Tuesday, April 28, 2009

Kalb-Name


në zemër i shpërlarë me njollë dritësie
në zemër i ndezur për një fije shkrepëse dëlirësie
në zemër ku oqeanet janë të pakta për notim
në zemër ky thyerjet janë ngjitje pa aktrim
në zemër zemra rrinë në stufën e ngrohtë
në zemër ku damarët janë me gjak plot
në zemër edhe zjarri është më i ftohtë
në zemër shtrëngimi kërkohet si nata
në zemër edhe dita i ka flokët e gjata
në zemër edhe buzët thahen nga lëngu i pastruar
në zemër edhe etja çdoherë me ty është mësuar
në zemër rrinë dielli edhe pa rrezet e saja të fikura
në zemër del edhe hëna nga perdet e saja të grisura
në zemër shteren burimet kur gurgullojnë
në zemër pinë vetmia, aty ku bylbylat shtegtojnë
në zemër kodrinat shndërrohen në fusha
në zemër edhe gjembat gëlltiten nga gusha
në zemër edhe pishtarët ndizen nga sytë e blerta
në zemër çdo gjë shpon qoftë edhe më e zbehta
në zemër buzët shpërlahen te kroi i shpatit
në zemër nuk hyn çdokush nëse nuk e ka të fatit
në zemër edhe tymi i pluhurosur kthjellet përsëri
në zemër nuk hyn çdokush se nuk është kjo punë rastësi
në zemër padrejtësitë janë këshilla që gëlltiten
në zemër largimet janë shkundje që përsëriten
në zemër ka dhimbje ku gjaku të pihet si pambuku
në zemër flokët e krehura janë të shtrira nga balluku
në zemër dyert e dynjasë e lëvizin fjalën e thënë
në zemër edhe sevapi është heshtje e pathënë
në zemër ngjyra është shkrim për vetvete
në zemër është vendi i kurdisur pa vesvese
në zemër besimi është vula si zogu kur rrinë në gushtarë
në zemër edhe vepra bënë klloçka si fara e mbjellë në arë
në zemër zëri i dritës e ka derën e çelë për hyrje
në zemër lutja si xhevahir të zbukurohet si hyrie
në zemër gropën nga gjaku me ngjyrë trëndafili të ma groponi
në zemër të jetë varri ku me librat e mija mua të më varrosni

Monday, April 27, 2009

Unë jam pluhur në Mbretërinë Tënde


unë nuk jam mbikëqyrësi i syve të tua
unë jam thithësi i hijeve të qepallave tua
unë nuk të dashuroj pse duhet dashuruar
unë të dua pse askush nuk të donë si të dua unë
unë nuk pijë në tavernat e qoshqeve të humbura
unë dehem dhe bije në kllapi gjatë shikimeve tua
unë në lirin e ekzistencës robërinë e kam shijuar
unë nuk ekzistoj fare pa dehjen time të papeshuar
unë në zërin tënd të butë shkrihem si maja e dëborës
unë edhe më tutje tretem si rrënja e lules së shebojës
unë nuk kam askënd siç të kam ty o shikim i degëzuar
unë jam një top pluhuri ndaj dashurisë së papërjetuar
unë kur të puth lagështin e pështymës çdoherë e mbaj pranë
unë në sixhade përkujtimin e pështjell dhe për ty do të lus
unë jam fakiri i etur dhe lypsarë për ty çdoherë do të mbes
unë nuk dua që të shfaqi madhërinë tënde në shkronja të mëdha
unë e dua Prezencën Tënde si gjaku që vlon në damar të shpërndarë
unë nuk jam unë, nëse nuk je Ti, ndërsa Ti je Ti edhe nëse nuk jam unë.

Thursday, April 23, 2009

Relativiteti

(kushtuar piktorit M. C. ESCHER)

breg i brengosur
e i llafosur me fjalë
i shtrënguar në bel
e i shtrembëruar në qafë,
sfidë e torturuar
përciptazi e shprehur
në njëmendje të shtrirë,
puhizë e pluhurosur
në shkëmbinj e mbjellë
nga kalamajtë prej guri
me fytyrën time prej betoni,
rrapëllimë pa fjalë
me kokëçarje të harruar
në dimension të shkurtuar,
numra të renditura
me shkronja të gëlltitura
në hijen e mesit të ditës
pingul i vërsulur pas dritës
aty ku gjithmonë fiken llambat,
shtatore e shtangur
në përvjetorin e nisjes
me shkrepës të ndezur
si i krisur shikoja zjarrin,
tretje e zhurmshme
me heshtje të përzier
gëlltisja pambuk për të folur,
në katin e sipër hipja poshtë
e nga kati i poshtëm zbrisja lartë,
i rrëzuar nga kështjella
si zogë me flatra të peshkut
në dërrasa të çara
tragëzova ujin e përshkëllirë,
nga shiriti fytyra u krijua
në lundrimin e kuajve
mbi qepallat e mjellmave
në një anije fluturash
mbi lulet ku qëndronin peshqit,
duke zbrit shkallëve bleta
luan shah bashkë me thneglën,
me rruzull të xhamit në sy
shikoja librin e arnuar
në kolltukun e shfletuar,
në turmën e bretkosave
krekosin krokodilët si zhapinj,
me zhuzhuritjen e natës
në livadhin e kështjellës së fryrë
avulli dilte nga hunda
nga pickimi i diellit,
e unë si i shtangur
shihja pikturat e tua.

Maurits Cornelis Escher (1898-1972)





































Wednesday, April 22, 2009

Dasmë

Kur kam mërdhitje në mes gishtave, më mpihet zemra
Kandari i syve si sondë në shpirt më thellohet
Aty ku bashkë e vrasim fundin e rrezeve të diellit
Me shkrepje lëvizim gishtin tregues nga shikimi
Nëpër male ndezim zjarrin për ti ringjall gjethet
Bashkë me fyellin duke ndjellë barishten e lagur
Në vetmin e veshur para mëngjeseve të zgjuara
Me pikëllimin e zbukuruar në mua si nuse e pamartuar,
Se të thash: për ashkun tënd do të mbes i vejë gjithmonë.

Erërat përuronin flladin me një puthitje të lehtë
Duke mbet pështyma nëpër drunjtë e zhveshura
Ndër çallgitë që këndonin këngën time të dashur
Shihja dhimbjen time të mbuluar nën duvakun tënd
Dhe më brente si zile në shpirt ankthi i cunguar
Se aftësitë ma athtësonin çdoherë shijen time.

Ti shkove të këndosh diku tjetër këngën tënde
Dhe të keqpërdorësh lotin në teatrin e improvizuar
Dole nga ana tjetër e pasqyrës për të më kërkuar
E unë i thyer në copëza pritja hijen tënde të pa shijuar.

Në xhamin e lagur nuk mundesha të të shoh në ikjen tënde
Si frerët e kuajve shtrihesha mbi flokët e tua i tëri në pezëm
E me livandë limoni zbutja fytyrën time nga brisku i buzëve të tua.

Me mortjen time erdha në dasmën tënde i tëri i zbuluar
Se në teneshirë duvaku yt ishte qefin i imi për të më mbuluar
Krushqit më mbanin deri tek varri im, të gjithë të pikëlluar
E unë buzëqeshja kah qielli im i lagur për barrën e shuar
Dhe këndoja lutjen time për sytë e tua që më kishin harruar.

Tuesday, April 21, 2009

Ra ky mo(r)t e u pamë






Me një këmishë të rrudhur isha veshur dhe mendova që të shkoj shkallëve lart ku gjendesha në një moment me i ngulfatur, atje lartë ishte momenti i gjunjëzimit tim, i rrudhjes time, dhe më në fund në heshtje vendosa për kapitullim, nuk shkonte më, asnjë shkas dhe faktorë nuk ishte në anën time, këtë ditë e kam pritur sikur të ishte ditë për pritje të njerëzve për ngushëllime të një morti që të detyron vetëm të heshtësh dhe të shikosh njerëzit në fytyrë, por nuk e kam paramenduar bash ashtu saktësisht se si do të ndodhë dhe si do të rrjedh, por gjithçka nënkuptohet atëherë kur kapitullimin e përjeton në shpirt, se dhimbja është e trefishtë, është si një mangall, poqëse nuk e shuan pastaj tërë natën nga dyoksidi i karbonit në mëngjes mundesh të jesh i vdekur, pra, ky kapitullim është i pahetueshëm, e në fund e sheh vetën të vdekur, a në fakt qëllimi ka qen që të flesh!
E mbërtheva me një kopsë gjuhën time, thash se më çdo qepje në shpirt nuk do ta pranoj, do të shqyhem krejt dhe cullak në shpirt do të mbes, se mbulojën time ma humbën dhe nuk ma huazoi askush, asnjë fjalë bile nuk u munduan që anija ime të mos kapitulloj, i cullakaftë ishte edhe kati ku hipa shkallëve, shiheshe dyshemeja që lëvizte dhe kërcëllonte nga trishtimi i hapave që bredhja unë deri në cakun e kapitullimit. Mendimet u mblodhën grumbull sikur të ishin në një kuzhinë të papastër dhe priteshe që dikush ti lanë, por jo më thash në vetvete , nuk ishte SJAJI me fotografin e femrës që i kishte duart e palosura nën fytyrën e sajë, e që ishte prodhuar në fabrikën e OHISIT, as ajo nuk mundeshe më të ndihmonte. Krejt kjo papastërti është si një ringishpil që rrotulloheshe në kokën time e unë nga jashtë i pafuqishëm shihja se si sillej, dhe ata që kishin hipur në te, piskamat i shfaqnin nga grykat e tyre, dhe nuk u a varin veshin përjetimeve të tyre se dikush ata i sheh me shumë mall pamundësie.
Krejt ky sinkronizim është si një shirit i prishur i aparatit për fotografim, ashtu ishte duke u prishur dhe djegur trupi im në një moment sikur drita kur futet në dhomën speciale të filmimit, por qëllimi nuk ishte shkatërrimi i fotografive, por qëllimi ishte në memorizimin e pjesës së tërësishme që malli i përkujtimit të mbetet çdoherë.
Pamja e jashtme, a është si reflektim i fytyrës së brendshme apo është e pavarur nga gjithë ajo që ndodhë jashtë? I shastisur mbeta, prapë unë, nga buzëqeshja ironike që e ithtonte situatën sikur të ishte një uthull speciale që stërpikte gjellën e parapërgatitur.
Prapë shkallët kërcëllonin, por tani këto shkallë ishin ndrequr në shpirtin tim dhe i jepnin shtypje të madhe trurit që si e si të vendos për nënshkrim të kapitullimit, krejt këto shkallë ishin në pallatin e errët që kukuvajkat e mbushnin orkestrën e përmbushjes së vendimit. Kjo simfoni e kishte skenën e shkapërderdhur dikush ishte në qoshqe, dikush në skenë dikush në lozhë, por të gjithë prisnin të shfaqet kjo shfaqje e errët nën dirigjentin kryesor të pallatit. Pjesa e parë që shfaqej quhej “ra ky mo(r)t e u pamë”, këto ishin partiturat e para nën operën e quajtur “Rekuiemi im”. Krejt këto zëra shprehën një klithje triumfaliste e mua më lanë në fund me troshkat nga hajet, pijet dhe dëfrimet e tyre. Ky mediokritet u bë opium që më kishte kapërdirë mua në këtë kapitullim, ndërsa në arenën shumëngjyrëshe u bëra i famshëm kur i haja copat e lëna të bukës që i kishin hedhur ata.
Edhe pse me shul të derës ma kishin mbyllur gjuhën dhe më ishte bërë si nyje e vjetër sikur të kishte qindra vjet, nga barishtja e madhe ishte mbuluar si një varr i vjetër nën një pemishte të tharë. Po aty, dukeshe në lashtësi shtresat e përjetimeve që ishin shtresuar në të gjitha rrudhjet e jetës dhe përjetimet e saja, dhe si një hije gjysmë e dukshme jetonte dhe preheshe si strajcë e ngjeshur përkujtimi im, e unë isha stepur dhe nuk mundja të flisja më, nga shtrirja isha bërë dru i mpimë dhe krejt pjesët e trupit më dhimbshin. Mëkoja dhe prisja ushqimin nga sofra e shtruar në lamën e shtëpisë së vjetër, atje ku ushqeja gjithë ëndrrën time në të kaluarën përrallore, e jo në lëmshin e së ardhmes.
Edhe njëherë kërkoj që kapitullimi im të jetë i ëmbël, sikur që dua të gjitha tullat e kullave të vjetra të më binin në kokë dhe të jenë shkas i një kthjelltësie të përjetshme për mua, dhe në përjetësi të përfitoj hologramet e fotografive të mija që në çdo kohë dhe hapësirë të më shfaqen çdoherë.
Por dilemat absolute janë kategori dinamike që trajtesat e tyre ngërthejnë aktualitete, poashtu në këtë hapësirë dhe në këtë kohë ku gjendëm unë ndjehem si trajtëformues i shkrirë në përthyerjen se vallë, a duhet të kem zgjidhje apo jo!? Nga toka thithim vetëm shqetësime të përdredhura si tërkuza të nëpërkëmbura.
Ndërsa zgjidhjet çdoherë burojnë nga hyjnorja, e nga qielli i bukur e i pafund siç është forca e pafundme e të Pafundmit, dijeni se mbështetja është fenomeni dhe kredoja kulmore e zgjidhjes, ndërsa qetësia është çdoherë një qershi e vënduar në maje të tortës.
Më duket se shume shkurt i rashë elaborimit të zgjidhjes! Por besoj se nuk duhet më tepër, se në çdo tepricë teprica e tepron çdoherë!

Sunday, April 19, 2009

Se ti më thave

kur ma hodhe zjarrin në fytyrën time të ndjerë
e ti, me plagët ma natësove shikimin në lëngime si përherë

ky sfond i yjeve çan shkëlqesinë tënde pa trishtim
e ti, më dhuroje dhimbje si sonatë e kënduar me pelerinë

ecja përmbi pluhurin e baltosur i ankthuar me kërshëri
e ti, bëje hapa që të vish në zemrën time dhe prapë të rish karshi

me plumb të fryrë më këndonte nata në harqet e shpirtit tim
e ti, më bëje premtime për ditën që ende nuk kishte pas mbarim

trokitja si oborrtarë në mbretërinë tënde me kulla të fildishta
e ti, më bëre lypsarë që lëmoshën e ashkut sikur që nuk e prisja

vajtimi është premtim nga guri i zi që del nga sytë e tua
e ti me jepje shpresë gardhi, dhe më kishe hedhur në prua

nën hijen e thellë futet çdo grimasë e çapkënes së harruar
e ti, në dehjen time shihje një mexhnun kot të tërbuar

kur i puthja qeshjet e dikujt tjetër në ëndrrat e tua
e ti, më thoshe se jam një i zmbrapsur për etjen ndaj buzëve të tua

gjersa fjete në prehrin e dikujt tjetër si kurorë e shijuar
e ti, më shtrembëroje pagjumësinë time, që për ty e kisha flijuar

shkova në mallin e tjetër kujt, gushtar për të krijuar
e ti, më akuzove si hajdut i brishtë se gjoja të kisha zëvendësuar

çdo rojtarë kishte nga një mollë të fshehur nga kopshtet e tua
e ti, fshihej në kafshatën time, që dikush tjetër të kishte kafshuar

konakun në shpirt e hapa që ahengjet të jenë sa më të lira
e ti, një dritare nuk e hape që ashku të dehet me të mira

në gjithë alemin kërkova puplën e margaritarit njëherë për ta parë
e ti, asgjë mes asgjësë më dhurove dhe në shpirt mbeta i çarë

në bashkimin tonë hovë mora për të thurë më shumë perla
e ti, dashurin për ne, e shndërrove në gardhe me thera

jam lavdi i sjellë nga Horasani si tulipani i vetmuar
e ti, llambën e ndryshkur ma zhyte në zemër pa ta kërkuar

në njëshin e futur në dysh si saze e heshtur mbi ty rashë
e ti, më tingëlloje në butësinë tënde me një zë të vrazhdë

pëlhurën në këmishë e qepja si hije që dilte nga shpirti yt
e ti, me thembrën tënde pluhur më bëje me shpresë të fishktë

nga sejjidët për fisnikëri me shumë privilegj më radhitën
e ti, më quajte jetim duke më akuzuar me plot poshtërim

më erdh aroma yte nga mali i shenjt me erën e zefirit
e ti, më bërë që humbjen ta përjetoj me gëlltitjen e zeherit

në fillim ndërlidhej Drita e Tij, dhe më bëri për të qenë i gdhirë
e ti, më dhuroje errësirë me robëri, që tek unë për ta shtrirë

ngazëllimin e përfitova si fryt i vjelë nga flokët e tua
e ti, shportën e zbrazur me dashuri, ma dhurove mua

në vathin tënd në vesh, gjuha ime të shushuriti
e ti, buzën time hallall ma bëre, por zëri im i brendshëm më bërtiti

syri im në kurrizin e shpirtit çdoherë do të më loton
e ti, gërthitjen dhe kohën tënde për mua nuk e harxhon

unë si taxh i meskinit desha që ta përjetoj lirinë me dorën e Tij
e ti, Oj Dynja më dhurove zinxhir që asnjëherë mos të jem i lirë

Thursday, April 16, 2009

Pse shkruaj! kishte qenë përcaktim apo?

Unë nuk i ha peshqit, por i kam qejf që ti shikoj se si notojnë në lirinë e pafundme të tyre. Nuk dua që ata të jenë në barkun tim të grindura nga dhëmbët e mija, por dua të jenë jashtë meje që liria e tyre mos të varet nga shija dhe bluarja në lukthit tim. Kush ka liri të sheh se si kush noton në këtë horizont kaq të tërbuar, pse përcaktimet janë aq të lehta dhe shembin gjithë strukturën kontekstuale të ironisë në grindje dhe të përjetimeve morbide në këtë aheng të quajtur shoqëri!
Më grithte çdo gjë, në fakt më mposhte në largësi varësia, atje ku thyhet imazhi si xham i pëlcitur dhe i zbukuruar në ofshamën e gëlltitur nga malli i pazbrazur, atje ku traget janë në vetmin e paecjes, ku hingëllima zbret mbi malet e shpirtit tim si shfaqje kujtese mbi çdo gjallesë që noton dhe galopon në dukurit e papërcaktuara.
Lëngu i zhurmës shurdhohet nga piskama e shkronjave, ndërsa aktpadia ngritët mes lidhëzave dhe lëngjeve të lidhjeve kimike, rishtazi më shumë se kurdoherë plasarit në pëlcitje kufoma e mbuluar me zall që kishte ngjyrë deti. Krejt po të mblidhen, nuk do të munden ta shtrydhin dhe ta zbulojnë zemrën time, për inat të shumëllojllojshmërisë së perceptimeve dhe ndjenjave të rrejshme që shfaqen nga të tjerët! Kjo dukuri performon shantazhet e ëndrrave si ndonjë skifter i bardh nga legjendat e indianëve lëkurëkuq. Nën këtë tendë djersët kullojnë si ujëvare, por prapë duhet sabër, se ashtu kishin thënë...
Çdo lundrim është kthim në zallin e bregut, kjo vërtetësi të varet në varëset e dollapit në dhomën kur për çdo ditë rregullohesh dhe pispillosesh për të tjerët, ashtu jemi të mekanizuar në këtë shirit të fabrikës që prodhohemi për çdo ditë.
Në vendin ku prodhohen topat e luftës për mbrojtje mua më kishin shndërruar në barut, edhe atë i furnizuar me çmim toptani, dhe gjithë kohen vinte erë e rëndë saqë tytat e hundës ishin zënë dhe nuk dalloja më aromë, vetëm prisja dikush të më flakte me fitilin e kallur me zjarr.
U lodha më në pasqyrat dublo kur reflektohej edhe uni im edhe vëtësia ime, njëherë si grindavec me dhëmbët të dala jashtë e njëherë tjetër me gojë mbyllur për të treguar bonton se si duhet të hahet buka, mjaftë konsumova mjegull, u fryna shumë, do më pëlcet barku nga teprimi. Ky përcaktim kishte qen si një skelet ku nxënësit patjetër duhet të mësojnë në orën e biologjisë për strukturën e renditjes së eshtrave një për një, dhe gjithë kjo renditje e skeletosur është vetëm se rend i ri botërorë i pacipët që thithë lëngun në formë të pamëshirshme.
Kur do të ajroset dhe të pastrohet fryma artistike, ku e ka vendin ajo në këtë vend të ngratë, e jetim, ku janë kujdestarët tullumbaxhi që i rregullojnë rubrikat dhe i redaktojnë pluhurat e ndara në gardhe speciale që si e si ti reklamojnë prodhimet më të reja bujqësore! Rrofshin plugjet se jemi detyruar ti mbajmë në shpinë dhe të kullotim gjatë pauzave kur ata neve na i përcaktojnë, se nuk mundemi më ndryshe. Të ndryshkura shiheshin edhe kristalet që si piptha dëshironin të dilnin në këtë sipërfaqe gjoja të mirëfillta, por asgjë, të jeni të bindur s’ka pllenim në format e arkietipëve edhe atë, ndash për shkaqe eksperimentale ndash për shkaqe estetiko-erotike, krejt kjo është një kontrast i hidhur që nuk përpihet me asgjë. Kamasutra është një punë si Tomy dhe Jerry par excellence!!!

Tuesday, April 14, 2009

Си го видов минатото

Бело во темен превезок
интимно се поврзував со песокот,
зрнце по зрнце се толкуваат
зачетоците обземени од мојата тага
трагајќи по видливоста сред бел ден,
хиерархијата на солзите се умилкува
под клацкалката на препевот,
а смевот е коцка ледена потстрижена
длабоко како митот за жртвеното јагне,
калајџиски тропаат мислењата кои траат
вечно под притисокот на присутноста
виулица истегната под кожата, болно преспива
а јас во невина вода се окапав, молејќи за прошка
како трошка исфрлен над староседелците кои молчат
архаично...
Феноменолошки заклан како клетка преобразена
во далекосежен допир се ткае невестинското бело лице
бликав во изгрев накитен со млитави рози во мрак
а недогледот се полнеше во бара заборавена од твоите погледи.

Sunday, April 12, 2009

Naturalist morbides


hënë e lidhur në zinxhirë
e plasaritur në mur dhe e shtrirë
në para lagje, dhe e hedhur në mes gjellës
si fytyrë e pakripur pa dritare e pangjyrë,
jeton lashtësia në jashtësi si e krisur
dhe me muzgun e futur si murgu në manastir
je fytyrë me pudra por sikur të ishe në skëterrë
por pamundësia forcon ledhatimet sikur të kishe aferë
pamja ishte nën një kapelë ngjyrë kafe, shtirej me përkulje
ndaj akullnajave më të mëdha që kishin ra në tërë trupin tënd
e mua dielli më bënte shoqëri me rrezet e saja në hambar,
e trunt si kallamboqi i ndarë nga kallinjtë derdheshin nëpër asfalt
Pllakëza gjaku të formësuar rrjedhin në trurin e shpërlarë
të gjitha yjet ishin ngjitur në llambën që nuk bënte më dritë
mendimet e mbushura me zall, kërkonin gëlltitje në të gjallë
tymi i cigareve ma sakatonte rrugën time në autobusin e përhimët
shpirti dilte në varkën që lundronte në kavanozin e pafund
më buzëqeshte jeta, me kollitjet që ishin me pështymë gjaku
në kokërdhokët e syrit mbështetej pritja me buzë të mavijosur
e britma shkëlqente në heshtjen e sajë sikur të kishte dritë.

II.
në brigjet e gjumit kërkoj ëndrrën e pagjumësisë
në vjershat e mija kërkoj vjeshtat e vreshtave
nga rrushi që po pres të piqej,
prapë rrijetësova ëndrrën në kandarin që matja
pijen time për dehje, e unë ende s’isha dehë,
kur qethet muri, mua më brejnë morrat në lug të qafës
se më erëmon ngjyrë bezdie mbi pullazet e çartura
që nga larg mbajnë qiellin të lidhur nën robërinë e yjeve,
me këmishë të shqyer veshja mjegullat lakuriqe
dhe i dizajnoja që bashkë me shiun pantallonshkurtë
të shndërrohen në lot që prapë të më kullojnë si gjak
në lugë të qafës bashkë me morrat në kombinim,
e mbështeta natën nën gëzhojë duke e mbrojt nga pushkatimi
dhe si nyje mu ndërlidhë ëndrra në ëndrrën e ngatërruar
me akrepat e orës të mprehura si gjilpëra e të futur në zemër
që të përkujtoj sekondat duke u afruar gjithmonë pranë mua.

Friday, April 10, 2009

Shemsi im

nëse donë të jesh litari i varjes time
urdhëro që pritjen time ta kem përherë
në Hejva do vij të të gjej
dhe bashkë në tyrben tënde do prehemi çdoherë
në çdo vdekje timen ti je ringjallje për mua
të lutem mos mu largo asnjëherë...
edhe nëse largohesh çdoherë je në mua
por më tepër kisha dashtë të jem i vdekur
se sa gjallë pa sytë e tua të vezulluara,
maturia ime është dalldi që aspak nuk pinë ujë
dhe etja ime është në harmoni që nuk ndalet kurë
unë jam endacak dhe çdoherë do të kërkoj
në mosgjetjen time çdoherë do të ndjej njësoj....
në zemrën tënde gropoja xhevahire për të gjetur
në pendimin tim kjo gjendje është për t’u dergjur
shkathtësinë e gotës për të më dhënë verë e vërejta
dhe në sytë e tua u deha dhe në ty, si shigjetë u shkrepa
je ashk që edhe pasqyra thyhet nga ky nur që ke
mos më thuaj, që unë më, nuk të shoh se ku je.
do të digjem si bërxollë mishi në hellin e përgatitur sa më mirë
se ashku kërkon dyert e dergjjeve për ditët që po presin të më vijnë.
gjithçka është në brendi të shpirtit dhe nuk kërkohet asnjëherë
ti s’je askund, por tek unë gjallë dhe pas ringjalljes do të jesh çdoherë
përtej jap selam nën flladin që më djegë nëpër sytë e tua
e shpirti mendon se është i vagullt, nën hijen tënde të mbuluar
në brendi më shfaqej si bukuri, e pasqyra i krihte flokët në vetmi
shih mirë moj bukuri, se tek pasqyra krehrin e kisha vetëm unë
ndërsa fijet e flokëve të tua i gërshetoja në kopshtin tim si përherë
puhi e purpurt kaloj ndër vetullzezën, ndërsa unë u ngrina përmbi
me pëlhurë mbuloi bukurinë që unë mos të jem nikoqirë përsëri
por të thash të pimë verën nën strehën ku dhoma jonë shiheshe përkarshi
unë jam dru i pimë në shpirt dhe nuk shohë fare asgjë nga turbullimi
nga ashku i çliruar gëlltis helmin në zemër që të shoh Çiltërimin
mbeta i hutuar nga kupat e zbrazura që derdheshin nga sytë e tua
prehesha nën këmbët e shkruara që nuk i shihja nga sytë e verbuara,
loti im në duart mbante një pëllumb të shkruar bardh e zi
nga sytë e tua u frikësua dhe pëllëmba ime mbeti përjetë pa ty
dhimbja si breshër më gjëmon, e unë si i ndritur me të fikur të gatuaja
të gjithë tufanet janë rrjepje që i pres me mall, nga puthjet e tua
je në divanin e shtrirë dhe ballin e djersitur duke e mbajtur në mua përkujtohesh
e unë jam djersa yte që tretem në përkëdheljen tënde që të bënë të harrohesh
në çdo pështymë tënde unë shndërrohem si tulipan i ujitur me plot gjallëri
bredhi si poleni pranverorë dhe hy në tufën e luleve duke u avit deri tek ti
si hënë e thyer mes dritës dhe natës futesh nën shikim të përhumbur
unë jam agimi yt që në muzgë perëndoj dhe ngjallem prapë si feniks i rilindur
O Zot ma sjellë pranin e sajë në kopshtet e mija të vetmuara
që të rri në qetësi pran ashkut tim nën buzët e saja të ledhatuara
jam në vetmi çdoherë dhe për drenushën time me lutjet e mia falje kërkoj
çdo gjë është pikëllim dhe shqetësim që besa aspak nuk e meritoj.
do të marrë karvanin dhe bashkë me sytë e tua në haxhë do të shkoj të pastrohem
do bëjë tavaf dhe lutje që ashkun tim që kam ndaj ty, të më bëjë të krenohem
kur sevapet e tua janë gjynahe për mua, tek unë gjynahet janë sevape për ty
por të gjitha do ti djeg një ditë, që si e si të jem vetëm në pranin e Tij
se ashku ndaj ashkut tim është vetëm për Ashkun tim.

Friday, April 3, 2009

Vargjet e shkruara mbi varrin tim

më i pështjellur më duket vetvetja ime
më i dhimbshëm më duket vetvetja ime
se më i lumtur jam mu po atëherë
kur nuk mundem pakapjen time ta kapi asnjëherë

emri i sajë është i thurur në muret e Qabës
por askush nga verbëria nuk e sheh përveç meje
se ashku im është i thurur për ashkun e sajë
unë jam i dehur dhe nuk dijë më ajo a më ndjenë

sherbet rridhte nga buzët e tua si gjithmonë
puthja yte del nga kupa e oqeaneve të ashkut
unë pritja verën e shtrydhur të më bëhet mik
se në vreshtat e mija, veç rrushi më ishte tharë.

kur në të njëjtën natë ne të dytë bashkë në ëndërr u pamë
puthjen e fundit nga ndarja e kësaj bote së bashku e lamë
dua të jenë dridhërimat e fundit në shpirt që po më hutojnë
se xheneti është vendi ku arsyet mundemi ti tregojmë

nga malli në sytë e ballit, dy gozhda mu gozhduan në të dy sytë
në zemër gllënjkat e gjakut dilnin si të ishin gufimet e fundit
mere përsipër zemrën time që mëvetësinë time ta përjetoj
se amanetin e ashkut si kufomë deri tek varret vet do ta dërgoj.

pse vuaj për sebepin e vuajtjes time kaq të shpërndarë
gjithë kjo është punë e ndjeshme për yllin e ndritur e të larë
unë mbështillem në velin e përpunuar nga angërr i ashkut hënorë
në zemrën time dielli rrezaton ngrica të freskëta dhëmborë.

mua më pyetën dhe më than që vetëm emrin t’ja shqiptoj
thash më mirë me vete në varr do ta mbaj këtë fshehtësi
Oj Lejla mos më pyet për Lejlën time ku e kam
syrin e sajë, në bebëzën e syrit tim edhe në varr do mbajë

mexhnuni kishte ëndërruar për një Lejla të gabuar
ajo as që kishte ekzistuar fare, e as që meriton për ta kërkuar
ëndrrat e kësaj dynjaje janë krejt me një anë të pakontrolluar
shihe ti meskin rrugën tënde se ahiretin nuk e ke të vonuar

si bylbyl i plagosur pive ilaçet që cicërimën ta shpëtosh
nga e kënduara në drurin e thyer, shpirtin donë ta shërosh
e shoh ashkun në buzët e bletës duke thithë lulet e malit
shpirti zbret si rrjet i thurur mbi hojet e paprekura të mjaltit.

kërkoni mbret nga një palaço i humbur e i krisur krejt
fukaraja në zemër nuk bëhet zengjin, kjo është më se e vërtet
përgatita plugjet për të lëvruar tokën me farën që s’mbillet kur
ashku në tokë të gabuar, kotësinë e pafundme e shtron me gurë

në shpirt më shushurit zëri për gjoja të shenjtën bukuri,
dhe prapë më thotë zëri, është e kot të ndjesh më dashuri
dashuria me ashkun ka dallim si nata me ditën
gjithçka humbet në të përbotshmen e rrejshme të quajtur mbretëri

këto fjalë nuk ja falin kurë vetës time për një heshtje si gurë
çdo gjë është e shkruar në të shkretën time, nën këtë lëkurë
në pëshpëritje e mia as Kiramen Katibinët nuk dua të shënojnë
se në lutjet e mia të heshtjes, vetëm Hyjnia e Tij më dëgjon

askush nuk jeton aq sa donë vet të jetoj
mërzia është lule që bashkë me ty vyshket
në kraharorin tim zemra nga ashku gjithmonë do të digjet
vdekja e ftohtë nën dhé, çdoherë heshtjes tënde do ti përgjigjet.

rrugët e ndritura të Nurit janë të shkruara në të lartin mejdan
asnjëherë e kaluara e brishtë nuk ka shteg për të dal matanë
nga gjuha ime e prerë me thikë nuk del zë më asnjëherë
në varrin tim ashku përgjithmonë do të mbyllet për çdoherë