Thursday, April 28, 2011

eja tek unë e dashur

eja tek unë e dashur
tek unë janë njëmijë fytyra
tek unë janë njëmijë mynxyra

eja tek unë e dashur
tek unë janë një mijë hije
tek unë janë një mijë hire

eja tek unë e dashur
tek unë që të njoh
tek unë që s’të shoh

eja tek unë e dashur
tek unë është shija
tek unë është verbëria

eja tek unë e dashur
tek unë është njohja
tek unë është boja

eja tek unë e dashur
tek unë është vërtetësia
tek unë është zbehtësia

eja tek unë e dashur
tek unë është shpresa
tek unë është vdekja

eja tek unë e dashur
tek unë është ferri
tek unë është dielli

eja tek unë e dashur
tek unë është parajsa
tek unë është farsa

eja tek unë e dashur
tek unë është dashuria
tek unë është tradhtia

Wednesday, April 27, 2011

ku ti gjej poetët

ku ti gjej poetët
buzëmbrëmjes të mbështetur
me shkronja duke u tretur
në mbretërinë që e kurorëzojnë

ku ti gjej poetët
në mullirin që bluajnë
urinë që shuajnë
veten që kërkojnë

ku ti gjej poetët
kur vargëzohen
kur bastardohen
në anën tjetër kur kalojnë

ku ti gjej poetët
kur heqin lirinë
sfidojnë dashurinë
vetëm që të shpresojnë

ku ti gjej poetët
në ëndërr të prangosur
në lulishte të parfumosur
trëndafilin kur ledhatojnë

ku ti gjej poetët
si gjinkalla të hedhur
me sy të bredhur
zemrat i hutojnë

ku ti gjej poetët
në varre me varrmihësin
në gjykatë me gjykatësin
lirinë po e shtojnë

ku ti gjej poetët
të thinjur breza më breza
të varur për litarë si këndesa
zërin që nuk u a dëgjojnë

ku ti gjej poetët
që shesin mallin e tyre
që plasin vargje me fyerje
me derte që i terrorizojnë

ku ti gjej poetet
të më flasin mua
që më tepër mos të shkruaj
lapsin tim ta pushkatojnë

ku ti gjej poetët
njëherë të thuan
mjaftë më u rebeluam
këtë botë në parajsë ta dërgojmë

Friday, April 22, 2011

Jurij Anatolieviç Zhivago

shkrepjet në
lojërat e pasqyrës
të deshën si mëlmesë poetike
me kavijarë të skuqur e me verë
ndërsa mua, më përpinin nga këmbët pa dënesje
nën rropamën e hapave
duke qenë i djersitur të prisja
gjersa dilte hingëllima e kuajve
në barishten e njomë të përkëdhelur nga vjeshta
më hiqet dhimbja sikur dhëmbin duke e nxjerr
shpresoj se nuk jeni i dashuruar më than
se pasqyrat prapë më sfidojnë
me dhimbjet që zgjasin pakufi
se këto dhimbje i përjetoja që në vegjëli
që kur qielli ishte i mëndafshtë
dhe me trenin tim të dashur qiellin e shkelja përsëri
po ti më ike, në mes të këngës kur të këndoja
mes dëborës së brishtë atje ku piskama nuk dëgjohej
në kraharorin tim të imagjinoja të puthitur
buzët e mija me buzët tua të ngjitura nën llambat e ndezura
kur lakuriqësoheshim në mendimet e kaluara
dhe pranonim që qeleshja është nga lëkura e tigrit të Uralit
dhe ne, duke qen të strehuar në “shtëpinë e plagëve”
me bustet sakrale e të ndryshkura e gjeta timen dashuri
por, ndaj kujt jam kundër, po pyesja!?
lirin që gjeta e hëngra me plumbin
duke shkuar drejt vendbanimit të vdekjes sime
po ti kisha dy jetë paralele ti jetoja
në bibliotekën e qytetit buzëqeshjen tënde do ta kërkoja
dhe më në fund do të gjeja ty
ja ku gjendem tani,
më mirë të vetëvrisja veten në emër të revolucionit
apo nëpër llogore të ma varin shpirtin si mish të thatë
e unë ende më tepër e ndjeja urinë bashkë me dashurin,
kur ujqit e mjerë të qeverisë afrohen afër
me ulërimë kanibali si peshqesh na i falën vetëm disa qirinj
ndërsa ne ndiznim dritën me letrat që ishin të shkruar përplot poezi
katër gjuhët e shpirtit mbanin vargjet pas abazhurit
pas dritave të fikura, pas dritareve, pas pasqyrave, pas çizmeve
dhe meqë vdiqa, kam kujt ti besoj përgjithmonë
ndërsa në këtë rast ju besoj vetëm se vargjeve të mija...

Tuesday, April 19, 2011

traumë

makth
me një klithje të butë
në gjendjen e vetëmohimit
kur natën qëllimisht
e terrova me sytë
e në këtë kapixhik
më zuri lungë plaga e vjetër
përtej mundësisë më tej shkova
që me një lug ilaçesh
të shuaj dhimbjen e çjerrë
e vangat në shpirt të më rrjepin
që mejdani të del nga
nëntoka e zbehur dhe e thellë

na ishte një mizë përdhese
qante kur dëgjonte flautin
.......................................

uturimën për ta vardisur
në thepat ku shkëmbinjtë shkrumbojnë,
me shigjetë të përgjakur për të thepisur
parzma për të krijuar, e jo për t’u katandisur

na ishte një mollë e qëruar
që i binte harpës e gëzuar
........................................

ç’janë këto mbresa të mbështjella
të zënë rob nëpër kështjella
nga vargjet e sëmura prej veremi
që lisat bashkë me frymën i pollën
dallëndyshet nëpër gushtar ende nuk i sollën

na ishte një hije e m’trashur
që me kitarën e sajë vizatonte në zall
.........................................

po të shoh si një trëndafil
që vrojtohesh nga gardianët
në ndër-dije më flisje me petalet
e gjembat si kujtime më dilnin prej ballit

na ishte njëherë një e qeshur
që e shoqëronte me violinë vajtimin
.........................................

jam nomad i teptisur
brengës ti jap krahë që të fluturoj
se mungesën e kam shoqe dhe nuk e lëshoj

na ishte njëherë vetmia
e zbarkuar për të kënduar serenadë
me qumësht po më lante virgjëria
në dehjen që se përjetova askund

na ishte njëherë.....

Utopi

për artin e fjalës
ti hedh një parabolë
heshtjes
apo ti bëjë biopsi shpirtit,
ti hedh kokës uji hiri
nga ujërat e tejdukshme
që sytë të shndërrohen në liqe
e ngjalat me bishta
ti hidhen vetullave si rrufe,
në rrudhat e mija
shtrihen qytetet e lashta
të banueshme me mijëra vite
e nga ana tjetër dikush
nëpërmes ballinave të librave
që kanë sytë kokërdhake e hijerëndë
i flisnin çupës me flokëvjeshtake
e trishtimi i sajë nga fotografia
i nis shtegdaljet nga shtat portat
mes syrit dhe zemrës....
etjen po e hetoja
kur zërat flisnin përgjumësh
më thërrisnin pa hamendje
në sfondin e pritjes së lodhur
në stepet me kaktuse
që i prijnë etjes në paraprisje,
lëngu i qiellit lëmsh e qull më bëri
verën nga taverna me pajton
nga dielli si dhuratë ma solli
kujt i ngjanë kjo pikturë
darkës së fshehtë që Magdalenën
në prehër ma mbolli
minutat dhe orët shkrihen
në gjirin tënd
edhe akrepat shpërndahen
prerazi mbi shtatin e plogësht
uji i ligshtë s’ka mundësi
për të pastruar një të kaluar të rrudhur
ku eremitët dhe shtegtarët
butësisht nisin një utopi të trembur!

Monday, April 4, 2011

për Ëndrrën time

Çapitja gjitha rrugicat
sikur qelqet të mbanin barrë
mbi kujtimet që më lënduan
nën mjegullat kur puthin traget
se kjo ishte
e vetmja gjë që kisha prej teje....
eh këto lëndime,
si sheqerka më duken,
sikur të lëpihen dhe gëlltiten
që nga fëmijëria e hershme,
dhe kur të kujtoja
mbajë mend, se ishte ditë
gjysmë me diell e gjysmë me shi
e unë të përgjëroja nga cepi i lagjes
ku gjithë të inkurajonin...
unë shfaqja gëzimin se ndjeja
dhimbje për ty...
nëpër përbaltjen e imagjinatës
ende të vizatoja
në bllokun e shënimeve të mija
ku ende më tepër më bënë
të shtegtoja e të ikja
në ngrohtësinë e dhimbjes time,
kur përflakësh si sheqerkë
me mall të ëndërroja,
në lagjen me zhurmë
përditë në cep të pritja
se ende të dashuroja,
edhe këtë ditë
që nuk është e fundit
jam në cep të lagjes, ku frymoj
thellshëm që ende
dhimbjes ti përqasem me tingujt
që më lan mbrapsht, por
gjithmonë në të ardhmen
të kam ende në ëndërr
dhe dua të të zë në grackë
aty ku gjumi më përçon të vijë
atje ku nuk të gjej më...
por të pres ende...
edhe përtej vdekjes
në parajsë do të pres
ku lumi do rrjedh së bashku
me ëndrrën tonë
nën hijen
e përkujtimit të dashurisë
që çdoherë do të kem pranë