një shportë rezesh ma dhuro
dhe në krahët e mija fluturo
ecën ti, e eci unë, por mos u indinjo
se vetëm sytë e tua si rrunëza i shoh
a ka vend për ty në këtë qiell
nuk të bëjnë ballë as hënë e as diell
je e vetmja hapësirë e pafund, ku prehje unë kam
në çdo mungesë timen, prezencën Tënde kam
zymbyl i freskët si në vesë të sabahut më je
përkëdheljet aty ku janë, Ti gjithherë aty më je
në mos daç ti, aq sa je larg, aq afër më je
në desha unë, askund nuk jam, nëse Ti nuk je
plotëso këtë vend dhe bosh asnjëherë mos e le
si mexhnuni bëhem, e ti, si të duash asgjë mos ndje
mjaft e kam ashkun e natës kur kujtohem nën rënke
nuk e kam ditur dhimbjen që kam për te
shikimin e kam tepruar, ndaj mos u hidhëro
por si bëjë ballë verbërisë, ndaj mos më shëro
do të kërkoj gjithmonë, ndaj mos më moho
do dergjem gjithmonë, vetëm nurin tënd ta shoh
pres që tani të shkoj diku të shërohem – më kupto
heqim të kërkoj se për ty kam dert – mos më shqetëso
në kajmak të shpirtit nuk dua zift – në daç më beso
më jep lajmin e fundit se je me mua – më njofto
nuk më ikin kupat, se unë dehem e më thua – mos e tepro
pashë një dritë afër meje dhe thash: eja e më përshko
e mora në dorë sa kisha fuqi ta mbaja – unë e kërkova
këto xhevahire nuk mundesha ti mbaja dhe i lëshova
për ty sa janë fundet të pafund unë këtë nuk e di
gjithmonë në fillim, fillimet janë të fshehura këtë e di
sa janë shenjat fat që jemi bashkë , ti më thuaj gjurmo
kjo bukuri askund nuk gjendet, ti më thuaj kërko
kush lidhet për njeri, nëse njeriu nuk është i Tij
ti je e imja dhe çdoherë do jesh e imja vetëm për hir të Tij
do bredh si një meskin i epur gjithmonë për ty
mos merë forcë të më ndalësh që të më ikësh përsëri
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment