Tuesday, February 16, 2010

pesëdhjetë rubai

1
vera më solli në një kob stuhie
se mi kishe buzët me lëngë lumturie
ika me të shpejt në botën pa hije
si kallami që më bëri muzikë lemerie

2
dehu në paç zemër me qira
nuk janë bind ende këta qerrata
si fiku që bënë lapa të mëdha
jam mbuluar vetëm për ata

3
sa ka kohë merimanga për rrjet
aq unë kam kohë për tatëpjetë
këtë mundësi unë do ta kap
këtij rasti, fat të keq mos ti jap

4
pëllumbeshë qafore-ndritë më je
me dehje do ta puth kupën veç për ne
në mejhane gazmendi ishte shtruar
kur puthja ndriçonte hiç pa kujtuar

5
më je Ti ai që më dëboi
fati im në kupën time më shikoi
në dyert e shpirtit, gdhendje me sy pash
në pritje të fatit gropë u bë zemra dhe rashë

6
një ditë kur mendoj se nuk të kam o sy
xhehenem më bëhet dita pa ty
shikoj filxhanin e porcelanët në këtë dynja
dhimbja si tufan bjer mbi mua pa u nda

7
etja doli që dolli të ngremë më
të habitëm për dehje se kam ndërmend më
iku fanari dhe në mes të ditës terr u bë
jam pa ty, si guri në rrugë që nuk bënë zë

8
dy të dashuruar pëshpëritën për besë
janë si dy zogj që në gushtarë bëjnë vezë
nuk është kjo dynja që ju la lakmi
fati i bëri të lumtur për hir të Tij

9
gjithë më than lamtumirë pa mëshirë
unë mbeta vetëm i përlyer me hir
ndeza zjarrin në fatin që nuk shuhet
se e dogja gjithë fatin aty ku shkruhet

10
Sa janë malet, aq mall kisha në zemër
kisha nevojë ashkun ta njihja me emër
thash prit që të shkoj në atë skëterrë
lulet e virgjëra ti mbledh që po i frynë kjo erë

11
kjo dëborë ma shkriu kurmin për tokë
kisha dëshirë që farës ti falja një tufë flokë
gjithë këto filiza çelin bashkë me bindjet
fluturova në kopshtet ku kishin ikur hijet

12
mos e bënë fytyrën si petale e vyshkur
mi jep gjembat ti gëlltisë hiç pa shyhbe
të pijë pastërtinë tënde si një ujë i kulluar
kjo dehje është mbretëri mbi kupën e erëzuar

13
Çdo sekret që kisha, tokën e shkriu
në çdo rehati bunari më dha ujë vetvetiu
e gjithë kjo humbje s’ka ku të shkon
se të gjitha shqisat aty më veç mbarojnë

14
xhan - taxh i shpirtit tim më je
unë jam hyzmeqar i yti – që ti më ke
do zvarritem që të mbërrij deri tek ti
nëse duhet njëmijë vjet do ti njehi një nga një

15
edhe heshtja ime ty po të flet
por kur arrin tek ti, asgjë nuk mbet
u nemita i shtangur nga nuri yt
si menxhnuni bërtisja në mesditë

16
kush i ka borxh fatit që mbaroi
kjo kohë gjithë pritjet na i shtoi
risia në shpirt më erdhi e pazbuluar
me zor e mbaja shpirtin e trazuar

17
a thua kjo kohë më bëri të jem qesar
të hy në bebëzën tënde gjithë thesar
me verë të pastër merrja abdes të kulluar
që të hy në mejhanen Tënde i përuruar

18
dëshira yte është dëshirë që plotësohet
dhimbja është dhuratë që flakërohet
ke një borxh që ende nuk ma ke dhënë
ato puthjet e pafundme që i shpallëm të gjëmë

19
kalbëm oj tokë që po më zbukurohesh
krejt veprat janë plot dhé kur më afrohesh
ky fat as i shkurt e as i gjatë - po më mbulon
ndaj dije dhe mos më thuaj që po më tradhton

20
më ka zënë dera mundësin për të kaluar
janë do punë që më së tepërmi duhet duruar
kundërmova erë djerse në këtë lagështi
fatin e lëshova për toke për një ardhmëri

21
lëngo lëngo, në daç më thuaj – harro
hiqe velin se erdhi dita që unë të të shoh
iki lëngatës se një ditë ajo do të vijë
fati më tha ik, sa nuk të kam mbërri.

22
dola jashtë kohës ku hapësira mori fund
atëherë ku as parajsa e as ferri nuk ishin askund
isha unë me dolli në dorë duke cakërruar
pija verën dhe të përkujtoja Ty O i Falënderuar

23
më mori malli për një këngë të lehtë
ndash se fytyrën e kisha shumë të zbehtë
gjaku më kishte ikur nga fytyra
duke e thyer hijen time ndër pasqyra

24
unë gjithçka kam fshijë kur ishe në pyetje ti
edhe pse të kam thënë eja dhe me mua ri
nuk deshe që të bëhem kurban për ty
deshe që unë nga shikimi të verbohem në sy

25
për të lind dielli në mes të ditës
syrin duhet pastruar me anë të sitës
çdo kush nuk mund të shoh atë që do
ditën që lindi ashku, më tha: – përjeto

26
si takëme qelqurinash ishe zbukuruar
nuk janë të thyerat ves i vitrinave të gjymtuar
krahëthyer si një zog lëndimin e kisha ndijuar
shtrat ishte bërë vdekja dhe prisja për të shkuar

27
sy dehura shpalos verën në sytë e saj të shkruar
kjo e fshehtë është si zjarr i flakur e i shkrumbuar
pëlcisja deri në kupë të qiellit si një i tërbuar
britmën time e varrosën nën dhé për mos e dëgjuar

28
vesa e mëngjesit vezullojë barin e njomë
ty të e prisja në mbrëmje deri shumë vonë
shkëndite natën oj hënë me tallaze hyjnore
me një cakërrim gote, shpirti u bë fushë pjellore

29
mprehtësia e fatit ka gjuhë mushkonje
kur të dhembë plaga bëhet varrë prore
një ditë që e sheh sa një mijë vjet
të kërkon çdoherë që të mbetesh vet.

30
balta nën afshin e ashkut poç u bë
drithërimat piqen në hell një nga një
luaje rolin e njëjtë si të valltares
dhe në sofër sille gjahun e gjahtares

31
dheu i zi e ka këmbën e rëndë
than që trimëri na ishte kjo e bëmë
pjergulla ishte me plot rrush të zi
vera nuk është verë nëse nuk din me e pi

32
kush shpon gjokse me tharbëtim
këto lëngje janë vdekjeprurëse - ti e din
shenjtorët u mblodhën për një shqyrtim
nuk ditën që nga ky dert nuk ka më shpëtim

33
janë dertet e ashkut që melheme s’kanë
nuk është lehtë të jesh i urtë për sevdanë
barte ashkun dhe bëhu hazër për tjetrën dynja
në daç që lumturia të mos ndalet hiq pa ja nda

34
shikojë syrin ndër sy që vret
pritëm që edhe unë të vijë vet
mos shko nga dera të më humbësh
do ikim bashkë që të dy me hasret

35
liromë moj botë nga hallet e tua
se koha më hante ndër thua
kisha dëshirë që të jem i vetmuar
se pa ty isha i shkretë dhe i mbaruar

36
thuaj një se pa njësh nuk kisha ekzistuar
thuaj dy se pa dysh nuk kisha jetuar
njëshi dhe dyshi nuk janë të lidhur në kohë
përpjesëto njëherë e në daç pastaj shko

37
të jesh në piedestal është çmenduri
mëshira të kaplon pa e kujtuar këtë dhunti
këndej gëzohet fati se nuk e ka bezdi
të shkosh mbi gjurmët e të njohurit Saki

38
prit që jeta të merë kuptimin e urtësisë
të urtë janë ata që asnjë njeri nuk i bezdisë
llomotitjet janë fryte që pa probleme i gëlltisin
sabrin e kanë ushqim që çdoherë e përsërisin

39
gjumi është i rëndë kur nuk ka kuptim
ëndrrat janë vele që nuk lejojnë depërtim
por ëndrrat e mija nuk shuhen dot
se ashkun që e dua do ta ëndërroj edhe sot

40
arratisem që sa më larg të jem prej teje
por ashku më këndelli me aromë afërsie
ika dhé më dhé sa më larg prej teje
e ti më pyet çdoherë, pse ik prej meje

41
po të kisha edhe unë një dëshirë
mbi fatin tim ballin do ta kisha shtrirë
të prek lagështin e dheut anë e mbanë
në sexhde tek i Madhërishmi të jem pranë

42
mos më largo nga mejhanet – më ngushëllo
se të pakta janë gotat dhe mos më shqetëso
drita ndriçoi në këtë mejhane nën vagulli
të pash ty si fitil i djegur, plote me shkëndijë

43
kërkomë mua, se unë mjaftë të kërkova
më gjej mua, se unë nuk të gjeta – por u pajtova
kallamishten do ta thërras që në kor të më këndon
më dehet shpirti pran teje edhe pse ti nuk më shikon
44
kush lindi sot që të ketë fat të mirë
nuk është çdo kush me fat humbëtirë
nën hënën e ndriçuar djepi u gdhend
fytyra yte kur lindi, më bëri gazmend

45
kur ka lindje mos e harro vdekjen
bëhu durimtarë në fat e mos shiko tjetrën
kalorësitë e dëgjuan këtë hingëllimë
se në rrugët e tyre përjetuan pikëllim

46
psherëtinë gjymtyrët e strukur në divan
isha duke menduar për një ditë matanë
gjak shehidësh krahasoja me ngjyrë kalemi
kurbanet një ditë do ti dëshmon i gjithë alemi

47
më sjell zinxhirë të trashë të lidhem
nuk ndërsyem si qen i zi që të vihem
janë ata - lugetërit që mëtojnë të syrgjynosem
kush u a dha të drejtën që unë të shfarosem

48
nuk mundën ta bënin atë që e menduan
nga frika në bir të miut u strehuan
nuk e ndalim afshin për tokën e bekuar
kjo gjë në shpirt mirë është e sajuar

49
nga gjithë ky kaos, lumturi gjeta në Ty
më leni rehat që sa të mundem vetëm të pijë
kjo dehje është gjerdek i natës së dhëndërisë
unë dhe ty ishim të mbuluar me vel të pastërtisë

50
gjithë këto vargje me gjak i shkrova
unë pas ty xhan gjithherë mëtova
jam i vdekuri ndër të gjallët pa ty
nuk dua të rroj që edhe njëherë të pijë

No comments:

Post a Comment