Wednesday, September 30, 2009

Bardhës

nën yjet e buta
kërcëllonin
shikimet e shkrira,
nga qielli i pres
me çarçaf të bardhë
që ti mbjell në mua,
shuaju e shuaju
se asgjë nuk shuhet
përveç se
kujtesa dashurore...

Në avllinë
me gur të renditura
heshtjet topiten
e myku i harresës
vërdallë i shkund
pluhurat në sy
për një verbëri
që cicëronte.

Eshtrat si gjethe
hedhin klorofilin
matanë tretjes
që zemrës gjithëfarësinë
në hambar t’ja mbjellin troç.

Gjithë këto mijëra penxhere
fllad i dhanë ruhit tim
në një qiell të zbutshëm
nën një avlli një han në mes
gjithfarësinë ja dhashë trupit
që me mimikë ta këndell,
petalet valë-valë të hedhura
ngrin shpirtin dhe ispat e bënin
dëshminë e thërrmimit.

Sunday, September 27, 2009

Pjergull


pjergulla lëshoi verën gjak të kuqe
në buzët e mija
dhe buzët e tua si (p)rrush
u shkrinë bashkë me mua

oj pjergull më bënë konak
nën gjethet e tua çdoherë të ri
të vij tek ti dhe si meskin
të ulem në një qosh dhe vetëm të pi

duke pijë mu shfaqë një nur
nga buzët e tua dhe më rrëzoi
më ra të fiktë kur vezullimi i buzëve
me verë më përvëloi

kazanët e rrushit në emër të ashkut
ende janë duke u përzije
e unë përvëlohem nga ashku
si zjarr i skuqur fije për fije

ti më konkurrove në dehje
dhe dashuria jote me shpejtësi më përfitoi
si shkëndijë drite, mbulesa yte
në pjergullën e ashkut pran teje më shpaloi

oj verë qiellore lëngu i rrushit tënd
me mall e vajë më përshkoi
stuhia në shpirt nga tufani i ashkut
në qiell më dha hov e më lartësoi

çdo kokërr rrushi i ngjan syve të tua,
këtë gjë që në ezel e dijë!
së bashku jemi si rrushi
kur shtrydhë verën e kuqe në pafundësi

nën hënën e bukur të muzgut
kur çatitë skuqen nga rrëzëllimi
verën që pinim pjergulla na xhelozoj
dhe u zhduk nga trishtimi!

pastaj si e mallëngjyer rinte pjergulla
në rrugët boshe falje duke kërkuar
terezia e pirjes së verës nuk u prish hiq,
se kërkonte ende për t’u vazhduar

kërkuam mëshirë nga qielli që pjergullës
t’ja falë këtë hata që e bëri
thash: të jemi të kënaqur që nën mëshirën e Tij
kjo gjë në të mirë përfundoi

eja tani të ulemi nën pjergullën ku ashku i dehur
shndërrohet në oqean që s’ka kufij
të zhytemi në këto thellësira me puthje
dhe nga etja e madhe të mbesim gjithmonë aty

Wednesday, September 23, 2009

Mashuk

çdo thellësi dashurore ujitet nga burimi që del nga Ti
kjo sprovë u shua kur trëndafili ra nga provimi në bukuri

të dashurosh bukurin e lajthitur i thonë të bredhësh në arrati
të jesh ashik i bukurisë së fshehur është sikur të dergjesh në vetmi

kjo dhimbje e vetmisë nuk prodhon gjë tjetër përveç se bukuri behari
kësaj vuajtje të vetme rrugët i janë të shtruar me tespihe margaritari

të mbash tespihet në përkujtim duke i numëruar thellësitë e syve të zi
është njësoj sikur lotët kur e farkojnë hekurin duke e shkrirë këtë mërzi

këtë melhem nuk e prodhoi dikush që rastësisht ju kujtua
plagët janë mëshirë për të vërtetën kur i than mashukut - të dua

pasqyra nga Bukuria e Tij gjithmonë në sexhde grimca - grimca thërrmohet
në brendi të vetvetes çdokush le ta zbuloj pasqyrën dhe pastaj le të vetmohet

e shëmtuara e jonë e çal kërkon copëza pasqyre të reflektohet
nga Bukuria e Tij ashku i dehur me miliona copëza përjetohet

kësaj vetmie me një gjuhë tjetër i thonë liri që nuk ka kufij
eja xhanëm se taxh meskini është i dehur gjithmonë për ty

Digju më një dit dhe eja pran meje

më jep flakadanin ta djeg trupin tënd dhe të them digju
por shpirtin tënd mos e harro që të ma japësh kur të them dehu

trupi yt i but e meriton zjarrin
shpirti yt në mua kërkon pronarin

flaka shndërron hirin e trupit tënd në asgjësim
dëshira për ta pasur shpirtin tënd shndërrohet në përvetësim

më mirë më thuaj se nuk ekziston në këtë botë fare
që shpirti yt të bredh në mua me dashuri ashiqare

është thëngjill i djegur trupi në formën e sajë
shpirti yt ka harmoni si qiejt që nuk kanë skaj

digju çdoherë o trup që më robërove mua
ma jep shpirtin dhe më çliro që çdoherë të të dua

ky trup asgjë nuk është vetëm se një verbëri
ndërsa shpirtin tënde e dua se më jep gjallëri

vuajtjet e harresës që kur nuk të pash – moti i kam harruar
shpirti yt një sekondë nëse nuk është me mua, më bën të tërbuar

trupit yt ka ra në skëterra të zeza dhe përkujtohet kot
shpirti yt është në piedestalin e nureve ku nuk shuhet dot

ik prej meje o trup i shëmtuar dhe nga syri im mos kërko shërim
e ti, shpirt i dashur, rri me mua, që dehja ime të kalon në përjetësim

digju më një dit dhe eja pran meje
dhe asnjë ndërmjetësues mos të ketë mes meje dhe teje

Letërkëmbim me vetveten


të kopsiti lëkurën
mbi avullin që fal myshqeve
drejt diellit
krejt në katrahurë
me pëlhurë
plot lot ishte mbushur
një bilur
ishin bërë si damar të zverdhur
pikat e gjakut që shiheshin në pëlhurë
sihariq
shkurtabiq
plot mijë të përhimët
me bisht
të përvjelë e të lagur
të spërkatur
të shkundur
buze-hundë në një.
tepsi
misër
mistri
llaç
e lloç bëhen godinat e fytyrave tona
autoerotik
problematik
periodik
metafizik
e këndshme ishte ajo që përjetova
po ti më mirë të më harrosh mua
ashtu i kishin thënë gjethet
vjeshtës në momentin e ndarjes.
Inferiorë
infantil
me mollën e kuqe me sheqer të djegur
tek muri i groposur në foshnjoren e vjetër
të mbuluarat shiheshin si memorie të grisura...
Sanatorium
i zymtë
ku humbjet janë një
praktikë klinike,
rrëke sindromesh
u mbyllën në
tejkohe me të gjitha dosjet
nga
patronët këmbëzbathur
që zgjidhnin
vetminë hibride
bashkë me
anoreksinë fluide.
agshol në pranga
shkumëzi
ndjellakeq
në kodin e shifrës
plot stuhi
me një dukje gjoja se
homogjen në tërësi
e pashë si lënda e vajgurit
i djegur
i shkrirë
i shfytyrosur
në një anë me një nam
gjithë i prirë për matanë
këto kambana fikin qiri
duke ndjellë ogurzi
E unë në vetmi
e kopsita lëkurën time.



Friday, September 18, 2009

Kâmil Han

Çdo frymëmarrje është një Hu ku gjithçka gjallërohet
mangësia jonë me Ty pajtohet dhe në shpirt çdoherë kërkohet

Përsosshmëri i thuhet, kur mangësia jonë e dëshmon kuptimin
shenjat e Tua shfaqen tek ne për ta ndihmuar durimin

në saffin e mbi saffëve liria me një përkulje të denjë çlirohet
Haku i të Lartit Nur në shpirt lëshon lastarë dhe degëzohet

ne jemi njëshi për hir të Njëshit, që tretemi vetëm në Njësh,
shkrihu dhe qëndro në Njësh, se aty flakërohen faltoret

me engjëj në Bejtul Ma’mur, qiellin e bart falënderimi
në tokë është Hu-ja, një ilaç që e shëron pezmatimin

tre çelësa të arit kaliten për ta hapur derën Hyjnore
Hak, Haj dhe Hu janë i vetmi përdorim i thurjes prore

çdo kandil fsheh dritën që gjëmon në shpirt
çdo velë shpaloset kur gjuha për Ty pëshpërit

sekreti fshihet aty ku puqen dy detrat në thellësi
e Ti, si një shpatë e zbukuruar me filigran, në shpirt më ke hy

këto ngjyra e zbukurojnë detin nën puhizën e buzëqeshjeve të Tua
çdo puthje është një shkrirje që thurë dashurin ashtu siç unë dua

si mund ta dua vetveten nëse nuk e hapi dashurin që të dua Ty
dashuria ka një shije të pafund, se gjithherë shijohet në brendi

ekzaltimet janë mundësia e afrimit që deri në qiej të afrohemi
përjetimet na e helmojnë shpirtin me dashuri, kur në Ty përkujtohemi



09.09.09, Stamboll

Shkul

kur shoh pikën
përtej vijave
në shkuljen e shpirtit
nën rrënjët e maleve
më varen tespihet
në grilat e zemrës,
thithi tymin e cigares
dhe shoh qaforen e këputur
me xhevahire të përkëdhelura
e unë, si çdoherë i thinjur,
me kokrrat e lotit i mbuluar
i hedhur pas kockave
që më përkujtojnë
majën e hidhur të përmallimit.
Kur një saze digjet në mua
cipat e zemrës flakërojnë
dhe bashkë me ofshamat lidhen në pe
e hedhin vallen e dhimbjes
Një fjalë e alltënit kur thuhet
copëzohet me heshtje shikimi
ndërsa tek unë
laringu i gojës
me gargarën e lotëve përtypet
deri sa
dufi shpërlahet si velë i bardhë
në kroin e njelmët të shpirtit tim
O shpirt bëni ballë humbjes
buzëqeshë në përmallimin tënd
e qaj sa të mundesh
dhe mos u shter asnjëherë të lutem...
puthe nejin dhe zbrit me heshtje
kur të frynë vdekja jepu me gjithë qejf,
me mall të përvëluar qeshu
dhe bëhu gati që dashurinë ta varrosësh

Sunday, September 6, 2009

Recetë ëndrrash

disa bujë të jeshilë
me bishta të kuq
kishin ofshame të mprehta,
këto dhoma të errëta
me vete i barte një shpatë që vezullonte
por doli një arushë fosforite
që shkrumbonte gjak
pas shtëpisë që nuk kishte pronarë,
një fantazmë nga uterusi i tokës
shpoi qiellin dhe ja pëlciti tëmthin maleve,
një çarçafë i përhimët përmalloi tymin
më djegën sytë dhe i fërkoja më shumë,
një motiv kanibal thumboi mendjen
eshtrat nuk ruhen çdoherë në muze
disa vathe të zbukuruar
në një liqe të formuar nga syri
u humbën, se kishin një gur të çmueshëm,
shihe ëndrrën se si vrullon si gejzer
duke i larë flokët e thinjët
nëpërkëmbja ime dukej si hije nëpër tokë,
një trazim i epur i puthte degët e qershish
të mbuluar përplot me borë,
ky shijim ndezë shtat zjarre që nuk shuhen kurrë,
aty ku lëpin macja,
trurit i shkon mendja te sahani
plot krevate të pashfrytëzuara
në sanatoriumet e harruara nga pronarët
e një prej të shtrirëve isha vetëm unë,
merrja aromën e çarçafëve
pas konsumimit të groshës nga sahani i metaltë,
në anën e djathtën e pashë anën e majtën
sikur miu ti kishte ngrënë të gjitha anët
dhe gjithçka ishte e boshatisur
si një djathë i shpuar zviceran,
lagjja po digjej nga një zjarr
që e kaploi natën
disa skifterë që mbanin gaca në sqep
i hodhën mbi lagje
gjithçka u bë hi dhe u shkrumbua,
kush fliste nga gjoksi dhe nga duart
me gjuhën e një qukapiku
gishtat më fluturuan
si një tufë fluturash të bardha
dhe u përdrodhën në një shtëpi
një harabel i vogël theu bardakun
pran dritares së hapur
jagiat e minderit u lagën
krejt direkët dhe tratë e tavanit u thyen
të gjitha korbat e fshatit
kishin lënë plehrat e tyre
po në atë shtëpi të shkretë
bishtalecat e vajzave të virgjëra
qetheshin dhe liheshin
pran varrit të shenjt,
bishtalecat janë pjesë e nderit,
kishin thënë që nga kohërat e lashta
se çdo e qethur kushton jetë!
kam ethe kënaqësie
se çdo buzëqeshje bëhet qull në djersë
kur erëmon buzët e dredhëzës,
por në këto molla ka shumë helm
gishtat nuk priten kot nga brisku i shijes
duhet mirë e mirë ti shijojmë gjërat!
se kur shijohen formohen
xhevahire në formë zemre
dhe në vathe zbukurohet melankolia e largësisë.