Friday, August 13, 2010

Harkor

më tej një hark
që ngjit pejsazhe në murrë
me bymeje të një sfondi sfilitësh
gjakos ajrin e shtruar në qiellin e kalldrëmtë
trage
e vetëm trage me fuqi baruti
që erëmojnë lëngshëm në pafuqinë e lënë në diell
Janë pezhorative këto hije të artë e të hirtë
me thashethemet kur u mpiksa në një natë të errët
ndërduarshëm e mbështolla ofshamën me foli azbesti
dhe këtë gjendje
ja fala vetmisë në netët e trishta
që si kuajt e dihatur hingëllinin në shpirt
ku janë mollëzat e përziera me mijëra gjuhësh?
atje në Eden ishin kafshuar përnjëherë
bashkë me lakuriqësinë e gjetheve digju dhe bëhu kërcell
Poshtë xhamat e thyera prisnin sakrificën
për tu parë e ngjyer bashkë me buzët e lëpira
një bukuri e shëmtuar që shpallej si hero
mos e ndal kallamin e sheqerit, leje të fryj
zërin që e la te porta, mos e mbyll në dry
jam ashtu siç s’jam dhe i takoj vetëm natës
i hirtë nëpër brigjet e fushës me kallame
dhe i veshur në të zi
e ti, si drapër në shpirt më preje vetëm me hijeshi
por unë nuk shihja
as me sy të blerta as me sy të zi
skuqem
dhe në hark me farkore mbështillem
për të lind përsëri

II
më tej një fshat
i ndërduart e i lidhur si rrunëza qafe
me skifter e laraska i mbushur krejt zi
me hënën e hedhur si gjoks joshës
bagremë e shkurre të lidhura në gji
e që turpërohesha kur i lëshoja sy
më tutje një pemishte e mollëve të kuqe
i kafshoja me afsh se më shfaqnin zili
bujë dhe duaj të lënë pas një ferrishte
mbi pamjet e varura në muret e kullave
janë gurët që ndërtojnë ëndrrën e lashtë
me safirë si tespihe qielli që lundronin me varkë
buzë liqenit të kulluar në një zëmër me plot thellinë

III
në formë të hajthëm u pre rruga
mu në natën kur lindi vdekja
aty për aty pasuan dremitjet dimërore
më pas një prestigj që nuk mban kurore
u lëshua lëvozhga të qërohet e të del matanë
prej një larve që mbijeton pa i thanë
në përrua u takuan dëshmitarët që nuk u panë,
jeta dhe vdekja si dy motra ja lidhën duart fatit
e shpien në gjykatë për eksploatimin e tokës mëmë
në atë fshat që s’kishte të bëmë prej në vakt
ishte molla e kafshuar nën hënën që më turpëroi
me vezullimin e reve ,kur mjegullnajave përshtati nuk ju shkoi
a ka perde të fildishta që më tepër shkëlqenin nën dritë?
apo gurët shkëndisnin kur rrokulliseshin hiq pa i dit
pa gjymtyrë si kurma të llastiktë me zëra që jepnin britmë
feksu edhe njëherë të shoh dritë
feksu dhe rrotullohu njëherë të shoh dritë
feksu, rrotullohu dhe në fund fiku që të shoh dritë

No comments:

Post a Comment