nuk të njeh për tu shfaqur mbi dhé
as ajri nuk të jep mundësi për frymëmarrje nën rënkime
se je ofshamë e vetësisë time, ndërsa vetësia ime më nuk të njeh.

shumëngjyrësia vajtonte me tallaze të krehura mbi çatitë e harruara
e gjysmëhëna e skuqur si buka e thekur përtypej me ngathtësi
e vagullt ndjesia më mbeti në kopshtet e tulipanëve të shkretuara
se hardhitë e përmbysura më tradhtuan në dehjen time.
o saki ma mbush gotën edhe njëherë që kupa ime mos të thahet
e të përkulem ndaj Hirësisë Tënde se pluhuri në sy më është tretur.

No comments:

Post a Comment