Thursday, May 19, 2011

fjalët

sikur të më ishin ngjitur
disa fjalë nga zemra
që dilnin si flluska nga uji valë
piskamë, djersitje,
ethet fillonin të pinin kafen e fundit
vistër më shkonin fjalët,
mendova më gjatë..., ishte marramendëse
kur pyjet puthiteshin me ngjyrën e vajit
nën krifat e nënkresë që rrëshqitnin
sikur ëndrrat e jermuar të zënë jesir
dhe për një moment mu kujtua

intermexo

po ç’na gjet, thash
kur me hukama i avullonim xhamat
dhe vizatonim zemra me dy shkronja
nga të dy anët.... e pastaj
çamçakëzët i ngjitnim në xham gjersa hanim bukë
që më vonë të vazhdoj përtypja edhe më tutje

gërthitje e tejkanosur që valën ja çonin
puplave në orenditë e veshura me atllas,
më falni! erdh një zë i shkrifëruar nga dikush
si zë hijesh që regëtinë braktisjen e vonuar
nga gardhi shpëtoi gjysma e harkut të fjalëve
ndërsa, gjysma tjetër përfundoi përgjithmonë në heshtje


të lumtë për tharmin që vure në kavanoz të buzëve
ahengun me rropullitë e nxjerre në rrafshin e dhëmbëve
me fjalët u plekse si hardhucë gardhesh të pashartuara
gjersa një ditë ndjeva, që asgjë nuk më kishe thënë...

Wednesday, May 18, 2011

s’epem

në mitrat e virgjëra
lindin fëmijë nga lulet
kur poleni harxhohet
frikësohen rrënjët,
stepen gjembat
e thinjën gjethet,

kur kalbëzohen frutat
ringjallen fluturat

njollat lidhin nyje
mbi
namatisjet e bëmave,
meqë pëshpëritja
shihja
spitalin e lindjes
afër varrezave

fermentimi bënte fekondimin
me frekuenca të mpira
kur autobusët shkelnin
gjinkallat e lodhshme mbi udhë

e lulet ishin
prapë të lodhura
andaj, fëmijët lindën
kur poleni pllenonte
spitalet
varrezat
insektet

Wednesday, May 11, 2011

po dehem

ta lus qiellin që ti laj duart nga shiu
inspirimi më rrjedh si lum vetvetiu
nëse bëjë mëkat kur puthë ata sy si rubinë
në dash Zoti le të më shpije në shkatërrim

në dash ky mëkat le të më dergjë në shtrat
prapë zvarrë do shkoj në tavernë që të pi rahat
ju lutem o njerëz, dijeni se në dehje nuk ka zili
është i marrë ai, që verën nuk din ta pijë

le të ngrihet qielli në këmbë e le të gjëmon
ashik meskini është i dashuruar përgjithmonë
le të katandiset i gjithë alemi në këtë ditë
edhe nëse vdes e dijë që askënd se kam lebetitë

unë pijanec, naiv e i dehur në dashuri
gërmadhat në shpirtin tim janë gur e shkëmbi
çdo dhimbje është një shpresë që rrugëton
poqëse e stërpik ferrin me verë, shuhet përgjithmonë

a janë lotët e trishtimit, apo lotët e gëzimit
kush qau e vajtoji, kush këndoi e gëzoi
si ti kuptoj këto ndjenja që nuk dijë si ti quaj
më mirë të dehem se nuk kam më për kenë të vuaj

drenushat me qafore prej rubini le të bredhin pa pushim
nuk i shoh nga dehja ime, sepse janë vetëm për mashtrim
nëse gëzohen që unë me gjahun tim nuk mundem ti gjuaj
do të dehem me vargje dhe pastaj me dhëmbë do ti bluaj

këto drenusha dynjaje janë vetëm se vele para të vërtetës
nuk dua të jem pjesë e njerëzve që i takojnë të shterpës
balta ime më e shijshme është rruga që shpien në amshim
kur e cakërroj gotën e verës, veç më kaloj në përjetësim

tretëm o Zot nga dhimbja që unë me lutje Ty të ta kthej
çdo trajtë ka një pasqyrë që unë nuk dijë si ta gjej
do të kërkoj gjithmonë deri në fund gjerë sa të frymoj
kur të më zihet gusha prej verës, atëherë në botën tjetër do të shkoj

por, nuk dua të bashkohem me syzezën që ka vetullat e holla
meqë unë jam i shëmtuar dhe në këtë jetë kam shumë njolla
do dua që Lejla ime të jetë në gotën time që të më tretë
krejt kjo dehje për ty është një e hidhur, por shumë e vërtetë

nëse të dua Lejla ime, nuk donë të thotë se të dashuroj
nëse të dashuroj Lejla ime, nuk donë të thotë se të dua
të duash dhe të dashurosh në këtë botë nuk është njësoj
do ti djegë që të dyja, vetëm verën e kuqe ta përjetoj

kërkoj hënën buzë lumit

ishte vonë më kur të mbaja tek prehri
kaltërsia përnjëherë u humb nga qielli
po ta prekësha buzën që i ngjante gurit të ftohtë
mjalta do të bëheshe pelin nga e vërteta e plotë

mos i varë sytë e ëmbla si vele të shtruara
se këto ditë për mua janë veç më t’numëruara
po ti bërtas vetmisë, deri tani dot më dëgjonte
më thuaj ti shpirt – ku po endesh sonte

jam në kopshtin ku me pendë ngjyrosi yjet
jam vet fyelli, që i vajtoj fatit që nuk më dihet
në tavernë vera e kuqe shndritë si kandili,
shkova të pi një gotë, se pa te nuk më rrihet

e fshehta është dragoi që trimërinë e trazon
kuçedra e përbindshme lirin ma robëron
po ti besoj të vërtetës sesi më duket këto ditë
gënjeshtra është aq e bukur që nga e vërteta shndrit

dhe këto kujtime më bëhen amulli e hije
përveç gotës time asgjë nuk ka shije
zgjohem nga vetmia i pikëluar në sy
oh sa kam qejf të bëj dashuri me ty

do ti mbledhë të gjitha yjet nga qielli
të bëjë një qafore për ty që në shtrat ta sjelli
pas ëndrrës kur të zgjohesh nuk dua të më kërkosh
kur të më shohësh pran vetes tënde dua të më harrosh

Eskishehir, maj 2011

krepoj

dhe veprat
nuk vdesin asnjëherë
shteruan atje ku aguan
të thyera nën heshtjen
e shpirtit të palëtuar,
nga divani me shije vetmie
kujtimet më ikën dhe shkuan,
ndërsa dikur
në krahët e qiellit
flinim z’bashku
sikur gjithnjë thonim
nga ëndrra, mos na zgjoni!
në ndasinë që ka të shtëna cytjesh
me mangësi të përvuajtura terratisësh
pëlcasin zërin kumbueshëm
në thellësinë e psherëtimave
atje ku zëri u harrua të dëgjohej
ndërsa ne ende
sfilitemi,
mpakemi
plakemi
në ndasinë
që malli na humbej si perlat e përgjakura
gjithandej të zbrazura ndër të shkuarat e vonshme