Tuesday, July 21, 2009

Shiraze

Moj kaçurrele kur brof ti, mua në dhe më shti
në limanin e qerpikëve të tua më jep verë çdoherë të pi

kupa ime e verës shndritë nga sytë e tua gjithmonë
dehja ime vdes, por ringjallet dhe në syrin tënd jeton

në mejhanen Hyjnore u struka që me sakin të ri
të cakërroj kupën duke qarë kur të shoh përkarshi

në sarajet e sulltanit hizmetqar u bëra për ty
lavdi qoftë mbi ty moj e shkreta ime bukuri

nuk të gjeta askund se ishe mbyllur me bez të zi
fjala imë ishte skalitur në gurin e varrit vetëm për ty

vetullzezë moj marroqe si mexhnun në zandanë më ke shti
në vetullat e tua ëndërroj dhe shpirti në çengele çdoherë më ri

je si zëri i sazes së heshtur që në shpirt më jehon
buzëqeshja yte është vajë për mua që çdoherë më trishton

ëndërrimet e mija fiken kur më shfaqesh ti me ato balluket e tua
çdo kaçurrel e flokëve të tua është nyje që më mbathet në shpirt si patkua

shigjeta nga harku hidhet me shikimin tënd dhe në shpirt më shpon
unë jam gjahu yt i dehur që me kupën e verës të pres si gjithmonë

Lejla ime, a je aty dhe për mua a ekziston në këtë botë
eja tek unë që sinjalet e tua ti shoh njëherë sa më fortë

i shkreti mexhnun, taxhin e meskinit e mban vetëm për ty
mos më harro se një ditë nuk do të më kesh se do të futem në dheun e zi

do të më kërkosh por nuk do të jem më pran shikimit tënd asnjëherë
vetmia do ta përkujton verën që ta dhashë nga buzët e mija ty çdoherë

në varrin tim do të hyj dhe sytë e mija Ty do të shohin gjithmonë
bashkë me Lejlën time Hyjninë me afshin e dehjes do ta madhërojmë

në momentin e mizanit kur do të jemi lakuriq, unë ty do të kërkoj
nga e djathta inshaAllah do të del libri që bashkë në xhenet të jetojmë

Monday, July 20, 2009

Prehje në krahët e virgjërisë

Gjerësinë e fatit e zgjova
në çelësat e njohjes
brendinë e pafund e përjetova.
Çlirimet janë parzma diamanti që
i zhveshim nga qenësia e shpirtit,
bëhu lakuriqë më than
nëse donë të jesh i mbuluar me mbulesë Hyjnore.
Qetësinë e brendësisë e gëlltita me heshtje
shkrirje dhe vetëm shkrirje
me gjuhën e zemrës gjëmoja
shkrirje të qenësisë në zhdukje kërkoja
qoftë shpirti në tretje, për atë që përjetoja
shkrirja të ngërthen vetëm tek Ai
se është i vetmi Shkrirës i shkrirjes me pa ndasi .
Një dukje të padukshme ti çdoherë kërkoje
gjeje atë që duket në padukshmërinë tënde
por mos bredhë pas gjykimeve të çaluar
se shëmtimi fillon atëherë kur mendon se din
dije se dija yte e ka thelbin në mosdijen tënde
dil nga thelbi që të jesh thelbi i thelbit brenda ty
fol, por të lutem shpejto të nemitesh sa më shpejt,
në daç të përjetosh gjendjen e lartë të gjendjes tënde
gjithçka është jashtë teje, se jashtësia yte
është në brendinë tënde mu atëherë
kur brendësia yte e shkrin jashtësinë tënde.
Virgjëria është si një mollë përkarshi
kur kafshohet gjithçka kalon në vjetërsi
buzët kur puthiten s’ka më përjetësi
se atëherë çdo puthje ulë kokën dhe vajton me turpëri.
Në mihrab të gajbit kur të hysh merr abdes virgjërorë
lutu që të puthësh pa puthitje kur të kalosh pran buzëve,
lëngu le të thahet dhe në mend mos të të vijë
se një mijë vjet për mua janë sa një sekondë për ty.
Zemra le të digjet në vajtime për Lejlanë
se ajo ekziston pas veleve të Tij
verbëria ime donë ta puth atë
dhe kur puthja kalon pran buzëve të saja
gjithçka digjet dhe shndërrohet në hi
çdo e tharë është më e mirë sesa e lëngshmja
çdo e pathënë është më e mirë sesa kur thuhet
çdo përjetim zhduket me dhimbje atëherë kur përjetohet.

Tuesday, July 14, 2009

Për ditën e një vere kur më do jem vetëm...

Një ndjenjë, të cilës nuk i jap dot emër, ma ka pushtuar shpirtin, - ndjenjë kjo që nuk pranon analiza, për të cilën mësimet e kohërave të shkuara s'janë të përshtatshme dhe për të cilën druaj sa e ardhmja vetë, nuk do më japë çelës. Për një mendje të formësuar si e imja, kjo konsideratë është një makth. Nuk do ia arrij kurrë, - e di se nuk do ia dal kurrë, -të njoh kënaqshëm natyrën e vërtetë të ndjenjave të mia. Por s' ka gjë për tu habitur që këto ndjenja janë të papërcaktueshme, pasi ato e kanë prejardhjen e tyre në burime krejtësisht të reja. Një shqisë e re, një kut i ri i është shtuar shpirtit tim. (Edgrar Alan Po – fragment nga tregimi “ Dorëshkrim i gjetur në një shishe”)

Me gjuhë të murrme bastardohet si një bimë e njomë diçka që kishe mbetur në ato kopshtet e thata që i imagjinoja përherë. Ndërsa në mesin e rrugës yjet bëheshin si nyje përkarshi odës së shkretë ku në gjyzenti shkopi i pites petëzon gurin duke e grirë me ujë. Nga ky fërkim shndërrohej një avull i murrmë që dilte si lëng nga shkuli i zemrës sime.
Por një paq desha ta krijoj në ambient timin se nuk kërkova më shumë, kjo krijohet vetëm në këtë udhë që përvilet për një kurdisje të kohës kur do të jem vetëm dhe nga shëmbëllimi i dritës do ta shoh NJOHJEN e Ndritur në stadet e kalitura nga uji i Gjallërisë. Kisha dëshirë të përvetësoja një mëvetësi në heshtje dhe një dëshirë të paimagjinueshme kur mendoja kështu. Por për këtë kthjelltësi shpirtërore desha ta gdhendi një fortifikatë të sofistifikuar nën shtresat e shpirtit tim. Aty ku rrjedhin ujëvarat sikur një krehje e flokëve me tallaze, që përkujtojnë nostalgjitë e një fotografie të humbur nën gjithë ato shkëmbinj me gurrën ku gurgullonin ujditë e mbetura gjallë në përkujtime.
Të gjitha shkëmbinjtë do të shkrihen thash, nuk do kenë fuqi më ti mbajnë fjalët e lagura dhe të skalitura që ishin krijuar me mijëra vite, ato fshehtësi më nuk janë të mbajtshme, pesha e tyre ka me mijëra ton përkujtime, dhe rrudha të krijuara bashkë me thinjat e flokëve të mija. Krejt kjo përçohet nga një ndezje e heshtur sikur prushi i një mangalli që shkrep çdo ofshamë timen.
Vapë, presë miqtë të më ngushëllonin për erozionin që kishte kapluar kalanë që shiheshe gjatë gjithë kohës si një trung i tretur në thellësinë e mendimeve. Vendi i saj ishte mu afër kroit të shpirtit tim, kjo kala ishte rrëzuar në ditën e një vere, pas shirave të mëdha. Si duket nuk mundeshe më ti bëjë ballë këtyre vërshimeve, se thonë çdoherë për shiun, dikush gëzohet përshkak ujitjes së fushave të tyre, ndërsa unë pësova humbje më shumë si duket, se kalaja mu rrëzua. Më pikëlloj momenti shumë, jo për murrënajat, por kujtimet që ishin strukur në të.
Kjo punë është njësoj sikur të gjurmosh zërin kur azdisesh për të qenë i heshtur dhe dëgjon kërcëllimën e krimbit që e han dollapin e drunjtë të dhomës. Këtu ka nostalgji të pakthyeshme e të dhimbshme dhe të bëhet sikur dëgjon ofshamën e ndonjë mali plak. Ky gjurmim përkujton një monolog të shkruar në formën pyetëse. Zgjidhje nuk kërkohet pas gjithë asaj që ndodhi, se kjo dhimbje e papërgjigjur këndell si lëmsh të pluhurosur të gjitha mundësit për mospasjen e zgjidhjes. Koincidencë apo parapërcaktim!? Nuk dihej ende, si i hutuar flisja me vetveten, ishte e pamundur të zbulohet ky lloj erozioni për nga natyra e sajë, se ishte shumë e frikshme kjo dyndje që e shembi kalanë time.
Por frikësimi ka botën e jashtme që sheh vetëm me sytë e ballit, ndërsa brendësia ka përkujtimin e hapave të tragëve që shkelin në nyje të ndërlidhura nën kohën që avullohej në atë kala. Ky avull asnjëherë nuk e kishte zakon të del nga dhoma, se çdoherë rrinte aty, më e sigurt ndiheshe në brendi, se sa jashtë. Kjo siguri më qetësonte edhe mua për mallin tim që me mijëra vite e kisha krijuar në këtë kala, avulli kishte aromë të ëmbël, ndash pse humbte pamja e qartë nuk kishte fare dert, por më e pa parashikueshmja ishte ajo që ende shijohej aroma si ëmbëlsi me shije të reçelit prej fikut edhe pse forma ishte zbeh më dhe nuk e kishte atë pamje të qartë.
Kërshëria më trazoi sikur të më thërriste me zërin e sajë nën pluhurin e qilimave në dyshemetë e zbukuruara ku barten tonelata ofshamash dhe tredhje të duhanit kur isha i pushuar me vetminë time, ndërsa gishtat nga duhani gjithmonë ishin të zverdhuar si kashta e djegur në muajin korrik kur korret, e gjithë kjo ishte një fotografi e përmalluar e diçkaje që më nuk ekzistonte. Kjo dëshirë është për ta vakumizuar hapësirën dhe sforcuar në lashtësi të tretur përkujtimin dhe thellësinë në brendinë e kalasë sime. Këto janë shtrëngatat që në vërtetësinë e tyre nuk kanë alternativ për ta kompensuar të humburën. Këto situata dalin nga bunari plak dhe nga shkëndija e kovës çdoherë do të reflektohen rezet e diellit dhe me pandëprerje do të shfaqën imazhe nostalgjike. Edhe pse funksioni thelbësorë ishte i thjesht - të nxjerrët uji për të pirë gjithë Ne. Këto mendime nga fati dhe për nga natyra e vetëhumbjes gjatë kësaj vere në kujtesën time do të jenë të pashlyera shumë e shume për një kohë të gjatë.
Murrnajat u zhdukën nën këtë kala, gjithçka e harruar, çdoherë mendoj tani që fjalës “kala” i vinte turp që të shqiptohet, se e bënte më të shtrënguar klithjen e zërave të harruar dhe nuk dihet a do të rindërtohet më në këtë botë. Ku është guri aty është shpresa, jo si gurë që në midis udhës shutohet nga çdokush, por gur që rrinë dhe pret të përdoret dhe të jetë pjesë e shtresuar e ndonjë forme të re të pamjes që do të mbaj kujtimet e të tjerëve që kalojnë aty pranë. Në daç kalo në daç ri, në çdo shembje ka tentativë për rikthim, pra qoftë e shembur dhimbja e përkujtesës, le të rindërtohet kujtimi prapë, ka kush e mban mbi supe...

Friday, July 3, 2009

lale – i – han


ç’fundosje ka
në të pahumburën e zërit
të përjetshëm
kur pafundësinë e përjetësisë
e dëgjoja
me ashkun e përpëlitur nën gjethet
e xhamisë Blu
në rrënjët e thella
me vija të trasha e me brerimë shiu
bardhësirën e horizontit
e përfundova mu këtu.
kur pendesat janë me mija perde
që gëlltisnin pamjen e tre detrave
e unë, detarë pa busull
i bije thellësive në shpirtin e xhamtë
dhe çdo gjë më ngriu për një çast
por, askush nuk më pyeti
për thyerjen e shpirtit të xhamtë,
në xhaminë Blu,
kur prisja jashtë dritësirën e bardhë
më rrahu nata me natësirën e sajë
e me duar të akullta më përqafoj,
afër greminës një shkabë më rrëmbeu
e në kthetërinë më shndërroj
pse i thonë tradhti përkujtimit të pafund
kur sfilitjen time me cefël dhimbjesh
ma mbuluan në mes shtat kodrave
e me zor mi jepnin dallgët e detit
ti përpij, që të dukem më i ngulfatshëm
në këtë katandisje shporra të kaluarën
të shndërruar në thermi të pijshme
të ujit të turbullt imagjinar,
rropullitë e mija nuk ishin për askënd
hambarët e ashkut ishin mbushur
me fijet e shndritshme Hyjnore
tek unë gjithçka ishte fikë
në shkrepjen e shkretë ku nuk dëgjohej
zëri në humbëtirën e brendësisë sime.
ndër sy vargonjsh të lidhura hukasin
nga avulli që dilte me përvëlime
në zemrën e lëngtë të shpresës sime.
Një tramvaj i skuqur vezullonte
ecjen time në ikje, me një pamje
të harbuar, kafshoja tëmthin
pas shpëlarjes nga therja
e buallit jashtëtokësorë
e ndërngjyrësh
që vinte nga një kometë jeshile.
Truall e dhé, mu bënë ndjenjat e përjargur
e të fosfortë, mbi këtë qiell të hapur
plot neone që flinin nën jastëkun e
ndërduarshëm e të qëndisur nga
rrjeti i pulëbardhave
mbi minaret e sinkronizuara,
vaj, vaj për freskinë hënore
si drapër i ndryshkur bëri çarjen
e mishit nga eshtrat për një çast
të grumbulluar e të mbledhur në një trastë
me zemër i bluaja dhe i mbaja direkët e qiellit
duke turfulluar në rrëzë të mureve të pafund
nën thithjen e një nargjile aromë mollësh
me asfaltin që vlonte nga turbanët prej tulipani
me shallvare e patika All Star vezullonte
çdo pipëtimë që thithte lëngun e aromës
së hedhur në karrocat e mbushura me fruta
e të stërpikura me ujë nga një shishe plastike
të firmës Hâmidiye .
Kalldrëma arnaute thumboi këmbët e kuajve
në pajtonet që shkrepnin mejdanin rrotull
të shaluar nën prehjen e kurtizaneve të huaja.
blertësinë e kafes turke e shijova,
nga xhezvja mu dogjën duart
por mu gris filxhani si letër e copëzuar
me një buzëtretje të gdhendur në gurë
kur pash semazenin që i jepte qiellit.
ku janë copëzat e ndara prej zemrës?
a thua u mbuluan në harrimet e sajuara
mbi brigjet e thara të detit me derte
apo hyrën në skenën e karagjozit të brishtë,
sikur nuk shihja më nga turbullira e ftohtë
edhe fletët e trëndafilave ishin tredhur
nën muzikën pa tingull e të pa ujshëm
në klorofil ishin shndërruar ndjenjat
e pikëzuar nga vaji i përhimët e i pa lot.
nga gaba shiheshin edhe kockat e mija
që treteshin lodhshëm në shpirt
dorën e mëshirës kur e shtriva
ndër cukla u thur, si një damar i mpirë
dridhërimat jeshile gëlltitnin thellësinë në fytyrë
si bukël e murrme zvarritesha në dru
për të parë mejdanin e divan hanit
të shtruar me pllakat e kulluar nën rrëzëllime
dhe çdo gjë më pickoi përjetësisht në ndjenjën time.

(Stamboll, qershor – korrik 2009)