Tuesday, February 8, 2011

më në fund prej fillimit

Zoti krijoji
heshtjen
më pastaj
dëgjimin
më pastaj rrotullimin
më pastaj të folurit
më pastaj fronin
gjithë me laps i shkroi
buzët që puthën qiellin
i shumëzoi
në një vendkalimin
mëkatin shtroi
për njerëzit sikur ne
zhveshjen e shpirtit
nga gjethet na lakuriqësoi
po atë botë
që e harruam
kur tinguj dhe vargje thurnim
tymosnim mendjet fshehurazi
duke mos mbajt emrat në mend
por shpirtrat duke i ngjitur në një vend
para së gjithash
ta jepja zemrën time e ti e përplasej në mur
të gjithë furtunat që kapërdihen
nuk mundesha ti përballoja se isha i sëmurë
ilaçin në bardakun e xhanit e kërkoja
helmin si dhuratë të përjetshëm e përjetova
dhe prapë shërohem
në këtë fushë patinazhi
shpirti me gllënjkat e fundit rrëshqet
diku jashtë, larg vendit, diku vetë
me miniaturat e fluturave të vdekura
me një kafe të hidhur e të përplasur
në ofshamën e dertit të përgjumur
lirin që e ëndërrova ma hedhe në fund të thembrës tënde
me gjithë dëshirën që kisha, ti prapë ma shkelje fytyrën time
për mua
u krijuan
heshtja
dëgjimi
rrotullimi
froni
dhe lapsi më në fund, fundin ma shkroi.

Tuesday, February 1, 2011

si mund të vdes vetmia

gërmadhë trungjesh, rrudhje
që riradhiten mes bërryltretjeve
duke dënesë,
skuqem si nga pamja e si nga brendia,
janë pamjet që shtiren si ngjyra e hija
kush joshë! çfarë thua?
ngarkesa apo vetmia...
krahët i fërkoja për ti ngrohë
nën mjaullimën e lodhur të boshatisë
tretjet me plot stërkala të bojatisur
pjellin ëndrrën që më tepër më bezdis
e si mund të vdes vetmia?
ahh po, më duket se sot kisha harruar të qaj
se asgjë më nuk është e bukur
përveç bukurisë së Sajë
jam vet dhimbja përsëritja
flokëgjatë e i pakrehur,
për tre zemra
të lindura apo të vdekura
që ma fundosin brengën në vajë,
më janë zgjatë flokët e bërë flakë
si gogla zjarri më janë hedhur syve
dhe përsëri më doli dhimbja
i thosha të lutem mos më ik
gjerë në pafundësi e kërkoja duke e përsërit.

dergah, dert ah

një bukuri e humbur që frymon nga thellësia
e shtrirë si e përgjumur, por syçelë brofi nga hijeshia

mos më thuaj shko, se dhimbja më ndjek si hija
andaj vuaj për çdo gjë, se ofshamat në mejhane si verë i pija

gllënjkat më ngulfatën kur ashkut mi than se je në vetmi
vetmisë në rrugën e fshehur vetëm ashiku mundet ti pri

janë shtigjet plot gjemba, deri tek rruga e siratit
lëngo trupi im se vuajtja për Te është rruga e sevapit

kjo vuajtje ka një mijë krahë për të fluturuar
përshpejto rrugën e vuajtjes në deshe të jesh i flakëruar

i pagabueshëm i thua vetes dhe gjithçka për ty është e ndaluar
eja të dehemi në mejhane njëherë, me kupat e verës së distiluar

amaneti përmbi trupin tim të vdekur është si një ferman i shkruar
qefinin me verë e stërpika, andaj shoqëruesit e varrimit tim janë të hutuar

në këtë dergah e gjithë dynjaja është një varr përmbi tokë
dera e sajë e argjendtë nuk është e kuptueshme për këtë botë

në këtë hallkë gjithë të dehur vallëzojnë me plot mbresa
se minderet rreth e rrotull janë si gardhet nëpër varreza

një fakir sikur unë, asgjë në këtë botë nuk gjeta
përveç se një grusht dhé në sytë e mi mora, meqë vet mbeta