Thursday, July 8, 2010

Pëllëmbë pëllumbash

sa pëllëmbë ka syri
kur një predhë i ra vetullës
dhe e përgjysmoj në ëndërr
e unë
lehtë dhe në mënyrë fshehurazi
hyra në shtëpinë e fluturave
midis ëndrrës bash kur tretej,
me duart e gjata leshtake
lisat fshinin lotin e harruar
e disa lule endacake kërkuan
aromën e vjedhur nga gjinkallat
por nuk ju u prishej qejfi,
se pëllëmbët që ecnin nëpër qiell
i krehshin flokët nga krehri i kohës,

sa herë diellin e ngrirë do ta kullojmë
me këtë kulluese që fashitë ngadalshëm
thumbat e rezeve më të vdekura,
sa herë do të venitemi qetazi
duke i mbyllur sytë e pulitur si gjethe ftonjsh
me çarjen e muzgjeve si molla të kalbura
me fytyrë të përpëlitur ndër pemishten e tharë


hija me pigment të verdhë
i ndërsen ujqit në livadhin e murrmët
e fshesa me lëngun e squfurit
fshinë bardhësinë e pritjes së ngrohtë,
si ta quaj këtë shpend që ruan fshehtësi
kur pëllëmbët e saja ndërtonin kala kthetrash
për një lajmë që nuk e kishte parë fundin
e një pirgu që rin ende me heshtje të mplakur

No comments:

Post a Comment