Saturday, December 25, 2010

Eja, e frymën ma merr

edhe frymëmarrja nuk ishte frymëmarrje më
edhe shikimi nuk ishte shikim më
edhe qoshku nuk ishte qoshk më
eja, e frymën ma merr

dy turbane të gjylistanit janë bërë dritë
dy udhëheqës të shpirtit, a thua vallë janë përsërit?
të shkojë e ta lajë më tepër copën e qefinit
eja, e frymën ma merr


të jam erë në lirin e tingujve të flladit
daiman i ripërtërirë ne thellësinë e ashkit
e ti këndojë pa ndërprerë pafundësisë
eja, e frymën ma merr

në mejhane kupën e alltënit ta kurdis
sa kanë ujë oqeanet, aq me verë zemrën do ta zhys
lirin e qenies në mua gjithmonë do ta shkrijë
eja, e frymën ma merr

o margaritarë shndritu e mos u mbulo
eja në qafën time stoli bëhu e mos shko
kandil i flakëruar ty të kanë jaratis
eja, e frymën ma merr

ej hak dost
eja, e frymën ma merr
ej derin ashk
eja, e frymën ma merr

aty ku puqen dy kupat e qiejve
janë ashikët e përbetuar të ndejave
dyzet ditë ky mexhlis me një frymë kalon
eja, e frymën ma merr

ej Ruhi Shemsi çift i shpirtit tim
nën hërkën tënde njohja s’ka mbarim
edhe njëherë pështymën tënde ta shijoj, e pastaj
eja, e frymën ma merr


Konja, dhjetor 2010

Saturday, December 11, 2010

balancë

për një fund që fillon nga fillimi
në mes të qendrës si qoshk më rije
aty ku qëndresa është kënd pa hije
në mes dy fjalëve ka një zë kuptimplotë
të një elegance në distancë që rrinë vetvetiu
reliktet në gramishtë i thithja me lashtësinë
në epërsinë që ëmbëlsisht e rrekja kotësinë
në mes të meseve rija me mesin në mes,
aty ku hapësira ndan kohën pa shtesë
si një pikë-qendre kohore në prapavijë
rrinë ashku, si balancë heshtazi

tre qiri dhe tre flutura

Zgjasë
nëpër këmbë
këtë litarë të shkronjave
me që nuk dua ti lexoj
vargjet dhe poezitë
disi ngashërehem e pleksem
në këtë kohëzgjatje të lëngshme
që nuk llapëtijnë
por krahët më bëhen grimca para qiriut të parë...

si dyllë qiriu i mblodha buzët
e nata e rrëzuar nën kllapi të fildishtë
derdhej me trup mbi lëndinën e oqeanit
kjo i ngjante
një shëmbëlltyre të eksploduar
që shëmbëllen si akacie buzëpalëtuar
e shndritshme me të lyer,
lustra ku shikimin e verbon
jam afër qiriut të dytë,
krahët më ndizen, se matanë të padukshmes shkojnë

si rrjetë në bardhësinë e lëvizshme
një muzikë hyjnore ndjehet me zjarr
në fikjen e dritës në natën e fundit
në shkrirjet që humben nën drithërimën
e kafazit të quajtur botë,
jam afër qiriut të tretë
aty ku kulminacionet s’janë perfeksione asnjëherë
po lëvizje krahësh të puthitura nën plotin e ndarjes

shtegtoj

një fije flokësh
bie nga qielli
shputa e këmbës
shkeli brinjët e tokës,
kur vdes uji
mjalta myket ndenjuri
një fije peri qëndis
zogu kap kokën dhe arratis
margaritarë e imja, seç të gjeta
në shpirt i shtangur në vetmi mbeta
dhe thuaj
ku të fluturojmë o shpend krahëlehtë
sa pupla të perlë, të bënin ujëvarë përjetë
fërfëllo e hedhë dritë në sytë tanë
së kjo i ngjanë ringjalljes kur të kam pranë
sa më tepër e shoh fytyrën tënde
aq më tepër e shoh vetveten time
derdhu lehtë e bjeri tufanit e na hidh në qiell
të fluturojmë së bashku e të shndërrohemi në diell
bashkë
u njësuam kur ende koha nuk ishte krijuar
se ne ishim në kohën, më veç të përjetuar
bashkë
kur zërat ende nuk ishin krijuar të tingëllojnë
ne, fjalët i thurnim që nga parafillimi të burojnë
eja
kur gjembat e trëndafilit lëng të pijshëm kullojnë
zemra flladitet nga ngacmimet e gjembave që shpojnë
eja
mall, t’i hidhemi valles qiellore
ti rrotullojmë galaktikat në zemrat prore
eja
zog i imi
eja...

një soj

kur qielli bëhet fyell
kaplon melodi e butë përtejskajore
vrimat aq tepër frymojnë
duke shprehur lirin e tingujve Hyjnore
A Olimpi a Sinaj më je
A Panteoni a Kaba më je
A Aploni a Davudi më je
A Athena a Mejremi më je
A Xhulijeta a Lejla më je
A Romeo a Mexhnuni më je...
A kush më je?
një grusht dhé është para ty
një derë e hapur që s’kërkon emra
shenjtëria e ujit të përlagë si era
a është zemzem apo ujë i bekuar si radhët tjera
se nuk jam i mendimit për bashkimin të flas për një soj
të njëjtë sikur të gjithë të ishin, deri më tani nuk e besoj
por çfarë flakërimi i ngjitet besimit
si të dëshmoj, ç’i ngjanë njerëzimit
ngashërimit i jepet radha të flas
nga heshtja përkitazi nuk mundem të bërtas
ejani në derën që s’ka emër, e prehu
hyni me virtyt të heshtjes dhe dehu
aty ku rrinë gjithë të barabartë pa emërtime
fjalët e pathëna janë ofiqe pa lavdërime
çlirohu që të jesh i lirë dhe ballëlartë pa pretendime